Presidenti i SHBA, Donald Trump vijon me akuzat e tij ndaj Kinës, lidhur me përhapjen e koronavirusit.
Trump ka deklaruar së fundmi se ka prova që COVID-19 ka ardhur nga një laborator në Kinë dhe se nuk është përhapur vetë gjenetikisht.
Presidenti shprehet se nuk mund t’i publikojë provat tani pasi nuk i lejohet. Ai thotë se OBSH-së duhet t’i vijë turp pasi është sjellë më shumë si Instituti i Shëndetit të Kinës.
Investigimi i Inteligjencës së SHBA vijon për të gjetur se nga ka ardhur ekzaktësisht koronavirusi. Ndërkohë që Kina e mohon kategorikisht që virusi të jetë prodhuar në laborator nga ata.
Kujtojmë se koronavirusi shpërtheu fillimisht në Wuhan të Kinës, nga ku më pas u përhap në të gjithë botën. Kina tashmë nuk bën më pjesë as në listën e 10 vendeve më të prekura nga virusi vdekjeprurës, teksa së fundmi edhe Brazili ia ka kaluar me shifra.
Kina numëron deri më tani mbi 82 mijë raste dhe 4,633 viktima. Nga ana tjetër SHBA po i vuan rëndë pasojat e këtij virusi, duke shënuar qindra viktima në ditë.
SHBA është vendi më i prekur nga COVID-19 në botë me pothuajse 1.1 milionë raste infektimi dhe mbi 63 mijë viktima.