Kolonel Hajro Limaj, ish atasheu ushtarak në Ankara: Turqia, aleat strategjik në krizën e vitit 1999 për shpëtimin e Kosovës. Kryeministri Ecevit i premton homologut shqiptar Majko: Nuk do të lejojmë askënd të prekë kufijtë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.
Nga Leonard Veizi/ “Miku i mirë në ditë të keqe”. Duket se kjo frazë në eter e thënë jo vetëm prej burrave të kombit tonë, duhet të ketë funksionuar edhe tek shtetarët e lartë të Turqisë kur i kanë afruar Shqipërisë ndihma ka kursin në ditët më të vështira të saj. Një herë në krizën e vitit 1997 kur shqiptarët luftonin mes vedit dhe fill pas saj në vitin 1999 kur lufta ishte në prag, kësaj here në kufirin shtetëror. “500 vjet vëllazërim…”
Të themi se ndoshta me këtë Turqia kërkonte të shlyente në një farë mënyrë edhe furnizimin me disa qindra mijë jeniçerë që kishte bërë ndër vite perandoria e madhe aziatike në tokën e Arbrit.
Por dhe shqiptarët duket se vazhdonte ti mundonte fort “sindromi i Stokolmit” ku na pëlqente të flirtonim me ata që i cilësonim si armiq shekullorë, por që herë pas here kishim ndarë dhe administrimin e vetë perandorisë.
Dhe për çudinë e fatit, për djall a dreq në qoftë, Shqipëria kishte qenë dhe e fundit nga kombet që ishte ndarë prej Portës së Lartë, pikërisht atëherë kur atë nuk e mbanin më këllqet.
Në fund të fundit, të gjitha këto bënë që urat e bashkëpunimit mes dy vendeve të njihnin zhvillim vit pas viti, nga koha e karrocave kur u shpall Pavarësia deri në periudhën e kibernetikës…
Dhe të vijmë tek tema e cila nisi 20 vite më parë:
Politika e gjenocidit milosheviçian për shqiptarët e Kosovës ishte bërë një realitet tronditës edhe për pjesën tjetër të opinionin ndërkombëtar. Dyndjet masive në kufirin e shtetit shqiptar e kishin rrënduar së tepërmi situatën. Dhe duhej një zgjidhje.
Kolonel Hajro Limaj, i cili në marsin e vitit 1999 ishte me detyrën e atasheut ushtarak në Ankara thotë se kryeministri Pandeli Majko e ndjente përgjegjësinë historike të Tiranës, ndaj kishte vënë në lëvizje të gjithë arsenalin e afërt politik dhe diplomatik, dhe i kishte kthyer plotësisht sytë dhe shpresat nga Ankaraja. “Miku i mirë në ditë të keqe”. Epo përballë serbit, duket se turku ishte “vëlla, e kaluar vëllait”
Gjatë një interviste, kolonel Limaj sqaron dhe gjithë situatën e mundshme të atyre ditëve plot tension:
Si do të negociohej futja e Turqisë në një luftë për territoret shqiptare?
Fillimisht dua të them se më 2-3 mars ‘99, ish-kryeministri, Pandeli Majko, në krye të një delegacioni qeveritar bëri një vizitë të rëndësishme në Ankara. Delegacioni shqiptar ishte i përbërë nga Ministri i Punëve të Jashtme, Paskal Milo, Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, Ministri i Financave, Anastas Angjeli Ministri i Ekonomisë, Ylli Bufi.
Delegacioni u vendos në hotelin “Hilton”, në qendër të Ankarasë. Të nesërmen, Kryeministri u prit nga Presidenti vendit, Süleyman Demirel, Kryeministri Bülent Ecevit dhe Shefi i Shtatmadhorisë dhe Komandant i Forcave të Armatosura, gjeneral armate, Kivrikoglu.
Në Shtatmadhori ishin planifikuar të merrnin pjesë në takim vetëm Kryeministri Majko, Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga dhe Atasheu ushtarak i Shqipërisë, kolonel Hajro Limaj. Për temat që do të diskutoheshin, ne kishim punuar dhe koordinuar të gjitha çështjet përpara se të vinte delegacioni në Ankara. Kryesore do të ishin rrugët e zgjidhjes së krizës së Kosovës dhe mbrojtja e sovranitetit të Shqipërisë nga një sulm i mundshëm ushtarak i Forcave të Armatosura të Serbisë, i cili mund të ndërmerrej me justifikimin e goditjes dhe asgjësimit të reparteve dhe njësive ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, një pjesë e të cilëve stërviteshin në territoret veriore të Shqipërisë.
