Kuvendi është mbledhur për të diskutuar ashpërsimin e masave në kuadër të Covid-19, por që ka hasur në kundërshtitë e opozitës. Deputetja e opozitës Rudina Hajdari, ka deklaruar se në këtë kohë krize, qeveria duhet të mbështesë familjet në nevojë, biznesin e vogël dhe të mesëm. Sipas saj, ndonëse vendi ka një muaj në izolim, ajo që bie në sy është pabarazia ekonomike e sociale.
“Të rritet mbështetja financiare për ata që janë në vijën e parë të luftës. Një krizë e kësaj natyre, të bën të reflektosh për shumë gjera në jetë. Duam apo s’duam ne, sytë i kthejmë nga udhëheqja, për t’u orientuar në këtë krizë.
Vendi është zhytur në krizë. Rama thotë që ti nuk do jesh kurrë vetëm, por ne jemi më vetëm se kurrë. Një familje, bijtë e tyre janë jashtë për të punuar në punë sezonale, thotë se ata janë në mes të katër rrugëve.
Edhe ato familje që kanë një dyqan në lagje, duhet të paguajnë të gjitha taksat. Ata janë braktisur nga qeveria. Po ashtu edhe kreditë nuk po shtyhen, se bankat nuk duan t’ja dinë se çfarë po thotë Rama.
Ka dhjetëra dhe mijëra familje që sot ndodhen në nevojë, dhe nuk kanë mundësi të ushqehen dhe u kanë hequr edhe dritat.
Asgjë nuk i kushton qeverisë që të zeronte faturën e energjisë elektrike për familjet në nevojë. Nuk duan t’ja dinë, se janë në një realitet ndryshe. Qytetarët sot ndihen më shumë vetëm. Nëse do të kishin një realitet ndryshe, sot duhet të ishte shpërndarë një çek për çdo qytetar mbi 18 vjeç, ashtu siç bëhet në Kosovë dhe Maqedoni e Veriut. Një ndihmë e madhe duhet t’i jepet biznesit të vogël dhe atij të mesëm, u shpreh Hajdari.