Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm ka shkaktuar një kaos sot në jashtë Kuvendit, por edhe brenda tij. Madje, duhet thënë se situata ka qenë më e tensionuar brenda në Kuvend, mes deputetëve të opozitës dhe kabinetit Rama.
Tymueset kanë pushtuar Kuvendin, protestuesit janë përplasur me forcat e policisë, deputetja Kërpaçi është lënduar në dorë, ndërsa disa deputetë janë përplasur me forcat e Gardës.
Por, çfarë ka ndodhur sot gjatë gjithë ditës, minutë pas minute jashtë dhe brenda Kuvendit?
Ora 08:00 – Fillimisht, mëngjesin e sotëm qindra qytetarë janë nisur nga rrethet për t’iu bashkuar protestës së opozitës. Kështu, drejt Tiranës janë nisur me autobusë dhe mjete private mbështetës të opozitës nga Fieri, Vlora, Korça, Lezha, Dibra etj.
“News 24” bën me dije se Dibra raportohet të jetë qyteti nga i cili janë nisur më shumë protestues, rreth 1500, ndërkohë që nga Shkodra janë nisur rreth 1000 persona.Të pyetur nga gazetarët, qytetarët janë shprehur se protestojnë jo vetëm kundër zgjedhjes dhe kapjes së prokurorit nga qeveria, por edhe kundër qeverisjes së kryeministrit Rama.Ora 08:40 – Basha mbërrin në selinë e PD
Kryedemokrati Lulzim Basha ka hyrë në selinë e PD-së, ku është zhvilluar një mbledhje e shkurtër me grupin parlamentar, para se t’i bashkohej protestuesve.
Ora 09:30 – Përgatitjet e policisë
Policia ka rrethuar parlamentin, duke bërë një kordon të pakalueshëm. Nga fotot e siguruara, shihet që policët e rreshtit të parë janë të pajisur me kamera, të cilat kanë shërbyer për të filmuar cdo veprim të protestuesve, por jo vetëm.Ora 09: 45 – Basha i drejtohet Kuvendit
Pas përfundimit të mbledhjes me grupin e PD-së, të cilëve kryedemokrati u ka dhënë direktivat e fundit, Basha dhe deputetët i janë drejtuar Kuvendit. Ndërsa ka kaluar përpara protestueseve, Basha i ka përshëndetur ata me simbolin e demokracisë, duke ngritur dy gishtat.
Ora 09:52 – Kryemadhi mbërrin në Kuvend, mesazh Ramës
Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka mbërritur pak minuta pas Bashës në Kuvend, ndërsa ka dhënë edhe një prononcim për mediet, teksa tha:
“Ne do të bëjmë detyrën si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Votat ata i kanë, nëse duan ta rrëmbejnë le ta rrëmbejnë, por shqiptarët nuk i rrëmbejnë dot. Është e kotë të flasësh për Ramën, ai nuk ka logjikë sepse po shkel Kushtetutën”, përfundoi Kryemadhi.
Ora 09:53 – Policia me qen anti-eksploziv
Polica ka nisur kontrollet rreth Parlamentit me qen anti-eksploziv, ndërsa forca të shumta të Policisë, Shqiponjat dhe forcat e Kriminalistikës kanë rrethuar Kuvendin, për të mos lejuar asnjë protestues të shkaktojë incidente.
10:10 – Brenda Kuvendit
Me tone të forta e me mesazh të prerë, kryedemokrati Lulzim Basha mori fjalën në foltoren e Kuvendit, nga ku i bëri thirrje Edi Ramës të tërhiqet nga plani për uzurpimin e kryeprokurorit, duke e paralajmëruar që të tërhiqet ose ndryshe të përballet me pasojat.