Një argument tjetër, i llogaritshëm më shumë si mundësi teorike, do të ishte hyrja në luftë e Shqipërisë, për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës nga gjenocidi serb, që kishte filluar të zbatohej nga Milosheviçi, variant i cili do të zbatohej nëse NATO-ja nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë.
Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral armate Hysejn Kevrekoglu, i cili ndiqte me kujdes nëpërmjet të dhënave të zbulimit strategjik zhvillimet në Veri të Shqipërisë dhe brenda Kosovës, i garantoi Kryeministrit Majko mbështetjen e gjithanshme ushtarake, në mbrojtje të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë nëpërmjet rrugëve konkrete, që do të aplikoheshin sipas zhvillimeve të ardhshme në terren. Gjithashtu, ai e garantoi zotin Majko se do ta mbështeste ushtarakisht Shqipërinë, nëse ajo do të detyrohej të futej në luftë me Serbinë, për të shmangur gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Vlen të nënvizohet se nga të gjitha shtetet ku Shqipëria kërkoi mbështetje politike, diplomatike e ushtarake, për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës, i vetmi vend, që iu përgjigj pozitivisht ishte Turqia.
Plus miqësisë tradicionale me këtë vend, një rol shumë të rëndësishëm luajti lobi shqiptar, që jeton në Turqi dhe media turke, që ishte ngritur e gjitha më këmbë për të shmangur një Srebenicë në Kosovë.
Kur do t’i kërkohej Turqisë premtimi rreth garancisë për moscënimin e tërësinë territoriale të Shqipërisë?
Turqia ishte me pushimet e Bajramit të Madh. 9 ditë rresht. Megjithatë, ne vazhdonim punën, ndiqnim nga Ankaraja me shumë kujdes zhvillimet në Kosovë dhe qëndrimet ndërkombëtare ndaj saj. Në katin e dytë të ambasadës, ndodhesha vetëm unë me ambasadorin, S. Bala. Atë ditë, më 29 mars 1999, pa pritur, ambasadori hyri me shpejtësi në zyrën time dhe më kërkoi të shkoja në telefonin e zyrës së tij, mbasi më kërkonte nga Tirana Kryeministri Majko. Nxitova tek telefoni e fola: “Urdhëroni, Zoti Kryeministër!”.
“Zoti kolonel” – m’u përgjigj Ai nga ana tjetër: – Realizoni një takim urgjent me Kryeministrin Bülent Ecevit dhe i shpjegoni situatën në Veri të Shqipërisë… Forcat e ushtrisë serbe kanë bombarduar disa herë me artileri dhe nënrepartet ushtarake të saj vazhdojnë të hyjnë në thellësi të territorit tonë. I kërkoni Atij të bëjë një deklaratë të fortë për median, ku të shprehë qartësisht mbështetjen reale të Shtetit dhe të Forcave të Armatosura të Turqisë, në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe pastaj i parashtroni Atij nevojat urgjente të Forcave tona të Armatosura për mbështetje logjistike, sipas faksit që do t’u dërgojë tani Luani, Ministri i Mbrojtjes. Në takim merr edhe ambasadorin e më raportoni për rezultatet e këtij takimi”- përfundoi ai.
U riktheva në zyrën time dhe kërkova në telefon shefin e kabinetit të Kryeministrit Bülent Ecevit, Zeynel Yeşilay. Iu prezantova dhe, mbasi e urova për festën e Bajramit, i kërkova një takim urgjent me Kryeministrin Bülent Ecevit. Me atë njihesha nga afër dhe kisha pasur mundësi të takohesha e bisedoja disa herë.
Kryeministri Ecevit, atij i besonte shumë. Mbas 5 minutash nga kërkesa që i bëra, më konfirmoi takimin e menjëhershëm. Sa vesha uniformën ushtarake të kolonelit, të cilën e mbaja në gardërobën e zyrës, ambasadori kishte nxjerrë nga parkingu makinën zyrtare dhe menjëherë u nisëm drejt kryeministrisë.
Makinën e ngiste ambasadori, sepse shoferi i ambasadës ato ditë ndodhej me pushimet e Bajramit. Rruga kishte shumë pak trafik dhe në orën 13.00 mbërritëm para ndërtesës së kryeministrisë. Në shkallët e hyrjes së kryeministrisë ndodheshin dy gazetarë, të cilët u drejtuan menjëherë drejt nesh. Por, oficeri i sigurimit të kryeministrisë na shoqëroi për në katin e dytë të godinës dhe ne hymë direkt në zyrën e punës së Kryeministrit Bülent Ecevit.
