I gjithë fokusi mbarë botëror është tek vaksina. Pavarësisht faktit se disa vaksina kanë treguar një rezultat të lartë të mbrojtjes së njeriut, autoritetet shëndetësore ende apelojnë për respektim të masave.
Epidemiologu kryesor në Itali, Andrea Crisanti, ka treguar se kur do të ndihet efekti i vaksinave. Eksperti i cili është drejtor i laboratorit të mikrobiologjisë në Padova, në një intervistë për “Sky TG24”, tregohet i përmbajtur në prag të shpërndarjes së vaksinave. Ai ka thënë se do duhet pak kohë, për të kuptuar se sa ndikim do të ketë vaksina. Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë rezultatet do i shohim në muajin qershor të vitit të ardhshëm.
“Do të duhet pak kohë për të kuptuar sa ndikim do të ketë vaksina. Mendoj se do ta marrim vesh nga qershori, nëse gjithçka shkon mirë. Deri atëherë, problem do të jetë kontrolli i pandemisë. Kjo është sfida jonë, pasi nuk besoj se vaksinimi do të ketë ndikim pa kaluar 6-7 muaj”.
Zyrtarët e lartë të shëndetësisë u thanë amerikanëve të dielën, se duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur për të mbrojtur veten nga koronavirusi, edhe pse vaksinat e para me gjasë do të jenë të disponueshme më vonë këtë muaj.