“Sot është një ndër ditët më dramatike për këtë kuvend, më të rëndat për demokracinë 27 vjecare, më të vështira për qytetarët shqiptarë, që duan respekt të ligjit dhe kushtetutës. Të marrë pushtet që nuk i takon, e ka të ndaluar ta prekë, t’i afrohet, kjo është seancë antikushtetuese. Sot në mënyrë tinzare, po bëheni gati për grusht shteti, prek shekujsh perëndimi BE, SHBA, e kanë sanksionuar qartë ndarjen e pushteteve si themeli i demokracisë”, tha Basha.
Sipas tij, kjo është arsyeja se pse kushtetuta dhe reforma ia ndalon shprehimisht emërimin e prokurorit të përgjithshëm.
“Hiqni duart nga pushteti i drejtësisë, jeni paralajmëruar të mos pengoni hetimet për Tahirin, Dakon, Sejdinin, dosjet e ministrave, koncesionet, por ju jeni të vendosur të shkelni kushtetutën për të mbrojtur veten tuaj, pushtetin dhe pasuritë tuaja. Ky është çasti i fundit ku në emër të kushtetutës ju ftoj të tërhiqeni, urdhri i popullit binduni atij ose përballuni me pasojat”, tha ai.
10:15 – Pas Bashës, flet Balla
Në Kuvend në çdo karrige ishte vendosur nga një bluzë me luledielli, në kuadër të fushatës “Ti je një lule dielli”, që drejtohet nga moderatorja Albana Osmani, e cila u vjen në ndihmë fëmijëve të sëmurë.
“Sot në ditën e fundit të kuvendit për këtë sesion kemi vendosur të bëhemi bashkë për të mbështetur këtë iniciativë të shoqërisë civile “Ti je një luledielli”, për të kontribuar për fëmijët me leucemi. Të bëhemi të gjithë bashkë për blerjen e një aparature për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje në spitalin universitar të Kosovës”, tha deputeti i PS-së Taulant Balla.
10:20 – Shënohet incidenti i parë në Kuvend, Garda shtyn Sali Berishën
Pas fjalës së Ballës, është shënuar incidenti i parë, teksa Berisha i është drejtuar foltores së Kuvendit, për të marrë fjalën, gjë që ka sjellë ndërhyrjen e forcave të Gardës. Kështu, deputetë të PD-së, ndër të cilët edhe Flamur Noka, janë përplasur me Gardën, ndërsa kjo e fundit ka shtyrë në një moment Berishën.
10:23 – Ndërpritet seanca parlamentare
Pas incidentit me Berishën, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka ndërprerë seancën parlamentare.
Ora 10:25 – Deputetët e PD-së u bashkohen qytetarëve
Një grup deputetësh të PD-së i janë bashkuar grupit të protestuesve. Në foto shihet Paloka, Alibeaj dhe disa të tjerë.
Rinis seanca, flet Berisha
Menjëherë pas incidentit ka rinisur seanca parlamentare, ku ka marrë fjalën Berisha, i cili bën fajtor për situatën e krijuar kryeministrin Rama.
“Kryehorri, pis pisi, që do sot të bëhet kryeprokuror, fut Gardën në një akt të pashembullt për të ndërprerë të drejtë e fjalës që e mora në përputhje me procedurën, ky horr shpall luftë në parlament dhe të jetë i bindur që do i qëndrojmë pikë për pikë kushtetutës. Kryepisi, kryehorrit të vendit që kërkon sot të bëhet kryeprokuror”, tha Berisha.
Ora 10:37 – Deputetet e PD, fjalime para protestuesve
Ndërkohë që brenda Kuvendit vijon beteja politike e opozitës, jashtë sallës, deputetet demokratë kanë nisur fjalimet para protestuesve. Mes protestuesve duken parulla te shumta te opozitës, si këto me poshtë, me fotot ironizuese të PD-së për kryeprokurorin.
Basha dhe Kryemadhi kërkojnë të hiqet nga rendi i ditës cështja e kryeprokurorit
Basha ka marrë fjalën, ku kërkuar që të hiqet nga cështja e ditës cështja e kryeprokurorit.
Më pas ka marrë fjalën në foltore kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit të ndërpresë seancën dhe të heqë nga rendi i ditës çështjen e kryeprokurorit.
