Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës që mbajti në seancën plenare të Kuvendit, publikoi numrin e të infektuarve në total në Shqipëri, që ka shkuar në 518.
Manastirliu tha se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 24 raste të reja, duke e çuar numrin total të të prekurve në 518.
Po kështu, ministrja shtoi se numri i të shëruarve sa vjen e shtohet. Në dy spitalet Covid në vend, vetëm 14% e kapacitetit janë të zënë.
“Sot rezultojnë të infektuar 518 persona në total. Në 24 orët e fundit janë shënuar 24 raste të reja. Sot Shqipëria ka mbi 4500 testime. Mbi 800 testime janë kryer për personelin mjekësor dhe fatmirësisht më pak se 9% e personelit mjekësor kanë rezultuar pozitiv. Aktualisht kemi vetëm 14 % të kapaciteteve të spitalit të zënë.
Nuk kemi pasur asnjë mungesë në terapitë apo në mjetet e nevojshme. Lajmi i mirë është që numri i të shëruarve sa vjen e shtohet. Në dy spitalet Covid në vend vetëm 14% e kapacitetit janë të zënë, kemi aktualisht 12 pacientë në terapi intensive dhe 4 në intubim.
Nuk kemi asnjë mungesë në mjekim dhe logjistikë, ndërkohë që vazhdojmë punën me intensitet në terren. Në 40 ditë kemi sheshuar kurbën, kemi gjurmuar rastet dhe kemi trajtuar çdo rast. Puna në terren nuk po ndalet”, tha Manastirliu.