Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po insiston që në Kuvendin e Republikës së Kosovës të amendamentohet Ligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, me një shtesë të posaçme sa i përket pandemisë COVID-19. Megjithatë krerët e ekzekutivit po e shohin si të panevojshme një gjë të tillë, meqë sipas tyre në legjislaturën ekzistuese ka mjaftueshëm mekanizma të cilët rregullojnë fushën e luftimit të ndalimit dhe parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë.
Por çfarë saktësisht thuhet në ligjin ekzistues dhe a ka mekanizma që mund të shqiptojnë gjoba për ata që nuk respektojnë vendimet e qeverisë për parandalimin e pandemisë?
Nga fillimi i pandemisë, ka ekzistuar Ligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe inspektorati kompetent i cili merret me zbatimin e tij. Megjithatë shpërthimi i pandemisë COVID-19 ka bërë që të ketë kërkesa për ndryshimin e tij.
Në Ligjin për luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe pandemive janë të qarta kompetencat dhe mandatet ligjore, duke përfshirë edhe ndëshkimet për personat që nuk i përfillin masat e nxjerra. Por, ajo që deri më tani nuk dihet, është se a ka filluar ekzekutimi i gjobave dhe si është duke u vepruar me pagesat e tyre.
Në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, Inspektorati Sanitar i Kosovës është organi kompetent për mbikëqyrjen e respektimit të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës.
Inspektorati Sanitar i Kosovës i cili funksionon në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë në marrjen e masave për tejkalimin e situatës në rast të epidemive, endemive, pandemive dhe fatkeqësive natyrore.
Ligji i cili përcakton kompetencat e Inspektoratit Sanitar, është në fuqi që nga viti 2008.
Inspektorët e ISK-së kanë për detyrë të kontrollojnë tërë territorin e vendit, të lëshojnë vendimet për izolim të personave të infektuar me koronavirus, të lëshojnë vendimet për lirim nga izolimi, e po ashtu të mbikëqyrin procedurat e varrimit të personave që kanë vdekur si pasojë e pandemisë.
Në bazë të Nenit 44, të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, ISK ka kompetencë të ua ndalojë personave të infektuar veprimtarinë në punë dhe në detyra tjera ku mund të rrezikohet shëndeti i personave tjerë.
Po ashtu ISK ka kompetencë të ndalojë tubimet e njerëzve nëpër shkolla, kinema, lokale e vende tjera publike, derisa të mos kalojë rreziku nga epidemia.
Në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, përcaktohet edhe karantina e izolimi i qytetarëve të zilet dyshohet se janë të infektuar.
Po ashtu, të përcaktuara në këtë Ligj janë edhe kompetencat për ndalimin e qarkullimit në rajonet e infektuara, ndalimi i udhëtimit në vendin ku është përhapur epidemia e ndonjërës nga këto sëmundjet e përcaktuara në Ligj, e ku përfshihen edhe sëmundjet që shkakton SARS.
Se Inspektorati Sanitar i Kosovës ka kompetencat e veta në zbatimi e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, e kanë treguar për Express edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.
Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi, ka thënë se puna e Inspektoratit Sanitar është e bazuar në tri Ligje në fuqi.
“Puna e Inspektorati Sanitar është e bazuar në legjislacionin në fuqi, ku përfshihen ligjet: Ligji për inspektoratin sanitar të Kosovës 22/2003, Ligji nr. 02/l-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, Ligji nr. 05/l-087 për kundërvajtje”, ka thënë Thaçi.
“Lëshimin –nxjerrjen e Vendimeve për izolim për personat që konstatohen se janë të prekur me COVID 19. Lëshimin e Vendimeve për personat fizik në kohën që tejkalojnë fazën e izolimit- shërimit (në momentin që vlerësohen si të shëruar). Mbikëqyrjen e procedurave të varrimit për personat që kanë vdekur nga COVID 19”
Megjithatë, Thaçi ka thënë se kapacitetet e ISK-së janë të vogla, në krahasim me kompetencat dhe fushat e mbikëqyrjes.
“Kapacitetet e Inspektoratit Sanitar të Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë për mbikëqyrje të zbatimit të masave për luftimin e pandemisë janë shumë të vogla, duke u bazuar në kompetencat dhe fushat e mbikëqyrjes të cilat janë shumë të gjera, ku përfshijnë: Inspektime në subjektet afariste hoteliere, operatorëve të biznesit, çerdheve , shkollave , institucioneve arsimore, aeroporteve, pikave kufitare etj”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se numri i përgjithshëm i Inspektorëve Sanitar në nivel lokal (nëpër Komuna) është 45, ndërsa në nivelin qendror AUV ka 14 inspektorë.
Ai deklaroi se ISK po funksionon me planin emergjent, sipas të cilit, kontrollet zhvendosen varësisht nga kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
“Puna e inspektoratit kryhet bazuar në planin e kontrolleve zyrtare, mirëpo tani Inspektorati Sanitar ka kaluar në planin emergjent ku varësisht në bazë të situatës epidemiologjike në vend, Vendimeve të Ministrisë se Shëndetësisë dhe Qeverisë se Kosovës të cilat janë të bazuara nga rekomandimet e IKSHP-së, Inspektorati zhvendos kontrollet sipas masave që kërkohen, deklaroi Thaçi.
I pyetur se si është e rregulluar forma e masës ndëshkimore, Thaçi ka thënë se ajo është e bazuar në Ligjin për kundërvajtje.
“Masat e gjobës për personat juridik dhe ata fizik si shkelës të masave të vendosura bëhen bazuar në Ligji nr. 05/l-087 për kundërvajtje, Neni 56”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka treguar për numrin e inspektimeve dhe gjobave që ka bërë deri më tani ISK, por s’ka dhënë detaje nëse ato edhe janë paguar.
“Statistikat e kontrolleve të inspektoratit dhe masave të marra janë si vijon: Inspektime në subjekte 1382. Shqiptime të gjobave për subjektet afariste 132. Janë lëshuar 3886 vendime për izolim. Janë lëshuar 2003 Vendime për dalje nga izolimi. Janë mbikëqyrë 82 procedura të varrimit për personat që kanë vdekur nga COVID-19”, ka deklaruar Thaçi./Express/