“Ndërprit seancën për rendin e ditës. Hilacakët më të mëdhenj jeni ju, por kjo punë ka marrë fund, nuk ka për të vazhduar kjo histori, nëse doni një prokuror të mbulojë zullumet tuaja, pisllëqet që keni bërë kjo gjë ka marrë fund, nuk ka as prokuror të përkohshëm, as të përgjithshëm, as shqiptar e as ndërkombëtar të mbulojë pastrimin e parave të drogës që po helmojnë shqiptarët. Edhe këtij i duket normale përdorimi i kokainës, ik dhe mos u kthe të shpëtojnë shqiptarët, por të shpëtojë edhe familja jote prej teje”, tha Kryemadhi.
10:44 – Ndërpritet sërish seanca, opozita pushton foltoren. Ruçi-Gardës: tërhiquni!
Deputetë të opozitës nga PD, por edhe nga LSI-ja kanë zbritur në foltoren e Kuvendit, ku menjëherë kanë ndërhyrë forcat e Gardës.
Kështu, këta të fundit janë përplasur me deputetët, ndërsa Gramoz Ruçi ka urdhëruar forcat e Gardës që të tërhiqen nga foltorja.
Por ata nuk kanë luajtur vendit, për shkak se deputetët e opozitës pushtuan foltoren, gjë që më pas ka sjellë sërish vendimin e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi për të ndërprerë seancën.
11:00 – Kryemadhi u bashkohet protestuesve: Rama frikacak, na ndihmoni!
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë nga Kuvendi për t’iu bashkuar protestuesve para parlamentit, ku ka folur para tyre. Kryemadhi e quajti Ramën një frikacak, ndërsa kërkoi ndihmën e protestuesve që të mos lejojnë “karriget e blera që të dhunojnë Shqipërinë”.
Nga ana tjetër, Luan Rama u ka kërkuar kandidatëve për prokurorë që të tërhiqen nga kandidimi.
“Rama është një frikacak, ka frikë nga e vërteta. Rama vdes nga frika e një popullit trim të fortë! Sot ai parlament më shumë se asnjëherë tjetër tregon që është parlamenti i drogës, i Habilajve, që helmojnë më shumë e çdo ditë fëmijët tanë. Tregon që është peng i një krimi të organizuar! Sot ai parlament tregon edhe njëherë që tradhtia që ata i bëjnë policisë, shtetit, shqiptarëve nuk ka më limit!
Ai parlament tregon se atyre nuk iu dhimbsen më shqiptarët. Ju thirrëm për të na dhënë zemër e forcë ën atë sallë, por ne sot do të jemi me ju këtu. Kërkojmë nga ju mos t’i lejojmë ato karrige të dhunojnë Shqipërinë!”, tha ndër të tjera Kryemadhi.
11:05 – Protestuesit përplasen me policinë, tentojnë të hyjnë në Kuvend
Rreth orës 11:00 kanë nisur përplasjet e para të protestuesve me forcat e Policisë. Ashtu siç ishte paralajmëruar, protestuesit kanë tentuar të hyjnë në parlament. Pas fjalës së Kryemadhit dhe Luan Ramës, protestuesit janë përplasur me Gardën që ndodhej jashtë parlamentit, ndërsa i kanë shtyrë këta të fundit në përpjekje për të hyrë brenda Kuvendit për të mos lejuar votimin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.
Krahas kësaj janë hedhur tymuese, edhe në drejtim të Kuvendit, ndërsa një zonjë dhe një zotëri janë lënduar.
Një polic i forcave “Shqiponja”, është goditur në kokë, ndërsa ka arritur ambulanca për t’u ardhur në ndihmë. Më vonë, ministri Xhafaj e vizitoi atë në spital.
11:16 – Gjakoset deputetja e LSI, Floida Kërpaçi
Deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi është gjakosur, pasi është dhunuar nga policia teksa tentonte t’i jepte ndihmë një zonje në momentin e tensionimit mes policisë dhe protestuesve.