Pasi e përshëndetëm dhe e uruam për festën e Bajramit, fillova me një herë t’i transmetoja mesazhet e Kryeministrit tonë, Pandeli Majko: “Vëllai juaj i vogël, Kryeministri Majko, ju dërgon nga Tirana të falat dhe përshëndetjet më të mira”- e fillova bisedën me të. Duke ditur marrëdhëniet e tyre konfidenciale, e fillova takimin pikërisht me të falat e “vëllait të vogël”, siç e konsideronte Kryeministri Bülent Ecevit, Kryeministrin tonë, Pandeli Majko.
Pastaj i shpjegova Atij situatën politiko-ushtarake në kufijtë veriorë të Shqipërisë, ku reparte të ushtrisë serbe bombardonin me artileri në thellësi të territorit tonë, ndërsa nënreparte të zbulimit dhe të trupave komando të ushtrisë serbe hynin në thellësi të kufijve tanë, deri 10 kilometra.
Ata pretendonin se në ato zona ishin strehuar trupa të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e këtë mund ta përdornin si pretekst për të hyrë në thellësi. Gjithashtu, Shqipërinë, Beogradi e akuzonte për hapësirën ajrore, që i kishte dhënë në përdorim avionëve të NATO-s.
Pra, Shqipëria në çdo moment mund të përfshihej në luftë. Në këto rrethana, qeverisë tonë i duhej të përforconte kufijtë dhe të vendoste në gatishmëri njësi dhe reparte ushtarake, por i mungonin pajisjet ushtarake të nevojshme. Divizioni i Kukësit ishte në gatishmëri numër 1, i përforcuar edhe nga Tirana.Si do të vepronit pas kërkesave të kryeministrit?
Si do të reagonte kryeministri turk ndaj ekspozesë tuaj?
Kryeministri turk, me gishtat e dorës që i dridheshin për arsye shëndetësore, shtrëngonte stilografin me të cilin shkruante problemet dhe nënvizonte çështjet më të rëndësishme të tyre. –“Po mirë, – m’u drejtua mua, – a keni ju të dhëna të mjaftueshme informative, që vërtetojnë se njësi dhe reparte të ushtrisë serbe do të mësyjnë me forca të organizuara në hapësirat tokësore të Shqipërisë së Veriut?”.
– “Deri tani, për një mësymje të tillë nuk mendohet, por do të vazhdojnë të bombardojnë me artileri dhe të shkelin territorin tonë me grupe zbulimi dhe nënreparte të trupave komando. Por, se si do të evoluojë situata ditët në vazhdim, nuk mund të gjykojmë plotësisht që tani.
Fakti është se ne jemi përballë një ndërhyrjeje me trupa ushtarake në kufijtë dhe territorin verior të vendit”- iu përgjigja pyetjes së Tij. Ambasadori më ndiqte në sy dhe përpiqej të kapte ndonjë fjalë të veçantë, mbasi ai nuk dinte fare turqisht.
Në këtë kohë, Kryeministri Bülent Ecevit shtypi butonin e kuq të linjës telefonike që kishte përpara dhe në anën tjetër i’u përgjigj Komandanti i Forcave të Armatosura dhe Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral armate, Husejin Kevrekoglu. Kryeministri Bülent Ecevit komunikonte me gjeneralin si me një bashkëpunëtor dhe me shumë edukatë.
Mbasi mbaroi bisedën me komandantin, Ai me qetësinë që e karakterizonte, m’u drejtua: “Zoti Atashe, nesër në orën 09.30 të presin në Shtatmadhori, mbasi për plotësimin e kërkesave tuaja do të bëhet një mbledhje urgjente”.
E falënderuam me përzemërsi Kryeministrin turk për pritjen dhe angazhimin serioz të Tij dhe zbritëm shkallët. Gazetarët ishin informuar për takimin tonë dhe menjëherë filluan të na filmonin dhe pyesnin se cili ishte qëllimi i këtij takimi me Kryeministrin Bülent Ecevit në ditët e Bajramit.
