Mbi 120 mijë të infektuar/ Si paraqitet situata nga koronavirusi në Turqi

Brenda një kohe shumë të shkurtër, Turqia është bërë një nga 10 vendet më të prekura nga koronavirusi, duke shënuar më shumë se 120 mijë raste infektimi.

Sipas mediave vendase, në 24 orët e fundit në Turqi kanë humbur jetën 93 persona të tjerë, si dhe janë konfirmuar 2,615 raste të reja infektimi.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca ka publikuar në Twitter tabelën ditore me të dhënat e fundit në lidhje me pandeminë në vend.

Sipas këtyre të dhënave, brenda 24 orëve të fundit në Turqi janë shëruar gjithsej 4,846 persona nga koronavirusi. Kështu numri total i personave që kanë mposhtur koronavirusin në Turqi shkon në 48,886.

Autoritetet turke kanë kryer mbi 42 mijë teste ditën e djeshme, teksa numri i përgjithshëm i testeve të  zhvilluara deri më tani e kalon shifrën 1 milionë.

Turqia regjistron numrin e shtatë më të madh të të prekurve nga COVID-19, pas SHBA-ve, Italisë, Spanjë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Francës.

Më shumë se 3,3 milionë njerëz nga e gjithë bota janë prekur nga koronavirusi, ndërsa mbi 234 mijë persona kanë humbur jetën.