Kërpaçi foli para mediave, duke treguar lëndimin që kishte pësuar në dorë, ndërsa akuzoi policinë se ajo “nuk është policia e shtetit, por policia e krimit”.
“U afrova pranë një zonje për ta ndihmuar, por ja si më lëndoi policia e krimit. Kjo nuk është policia e shtetit, por policia e krimit. Turp!”, tha ndër të tjera Kërpaçi.
11:26 – Ulsi Manja del në deklaratë për media, ndërhyn Kryemadhi
E ndërsa kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja po bënte një deklaratë për media, jashtë sallës së Kuvendit, teksa e cilësoi të paprecedentë reagimin e sotëm të opozitës, ka ndërhyrë në fjalën e tij kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
“Sot për herë të parë kemi të bëjmë me një prokuror që e mbaroi mandatin në afat normal pa qenë i konfrontuar me shumicën, hera e parë që kjo opozitë dhe Berisha nuk kanë mundësi të zgjedhur prokurorin e ri”, tha Manja.
E gjendur aty pranë, ka ndërhyrë menjëherë Kryemadhi me akuza të forta. “Ulsi nuk zgjidhet kryeprokurori me trafikantët dhe kriminelët që kanë zënë karriget me paratë e drogës, policia po rreh njerëzit, po rreh djem e vajza, me shkopa gome, kryekriminelit nuk i dhimbset gjaku i nënave. Ulsi zgjidhu ti Kryeprokuror, ju jeni më keq se Enver hoxha jeni diktatura e drogës dhe e krimit”, tha ajo.
11:30 – Tymuese edhe brenda në Kuvend, Ramën e mbrojnë me çadër
Teksa ka nisur votimi nga opozita për zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm të përgjithshëm, opozita ka tentuar bllokimin e saj me çdo kusht. Edhe brenda në Kuvend janë hedhur tymuese, ndërsa Ruçi nuk e ka ndërprerë seancën, por ka vijuar me votimin e ligjeve. Mësohet se tymueset janë hedhur nga deputetët Noka dhe Salianji.
11:40 – Zgjidhet Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku
Arta Marku zgjidhet Prokurore e Përgjithshme e përkohshme.
Me 69 vota pro dy kundër dhe dy abstenim, deputetet e mazhorancës votuan Arta Markun në detyrën e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme. Seanca plenare është zhvilluar në një situatë të tensionuar si brenda edhe jashtë sallës së Kuvendit.
Deputetët e opozitës kanë hedhur brenda në sallë tymues, duke krijuar një situatë kaotike. Megjithatë kjo nuk e ka penguar kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi që të vijojë me votimin e projektligjeve. Ndërsa më pas në Kuvend ka mbërritur Marku, e cila është betuar dhe është larguar me shpejtësi nga Kuvendi.
12:04 – Deputeti socialist i tregon forcën Kejdi Mehmetajt
Edhe pse në prani të kamerave, duket se situata e tensionuar brenda në Kuvend ka kaluar çdo limit. Kështu, edhe pse supozohet që deputetët të votojnë dhe mbrojnë çdo ligj kundër dhunës, sidomos ndaj femrave, sot është dëshmuar se kjo ndodh vetëm teorikisht.
Fatkeqësisht, deputeti socialist Bujar Çela ka treguar forcën me një deputete femër, pikërisht me deputeten e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, të cilën e ka shtyrë me forcë, siç duket në foto.
12:05- Basha del kokulur nga Kuvendi, flet për vijimin e protestës
Pas votimit të zgjedhjes së Arta Markut kryeprokurore e përkohshme dhe pas mbylljes së seancës, kryedemokrati Basha në një dalje për media është shprehur se protesta do të vijojë jashtë godinës së Kuvendit.
“Ky është reagimi i qytetarëve kur shkelet kushtetua, kur kapet drejtësi, ky është reagimi i qytetarëve ku kriminelët marrin peng prokurorinë për të mbyllur dosje. Opozita ka mbajtur qëndrimin e saj. Opozita do të vijojë këtë rrugë, në krye të qytetarëve për liri dhe demokraci”, tha Basha.
