Retrospektivë

Historia epike e Kanalit të Panamasë/ 26 mijë punëtorë të vdekur, miliarda të shpenzuara


               Publikuar në : 12:02 - 21/10/19 A.F

Kanali i Panamasë, është një nga arritjet më të mëdha inxhinierike të shekullit XX. Ai lidh 160 vende, dhe 1.700 porte në mbarë botën. I hapur zyrtarisht më 15 gusht 1914, Kanali i Panamasë, është një rrugë ujore e ndërtuar në Ngushticën e Panamasë.

Kanali është i gjatë 80 km dhe lidh Oqeanin Paqësor me atë Atlantik. Para hapjes së këtij kanali, anijet detyroheshin të rrotulloheshin në gjithë Amerikën e Jugut, duke kapërcyer Kepin Horn, në cepin jugor të kontinentit. Kanali, që përdor një sistem të veçantë kaskadash, për t’i ngritur anijet në lartësinë 27 metra mbi nivelin e detit, ishte projekti më i madh inxhinierik i kohës së tij.

Ideja për të ndërtuar një kanal përmes Panamasë nuk është e re. Në vitin 1513, eksploratori spanjoll Vasko Nunez de Balbao, zbuloi se Ngushtica e Panamasë, ishte në fakt një urë tokësore e hollë që ndante Oqeanin Atlantik dhe Paqësorin. Ky zbulim, nxiti kërkimet për një rrugë natyrore ujore, që të lidhte dy oqeanet.

Pas disa dekadash kërkimesh pa asnjë rezultat, Karli V (perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake), porositi një studim të ri për të zbuluar nëse ishte i mundur ndërtimi i një kanali artificial. Për zhgënjimin e tij, inxhinierët e kohës nuk ishin të bindur nëse kjo mund të realizohej.

Në shekujt që pasuan, vende të ndryshme u përpoqën të realizonin projektin, por nuk pati përpjekje serioze deri në vitet 1880. Në vitin 1881 francezët, të udhëhequr nga Ferdinand dë Leseps, bënë tentativën e parë reale. Me një planifikim të dobët, shumë probleme inxhinierike të pazgjidhura dhe sëmundjet tropikale që bënin kërdinë, mijëra punëtorë gjetën vdekjen.

Plani i Dë Leseps ishte përfundimi i projektit në nivelin e detit, duke eliminuar nevojën për një ngritje artificiale, por gjeografia dhe gjeologjia nuk e mundësonin këtë. Atëherë, ekipi francez mori si ndihmës inxhinierin Gustav Eifel, autorin e kullës së famshme në Paris, që mban edhe sot emrin etj, për të dizenjuar sistemin e bllokimit të detit.

Për shkak të kompleksitetit të projektit, kompania e Dë Leseps falimentoi në vitin 1889, pasi ishte zhytur në 260 milionë dollarë borxhe. Dështimi i kësaj nisme, u përshkrua si një ngjarje skandaloze në Francë. De Leseps, Eifel dhe drejtues të tjerë, u akuzuan për mashtrim dhe keqmenaxhim.

Ata u dënuan nga gjykata, vendim që më vonë u anulua. Dë Leseps vdiq në vitin 1894. Po atë vit, u krijua një kompani e re franceze, që bleu asetet e kompanisë të falimentuar, dhe rinisi punimet për hapjen e kanalit. Por edhe kjo kompani, e braktisi shpejt projektin.

Shtetet e Bashkuara, kishin treguar prej kohësh një interes të madh për një kanal trans-Amerikan, si për arsye ekonomike ashtu edhe ushtarake. Fillimisht, ata mendonin ta hapnin një kanal të tillë në Nikaragua. Por u tërhoqën, pasi u bindën inxhinieri francez Filip Zhan Banua-Varilla, që kishte tentuar më herët, dhe kishte dështuar.

Në fund të viteve 1890, Bunau-Varilla nisi të lobojë tek ligjvënësit amerikanë, për të blerë asetet e kanalit francez të Panamasë. Ai i bindi amerikanët se Nikaragua, kishte vullkane të rrezikshme, çka e bënte Panamanë zgjedhjen më të sigurt. Kongresi autorizoi blerjen e ish-aseteve franceze në vitin 1902, por pati një problem të vogël.

