Qyteti i Napolit ka vendosur masat e reja anti-Covid, ku parashihet mbyllja nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në 05:00 të mëngjesit. Kjo gjë ka revoltuar qytetarët, të cilët kanë shpërthyer në protesta masive.
Vala e dytë e pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19 ka përfshirë botën, e ndërsa Italia është e gjunjëzuar. Shifrat e të infektuarve çdo ditë e më shumë po rriten, duke e bërë të papërballueshme këtë situatë nga sistemi shëndetësor.
Mbrëmjen e djeshme, mijëra të rinj napoletanë kanë dalë në protestë, kundër masave të ndalim-qarkullimit dhe hipotezave për një mbyllje tjetër për shkak të Covid-19. Protesta u thirr në mediat sociale, dhe kështu nga e gjithë qendra e grupeve të të rinjve në Napoli dhe jo vetëm, marshuan drejt Largo San Giovanni Maggiore dhe Universitetit Lindor të Napolit.
Shumica e protestuesve ishin të rinj, kryesisht biznesmenë dhe tregtarë, ndërsa marshuan në rrugë duke djegur dhe shkatërruar qytetin, ku nuk kanë munguar edhe përplasjet e dhunshme.
Mijëra të rinj kanë zbarkuar në rrugët e qytetit, ndërsa janë përleshur me policinë.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit janë shprehur kundër vendimit, ndërsa thanë se: “Nuk po na vret COVID-i, po na vrisni ju!”.
Në veprim janë vënë policia, duke përdorur gaz lotsjellës dhe tymuese, për t’i shpërndarë ata. Mediat e huaja raportojnë se një grup demonstruesish, janë parë duke goditur dhe thyer xhamat e një makine efektivësh.