Putin ‘futet’ në Kosovë, dy shoferët serbë alarmojnë autoritetet

Dy shoferë serbë kanë alarmuar autoritetet në Kosovë, pasi në maunet e tyre kishin të stampuar një fotografi të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të një shkrimtari.

Dy shoferë të automjeteve me targa të Serbisë, të cilët janë vërejtur duke ecur nëpër rrugët e Pejës, me fotografi të presidentit rus Vladimir Putin dhe shkrimtarit nacionalist serb Vuk Karaxhic, janë shoqëruar nga Policia e Kosovës. Më tej ata janë marrë në pyetje.

Mediat në Kosovë raportojnë se shoferët e dy kamionëve që kanë bërë këtë veprim, janë serbë etnikë. Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Pejës, ka bërë me dije lajmin për ‘Telegrafin’.

“Pasdite policia ka ndaluar dy mauna, në njërën ka qenë e vendosur fotografia e presidentit rus, Vladimir Putin, ndërsa në tjetrën një fotografi e shkrimtarit serb, Vuk Karaxhiq. Të dy vozitësit janë shoqëruar në stacionin policor në Pejë, ku edhe janë duke u intervistu. Lidhur me rastin është njoftu edhe prokurori i shtetit. Maunet janë me targa të Novi Sadit”, tha Fadil Gashi. Qytetarët e kanë cilësuar si provokim.