Ata m’u drejtuan veçanërisht mua, mbasi u tërhoqi vëmendje prezenca e një atasheu të huaj ushtarak, i cili në takimin me Kryeministrin ishte i veshur me uniformën përkatëse. Duke ecur ngadalë iu përgjigja gazetarëve se “ne erdhëm për të uruar Kryeministrin për festën e Bajramit si dhe shkëmbyem disa mendime për zhvillimet e ditëve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë”.
Po kryeministri turk do të bënte ndonjë deklatarë nga ana e tij?
Në fakt atë natë kanalet televizive të Turqisë dhanë takimin tonë me Kryeministrin Ecevit si dhe deklaratën që Ai bëri para gazetarëve, në mbrojtje të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë. Bülent Ecevit, me atë qetësinë e tij natyrale dhe karakteristike, nënvizoi se “Shteti dhe Forcat e Armatosura të Turqisë janë në krah të popullit vëlla shqiptar dhe nuk do të lejojnë askënd të prekë kufijtë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.
Në rast nevoje, vazhdoi Ai, Turqia do të mbrojë së bashku me Shqipërinë sovranitetin dhe pavarësinë e popullit mik dhe vëlla të Shqipërisë”. Kjo ishte një deklaratë, e cila u bë në kohën, vendin dhe formën e duhur. Ajo u transmetua në të gjitha agjencitë e lajmeve të botës dhe u botua në shtypin kryesor të shumë vendeve…
Jemi ende në rrafshin diplomatik, po në aspektin ushtarak…?
Të nesërmen, në orën 09.30 mbërrita në Shtatmadhorinë e Forcave të Armatosura të Turqisë, një godinë madhështore në qendër të Ankarasë. Kur u drejtova për në sallonin e mbledhjeve pashë njëri mbas tjetrit gjeneralët, të cilët ishin në funksionet e drejtuesve të Drejtorisë së Operacioneve, Logjistikës, Zbulimit,…etj. Njëri prej gjeneralëve, mbasi më përshëndeti, me buzën gjysmagaz, m’u drejtua duke më thënë: “Kolonel Hajro, mirë ditët e zakonshme nuk na le rehat ditë e natë, por edhe ditët e Bajramit na e bëre këtë?!”. Duke qeshur edhe unë iu përgjigja: “Zoti gjeneral, miku i mirë njihet në ditë të vështira”.
“-Ashtu është, keni plotësisht të drejtë! – tha ai. Së bashku u futëm në sallën e mbledhjeve. Përveç ushtarakëve të lartë të Shtatmadhorisë, në mbledhje kishte ardhur edhe përfaqësuesi Ministrisë së Punëve të Jashtme, Drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Vendet e Ballkanit, H. Taner Seben. Pa e zgjatur, unë u dorëzova në turqisht listën e mbështetjes, që kërkonte Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. Mbasi studiuan listat, ato i shpërndanë sipas drejtorive përkatëse.
Por, përpara shpërndarjes së tyre i’u referuan edhe njëherë detyrave që kishte vendosur Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral armate, Hyseyin Kivrikoglu nga takimi që Ai realizoi me datën 3 mars 1999 me Kryeministrin shqiptar Pandeli Majko, kohë në të cilën nuk kishin filluar akoma bombardimet e NATO-s në Kosovë.
Kryeministri Pandeli Majko, me ftesë të Kryeministrit Bülent Ecevit, vizitoi Ankaranë më datat 2-3 mars, me objektiv kryesor krizën në Kosovë. Kryeministri Bülent Ecevit, në përfundim të takimeve me Z. Majko, nënvizoi se: “Në të gjitha njësitë që janë krijuar, qoftë për sigurinë e jashtme, qoftë për sigurinë e brendshme dhe qetësinë e Shqipërisë, Turqia ka një pjesëmarrje të madhe. Në të njëjtën kohë vazhdon zgjerimi edhe i bashkëpunimit tonë në fushën e ekonomisë”. Gjithashtu ai shtoi se “në takim një vend të rëndësishëm zuri çështja e Kosovës…” “Atëherë, zoti Atashe – m’u drejtua Drejtori i Përgjithshëm i Logjistikës, – ne sonte do të hapim rezervat e Armatës në Ankara dhe nesër në mëngjes do të nisen avionët e parë të transportit ushtarak me pajisjet përkatëse, për t’i zbarkuar në aeroportet e Shqipërisë”. Duke më dhënë dorën, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë, shtoi; “miku i mirë njihet në ditë të vështira apo jo, zoti kolonel?”. Dhe ashtu ndodhi.
