Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka bërë sot me dije se ka nisur procedurat për të shpallur zgjedhjet vendore në Bashkitë që nuk ka një kryetar. Në një kohë kur Basha nuk ka kursyer as Ilir Metën, duke e bërë pjesë të trekëndëshit të Bermudës, presidenti nuk e ka vonuar “hakmarrjen”. Meta tha se i ka dërguar një letër Komisionerit Zgjedhor, për të marrë informacion mbi Bashkitë që nuk kanë kryetar, në mënyrë që të vijohet më pas me procedurat që ndjekin për zgjedhjen e krerëve të tyre. Në këtë mënyrë, Meta është duke shkuar drejt shpalljes së datës së zgjedhjeve të pjesshme lokale. Më herët, ai kishte deklaruar se vetë kryedemokrati Lulzim Basha i kishte kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale, për shkak të zhvillimeve të brendshme në PD.
“Në ditët në vijim do të mbajmë një qëndrim zyrtar. Sot jemi për të bërë me dije se kemi filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhje dhe një çështje që GJK u shmang, zgjedhjet vendore 2019 nuk mori zgjidhje. Prej kohësh kemi një situatë absurde, kemi Bashki pa kryetar. Kjo situatë nuk mund të rrijë pafundësisht për zgjidhje, pavarësisht se shumë faktorëve mund t’i leverdisë.
Nuk ka se çfarë të pres me, priti vendimin e GJK dhe dha mos vendim, prandaj duke konstatuar se këto institucione, Bashkitë pa kryetar, nuk po funksionojnë siç duhet dhe palët nuk po bëjnë asgjë për ta zgjidhur këtë situatë edhe pse është ngritur si shqetësim nga mediat dhe qytetarët. Jam sot këtu për t’iu bërë me dije se kam filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, i dërgova Komisionerit se kush janë Bashkitë në të cilat përgjatë kësaj procedure, janë pa kryetar”, tha Meta.
“Unë nuk detyroj askënd të marrë pjesë me pahir në zgjedhje, është demokraci, të zgjedhin kandidatët më të mirë”, tha ai.
Presidenti ka sqaruar edhe pse këtë vendim nuk e ka marrë më herët. “Nëse do veproja më parë, do legjitimoja si Kushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit që ishin anti-Kushtetuese”, tha Meta.