Reperi i njohur shqiptar, Mc Kresha ishte i pranishëm mbrëmjen e sotme në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” për të surprizuar një nga personazhet e ftuar, Gramozin, i mbijetuari i masakrës së Suharekës, ku mbetën të vrarë mbi 50 anëtarë të familjes Berisha.
Po ashtu, reperi ndau me publikun një moment të vështirë për të dhe familjen e tij gjatë luftës së Kosovës.
Kresha rrëfeu se kur kishte qenë 13 vjeç, gjatë luftës ishte detyruar të ecte në këmbë nga qyteti i Mitrovicës deri në Pejë, duke vazhduar udhëtimin për në Kukës. Gjatë këtij momenti, Kresha ishte ndarë nga familja, pasi kufiri ishte mbyllur. Familjarët e Kreshës ishin detyruar që të udhëtonin në këmbë për dy javë, mbi 300 kilometra gjatë territorit të Kosovës.
“Kjo historia ime nuk është asgjë përballë historisë së Gramozit, ose atyre që ka kaluar vajza e xhaxhait të nënës sime, të cilët kanë pasur të njëjtin fat. 20 vite nuk është një gjeneratë e plotë, e këto janë plagë të cilat luajnë një rol pas luftës. Pasojat e luftës shfaqen dhe ndikojnë te një popull edhe pas dy dekadash”, tha ai.