Bilanci nga koronavirusi/ Franca shënon një numër më të ulët viktimash sesa Italia

Franca ka shënuar një ulje të ndjeshme sot në numrin e viktimave të shkaktuara nga koronavirusi.

Në 24 orët e fundit, në Francë janë shënuar 389 viktima, 127 më pak se ditën e djeshme ku regjistroi 516 persona të vdekur. Ky bilanc është edhe më i ulët se ai i Italisë për sot, ku u regjistruan 420 viktima.

Një ulje e dukshme shihet edhe në numrin e rasteve të reja, i cili prej 3 ditësh vijon të jetë në rënie. Në 24 orët e fundit janë raportuar vetëm 1,645 raste të reja, ndryshe nga dje ku u regjistruan mbi 2 mijë raste.

Që nga shpërthimi i koronavirusit, Franca ka regjistruar rreth 160 mijë raste infektimi dhe 22,245 viktima. Me këto ritme, Franca pritet t’ia kalojë edhe Spanjës për numrin më të madh të viktimave, e cila regjistron 22,524.

Për momentin Franca renditet si vendi i katërt në botë për numrin më të madh të viktimave dhe për numrin më të madh të të infektuarve, pas SHBA-ve, Italisë dhe Spanjës.

Më shumë se 43 mijë persona janë shëruar nga COVID-19 në Francë, ndërsa numri i rasteve ende aktive është 94,090 persona.

Koronavirusi ka prekur më shumë se 2,8 milionë persona nga e gjithë bota, ndërsa i ka marrë jetën mbi 195 mijë personave.