12:09 – Berisha: Rama më bëri pritë. Opozita të djegë mandatet
Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur jashtë Kuvendit, pasi shumica zgjodhi prokuroren e vendit, tregoi për pritën që sipas tij i bëri Rama, si një akt të paprecedentë në Kuvend.
“Kjo opozitë në këtë parlament, e dhunuar në këtë shkallë ekstreme, nuk ka bashkëjetesë dhe i lind e drejta me këtë që bëri sot Edi Rama dhe emërimin e tij si prokurori i Përgjithshëm të marrë çdo vendim për të përmbysur narkoregjimin e Edi Ramës.
Unë e siguroj opozitën se nuk do të vijë kurrë në pushtet nëse nuk e sjellin ata gra dhe burra, për të mbrojtur parlamentin e tyre, Kushtetutën e tyre. Në parlament me banditë, të cilët venë i prita deputetëve, zgjidhja është djegie solemne të mandateve.
Unë po them që në këto kushte, opozita vetëm sa i largohet pushtetit dhe qëllimeve të saj, kur asaj i dhunohen në këtë mënyrë, të drejtat më elementare të saj”.
12:19 – Basha dhe Kryemadhi me protestuesit: Nuk do rrimë duarkryq, ky është vetëm fillimi!
Kreu i partisë Demokratike, Lulzim Basha u është bashkuar protestuesve jashtë parlamentit. Kryedemokrati u premtoi atyre se nuk do rrinë duarkryq, ndërsa shtoi se ajo që ndodhi sot është ajo që ndodh në çdo vend evropian ku shkelet Kushtetuta.
“Ajo që ndodhi sot jashtë parlamentit është ajo që ndodh në çdo vend evropian ku shkelet Kushtetuta. Sot kemi një parlament ilegjitim të dalë nga paratë e drogës, kemi një kryeministër ilegjitim dhe një kryeprokuror ilegjitim. Askush të mos kujtojë se në do rrimë duarkryq dhe do pranojmë pa heshtur pucin kushtetues. Me ne janë qindra mijëra shqiptarë.”
Kryemadhi ka folur pas Bashës, ku u bëri thirrje grave shqiptare që të ngrihen për të drejtat e fëmijëve të tyre:
“Rama tregoi se shkel me këmbë imazhin e grave shqiptare. Tregoi që nuk ka respekt për nënën dhe për gruan shqiptare. Ju bëj thirrje të gjithë nënave të çohen dhe të mbrojnë fëmijët e tyre. Të mbrosh Kushtetutën do të thotë të mbrosh të drejtat e fëmijëve të tu.”
12:38 – Balla akuza opozitës: Berisha doli i pari në protestë, Mona dhe Luli u frikësuan
Menjëherë pas mbylljes së seancës parlamentare deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka dhënë një prononcim për mediat. Ai tha se opozita po bllokon reformën në drejtësi. Më tej ai shtoi se janë dhunuar deputet të Partisë Socialiste nga opozita. Balla tha se do të bëjë kërkesë në Byronë e Kuvendit për të marrë masa për të gjithë ata deputet që kanë ushtruar dhunë.
“E dëgjuat Monikën e kishte hallin tek duart në xhepa se shqetësimin e tyre dimë. Janë bërë bashkë ata që nga 2014, kanë qenë kundër reformës në drejtësi. Na kanë dhënë një mandat, që nuk mund të na hiqet as me tymuese e as me bidona. Nuk mund ta ndaj PD dhe LSI çështjen e procedurës së zgjedhjes së prokurorit të ri. Fakti që Berisha doli i pari në protestë, duket që Mona dhe Luli nuk e bënin dot dhe doli vet dhe sulmoi Gardën e Republikës. Po të ishte sot për PD dhe LSI nuk do të kishim reformë në drejtësi, nuk do të kishte sot një prokuror të ri. Unë jam shpresë plot se institucionet që punojnë nga Kushtetuta dhe Ligj, dhe KLP do të zgjedh Kryeprokurorin e Përgjithshëm”, tha deputeti socialist.
