Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Lajmin e konfirmoi Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Arritëm marrëveshje për koalicionin qeverisës, pra për krijimin e qeverisë së re. Kosovën e presin plot sfida.

Sfida e parë është gjendja me pandeminë, me të gjitha këto pasoja që ka shkaktuar, sidomos ekonomisë së vendit. Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë, por kemi besim se të gjitha këto sfida që e presin Kosovën do t’i kalojmë bashkë me punë”, tha Haradinaj.