Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e presidentit Hashim Thaçi

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pezulluar dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për emërimin e Avdulla Hotit si kryeministër.

Sipas vendimit, bëhet me dije se votimi i qeverisë së re nuk mund të bëhet para datës 29 maj.

“I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi; II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi; Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar”, thuhet në vendim.

Një ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një konference për mediat tha se dekretoi Avdullah Hotin, kryeministër të Kosovës.