Kryetari i Partisë Demokratike ka dalë sot në një deklaratë për shtyp, nga ku komentoi dekretin e presidentit Meta, i cili caktoi datën 13 tetor si datë të re zgjedhjesh vendore.
Kreu demokrat u shpreh edhe një herë plot bindje se nuk do të ketë marrëveshje politike me kryeministrin Edi Rama, në asnjë rrethanë dhe asnjë kusht.
Sipas tij, largimi i Ramës nga pushteti është e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën, ndërsa shtoi se ka shkelur çdo ligj të mundshëm.
“Sot Presidenti Meta ka dekretuar një datë të re për zgjedhjet lokale. Dua të ndaj me ju atë që i bëra të ditur Presidentit Meta në takimin e sotëm.
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk merr pjesë në asnjë process zgjedhjesh dhe në asnjë diskutim për zgjedhje, nuk merr pjesë në asnjë diskutim për zgjidhje politike apo për reforma apo për çfarëdo formule pa dalë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin.
Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin është kushti i panegociueshëm që ne t’u kthehemi proceseve politike.
Ne nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht. Në as nuk diskutojmë më me Edi Ramën në asnjë rrethanë.
Tashmë ikja e tij është e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën” u shpreh Basha.
Ndër të tjera, Basha theksoi se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka që është e mundur që data 30 qershor të jetë edhe dita kur regjimi i Edi Ramës do të marrë goditjen fatale.
“30 qershori është dhe do të jetë nul. Ai do i japë goditje pushtetit të Edi Ramës dhe krimit. Ne do të bëjmë cdo gjë që 30 qershori të hyjë në histori si dita fatale e Edi Ramës. Dua t’iu them se ne kemi plagosur për vdekje regjimin e Ramës. Ne kemi treguar se duam liri dhe demokraci. Këtë do të tregojmë edhe më datë 30 qershor”, tha Basha.