Si do të vazhdonin operacionet në përballimin e krizës:
Në agimin e të nesërmes, nga aeroporti ushtarak i Ankarasë, u nisën drejt Shqipërisë avionët e transportit ushtarak. Në atë kohë për në kufirin verior të Shqipërisë udhëtonte Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, mbasi Shtabi i Përgjithshëm, me në krye gjeneral Aleks Andonin, në rajonin e Kukësit dhe Tropojës kishin dislokuar mbi 60 % të ushtrisë, përfshirë edhe Brigadën e Tankeve nga Tirana.
Ata kishin planëzuar përballimin e kërcënimit ushtarak serb, që në brezin e kufirit. Stërvitja “Drini i Bardhë”, që u zhvillua ato ditë në këto rajone, ishte kurorëzimi i kësaj gatishmërie dhe mesazhi që iu dha ushtrisë Serbe për t’u tërhequr nga kufijtë tanë si dhe nga gjenocidi i egër, që kryente ndaj vëllezërve tanë në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës morën mesazhin se Shqipëria dhe Forcat e Armatosura të saj po u afroheshin çdo ditë e më afër atyre…
Ushtarakët tanë, nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm, gjatë Operacioneve ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës menaxhuan në mënyrë të shkëlqyer operacionet e evakuimit të popullsisë shqiptare. Ata bënë sakrifica sublime për këtë qëllim. Kështu, Kolonel Mehmet Musai, zëvëndës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u angazhua në përballimin e krizës së Kosovës.
Mbas disa ditësh e kërkova në celular zv/shefin e Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Musain, por ai m’u përgjigj nga Kukësi e jo nga Tirana. – “Zoti Hajro, – m’u përgjigj. – unë, me një grup të Shtabit të Përgjithshëm, po organizojmë evakuimin e popullsisë civile, që kanë ardhur në Kukës dhe Tropojë nga gjenocidi çnjerëzor serb. Situata është shumë e rëndë, por….”.
Më vonë mësova se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë tonë kishte organizuar dhe realizuar evakuimin e mbi 500. 000 shqiptarëve të Kosovës në qytetet e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore. Dhe pa asnjë aksident.
GARANCIA
Dëshmia e kolonelit
Kolonel Harro Limaj thotë: – “Turqia, nga Lindja e Mesme, i kishte dalë garant Shqipërisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe pavarësisë së saj nga një sulm i mundshëm ushtarak i Serbisë.
Ishte i vetmi vend, që në atë kohë debatesh dhe diskutimesh, për ndërhyrjen ose mos ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë, garantoi Shqipërinë se do ta mbështeste direkt me forca ushtarake dhe armatime, për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe shmangien e gjenocidit serb në Kosovë.
Turqia, si një “tigër” gjigant mbi hapësirat e Anadollit, i kishte kthyer sytë dhe veshët plotësisht nga Shqipëria dhe Kosova.
Atë e “furnizonte me ushqim të freskët dhe e mbante në gatishmëri e gjithë media e vendit”. Pra, problemi ishte shumë delikat.
Nëse NATO nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë, për të ndaluar gjenocidin ndaj popullsisë autoktone shqiptare, Shqipëria do të hynte në luftë në mbrojtje të Kosovës, duke i hapur luftë Serbisë. I vetmi vend aleat, që iu përgjigj pozitivisht Kryeministrit Majko për ta mbështetur në një luftë të tillë dhe të drejtë, ishte vetëm Turqia, qëndrim të cilin më vonë e mbajtën edhe shtetet kryesore të NATO-s.
Mbështetja do të ishte tepër e fuqishme. Por ato ditë, edhe pse kishte filluar kthesa e madhe historike, me fillimin e bombardimeve të NATO-s në hapësirat e ish Jugosllavisë, sovraniteti dhe integriteti i Shqipërisë mund të dhunoheshin në çdo moment.
Më 24 mars 1999, Aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, NATO, e nisur nga ideja humane për shpëtimin e popullit të Kosovës, kur këtij i kanosej gjenocidi dhe zhbërja fizike, kishte filluar sulmet ajrore kundër forcave serbe në Kosovë.
Por kjo nuk shënonte aspak dorëzimin dhe tërheqjen e menjëhershme të serbëve nga Kosova. Lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare, që shkurtimisht u emërtua UÇK, bëri që Aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë dhe mbas 2 muajsh e gjysmë ta dëbojë ushtrinë e Milosheviçit nga territoret e Kosovës”.(Dita)