Në atë kohë, Panamaja ishte pjesë e Kolumbisë, një vend që refuzoi të ratifikojë marrëveshjen. Banua-Varilla nuk mori për disa muaj asnjë përgjigje. Por befas panamezët u rebeluan, dhe e fituan pavarësinë e tyre nga Kolumbia. Në vitin 1903 u nënshkrua Traktati Hay-Bunau-Varilla, duke i dhënë Amerikës të drejtën e shfrytëzimit të një zone prej më shumë se 1300 km2, në të cilën do të ndërtonte kanalin.

Sipas traktatit, zona duhej të ishte përjetë një protektorat amerikan. Shtetet e Bashkuara do të investonin rreth 375 milionë dollarë për të ndërtuar kanalin. Projekti përfshinte një pagesë prej 10 milion dollarësh për Panamanë, si një nga kushtet e traktatit të vitit 1903, dhe 40 milionë dollarë për të blerë astet e kompanisë franceze.

Opsioni i kanalit të Nikaraguas, është ende në tryezë. Më shumë se 100 vjet më pas, një kompani kineze ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje prej 40 miliardë dollarësh, për të filluar ndërtimin e saj. Vlerësohet se ndërtimi i Kanalit të Panamasë, i kushtoi jetën më shumë se 25.000 punëtorëve.

Ata u përballën me një terren shumë sfidues, me mot të nxehtë me lagështi, me reshje të shumta shiu, dhe me sëmundje të egra tropikale. Përpjekja e mëhershme e francezëve, shkaktoi vdekjen e rreth 20.000 njerëzve, ndërsa ajo amerikane pak më shumë se 5600.

Shumica e këtyre vdekjeve erdhën nga sëmundjet e etheve të verdha dhe malaries. Në kohën e zbatimit të projektit nga amerikanët, ishin përmirësuar ndjeshëm njohuritë mbi sëmundjet infektive. Kuptimi më i mirë i sistemit të kanalizimeve, përfshirë kullimin e tokave që mbarështonin mushkonjat malarike, e zvogëluan ndjeshëm përhapjen e sëmundjes gjatë projektit.

Çdo vit ky kanal, kalohet nga 13-14 mijë anije. Mesatarisht, kanali kalohet nga 8-10 orë. Ai përdoret më shumë nga anijet amerikane. Më pas vijnë anijet nga Kina, Kili, Japonia, Kolumbia dhe Koreja e Jugut. Për të kaluar kanalin ka një tarifë fikse, që bazohet në madhësinë e anijes dhe vëllimin e ngarkesës. Për anijet e mëdha, tarifa mund të jetë edhe 450 mijë dollarë.

Tarifa më e vogël, është paguar nga Riçard Hallibërton, vetëm 1.36 dollarë, pasi ai e kaloi atë si notar. Sot, kanali grumbullon 1.8 miliardë dollarë të ardhura çdo vit. Kapitenët e anijeve, nuk lejohen të kalojnë vetë kanalin. Përkundrazi, një pilot i kanalit i trajnuar enkas, merr kontrollin e secilës anije, dhe e drejton nëpër kanal.

Në vitin 2010, në kanal kaloi anija e 1 miliontë, që kur u hap për herë të parë në vitin 1914. Në vitin 1999, SHBA-ja hoqi dorë nga kontrolli i Kanalit të Panamasë. Që nga hapja e këtij kanali, ka pasur tensione të mëdha. Panamezët u rebeluan në vitin 1964, pasi u ndaluan të lundronin me flamurin e tyre në zonë. Pas asaj ngjarje, Panamaja ndërpreu përkohësisht marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në.

Në vitin 1977, presidenti amerikan Xhimi Karter dhe gjenerali panamez Omar Torrijos, nënshkruan një traktat, që i transferonte kontrollin e kanalit shtetit të Panamasë në vitin 1999, por i njeh të drejtën Shteteve të Bashkuara të përdorin forcën ushtarake për ta mbrojtur kanalin në rastin e çdo lloj kërcënimi ndaj neutralitetit të tij.

Pavarësisht suksesit, Kanali i Panamasë nuk ka mundur të mundësojë lundrimin e anijeve të mëdha moderne. Ndaj në vitin 2007, nisi puna për zgjerimin e tij, proces që përfundoi në  qershorin e vitit 2016. Kanali i ri I, është në gjendje të lejojë kalimin e anijeve më të mëdha, që mbajnë deri në 14.000 kontejnerë gati 7 metra të gjatë, pra 3 herë më shumë sesa kapaciteti fillestar./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT