Ditën e sotme në Shqipëri janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin total të të prekurve në 89.
Informacionin e mësipërm e konfirmoi Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fiço.
“Tre raste kanë lënë aktualisht spitalin, por është rritur numri i rasteve në spital. Pas daljes nga spitali, tre pacientët duhet të qëndrojnë në karantinë 14 ditë. 804 raste të dyshuara dhe prej tyre 89 raste me Covid-19. Mosha mesatare e rasteve është 45 vjeç”, sqaroi Fiço.
Deri më tani në vendin tonë, nga përhapja e pandemisë së koronavirusit kanë humbur jetën dy persona, një grua 73-vjeçare nga Durrësi dhe një 66-vjeçar nga Lushnja.
Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë herë pas here iu bën këto thirrje qytetarëve shqiptarë:
“Duhet të respektoni masat e distancimit social dhe rregullat e higjenës.
Të qëndroni në shtëpi, për të ndihmuar veten, të afërmit tuaj që të mos preken nga COVID-19 dhe stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë.
Mos shkoni menjëherë në spital!
Për informacion dhe këshilla në lidhje me COVID-19 mund të kontaktoni në linjën e re 0800 40 40. Por nëse keni shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefononi numrin unik të Urgjencës Kombëtare? 127!”