12:49 – Ambasadori Lu, asnjë reagim për situatën kaotike
Dita e sotme ka qenë një nga ditët më të tensionuara të Kuvendit.
Por, duket se Ambasada Amerikane ka një tjetër hall: gjetjen e këngës për Vitin e Ri. Kështu, teksa parlamenti “digjej”, ambasada amerikane në Tiranë shpërndante një video të vjetshme, ku duket ambasadori Lu duke kënduar, ndërsa kërkon ndihmën e qytetarëve për të krijuar një tjetër këngë.“Ju kujtohet kënga jonë e vjetshme “Ja na erdhi Viti i Ri? Po mendojmë për një tjetër këngë dhe duam sygjerimet tuaja. Çfarë kënge duhet të këndojmë këtë vit?”, shkruan ambasada në Facebook.
Ndërkohë, edhe në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë reagim për sa i përket situatës kaotike të sotshme, por vetëm disa sugjerime për shtetasit amerikanë, të cilët i sugjeronte që të shmangnin protestën.
13:46 – Reagon Rama, deklaratë për mediet pas qetësimit të situatës kaotike
Kreu i qeverisë Edi Rama, në një dalje për media është shprehur se protestat që mbajti opozita brenda dhe jashtë Kuvendit, janë një faturë të cilën do ta paguajë Shqipëria, e cila nuk e meriton.
“Dua t’u kërkoj sot ndjesë të gjithë shqiptarëve pa dallim, por edhe partnerëve ndërkombëtarë për shfaqjen e sotme. Shfaqjen e sotme e dha opozita, por faturën e kësaj e merr përsëri e gjithë Shqipëria, e cila është më afër se kurrë çeljes së negociatave me BE-në dhe nuk i meriton as baltën as tymin një opozite që kruhet nga frika e Reformës në Drejtësi.”
Rama tha se kishte bërë sa mundur për ta sjellë opozitën në tryezën e dialogut dhe se nuk ishte zgjedhaj e mazhorancës zgjedhja e kryeprokurores së re në mënyrë të njëanshme.
“Zgjedhja e kryeprokurores ishte një zgjedhje tërësisht legjitim. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm në Shqipëri, presim çeljen e negociatave për anëtarësim, çdo shfaqje si kjo e sotmja është një pikë e humbur.”
14:26 – Basha, deklaratë për mediet. Opozita merr vendimin e madh
Vendimi unamim i opozitës është nisja e një vale protestash popullore, nisja për një protestë të madhe popullore në javën e para të janarit dhe një valë protestash, me parlamentin ilegjitim do të marrim të gjitha vendimet në interes të shqiptarëve.
Pas përplasjeve dhe tensioneve të shumta në Kuvend, teksa shumica votoi prokuroren e re të vendit, e ndërkohë që opozita protestonte jashtë sallës, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilluan një mbledhje të përbashkët të grupeve të tyre parlamentare.
“Pavarësitë prej llomotitjeve dhe çmendurive dhe të Edi Ramës sot, fakte janë të thjeshta. Sot është emëruar një kryeprokuror pa vetting, sot është emëruar nga Rama, i cili sot ka analizuar një puç kushtetues. Rama e ka bërë këtë puç, me një qëllim për të mbyllur dosjen e Samir Tahirit, Vangjush Dakos, Arben Ahmetajt dhe Ilir Beqajt. Vendimi unanim i opozitë është mbajë një vallë protestash për të ndalur çmendurinë e Edi Ramës. Që sot do të punojmë për nisjen e një valle të madhe protestash. Ne do të marrim vendimin më të mirë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Basha.
Pak më parë ish-kryeministri Sali Brisha u bëri thirrje që të mos kishte bojkot të parlamentit, por asgjësim të mandateve, asnjë deputet të mos jetë më i tillë. TIRANA TODAY