Zgjedhjet e 25 prillit sollën mjaft të papritura. Personi i parë që u godit ishte presidenti Ilir Meta, teksa rrezikon të shkarkohet shumë shpejt. Personi i dytë i sulmuar është ish-kryeministri Sali Berisha. Ai u shpall “non grata” nga amerikanët. Gramoz Ruçi, ndër të paktit politikanë jetëgjatë në sferën parlamentare shqiptare, ndryshe nga dy personazhet e sipërpërmendur dha dorëheqjen. Në Kongresin e PS-së, i cili u mbajt në 30-vjetorin e themelimit të kësaj partie, Gramoz Ruçi deklaroi se në shtator do të tërhiqet përfundimisht nga politika. Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari, i ftuar në “Breaking” në “Top News” tha se Ruçi u tërhoq në kulmin e tij politik, siç e ka lënë futbollin Panajot Pano si fitues në fushë.
“Largimi i Ruçit më gëzoi, pasi një zyrtar i lartë u tërhoq në kulmin e tij politik, siç e ka lënë futbollin si Panajot Pano në fushë. Gjest emancipues i një politikani i cili u largua vetë nga politika, edhe pse ishte fitues i këtyre zgjedhjeve. Rekordin Guiness e thyen Shqipëria ku ka njerëz që kanë 30 vite në politikë, dhe rrinë akoma aty”, u shpreh Hajdari.
Referuar punës së SPAK dhe ndëshkimit të “peshqve të mëdhenj”, Hajdari pohoi se ky institucion është i destinuar të shkojë drejt suksesit. “SPAK tashmë është bërë një organ profesional dhe kushtetues, duke hetuar me objektivitet. Tashmë që SPAK ka vendosur dosjen e bashkëpunimit, ka dalë rezultati siç është grupi Habilaj dhe vendimi për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. SPAK është i destinuar të ketë sukses, ne do kemi tashmë rezultate konkrete me ndëshkimin e “peshqve të mëdhenj”, etj”.