Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e djeshme nisjen e operacionit të madh kombëtar për shpërndarjen e ndihmave për personat në nevojë.
Rama ka shpërndarë në Facebook një video nga operacioni i sotëm, ku në bashkëpunim me fondacionin “Fundjavë Ndryshe” vijojnë t’i vijnë njerëzve në nevojë në këto ditë të vështira.
Kreu i qeverisë rikujton partneritetin që ka bërë me këtë fondacion, për ndërtimin e qendrës së re të emergjencave kombëtare.
“Aty ku Ministria e Mbrojtjes dhe “Fundjavë Ndryshe” janë tanimë së bashku, pasi vjet krijuam partneritetin për qendrën e re të emergjencave kombëtare. Ndërkohë që zgjerimi i qendrës dhe ndërtimet e reja do të vazhdojnë, njësoj si pas tërmetit, jemi bashkë edhe ne këtë luftë për të mbështetur ata që kanë më shumë nevojë”, shkruan Rama krahas videos.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ishte e pranishme ditën e sotme në Qendrën e Solidaritetit “Fundjavë Ndryshe”, ku i shprehu mirënjohjen të gjithë të rinjve vullnetarë për punën e madhe që kanë bërë brenda këtyre ditëve.
“Në radhë të parë dua të shpreh mirënjohjen maksimale për Arbrin dhe për të gjithë këta të rinj dhe të reja që bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke u ardhur në ndihmë të gjithave familjeve në nevojë, në këtë situatë ‘lufte të mirëfilltë’ do thosha. Bashkëpunime të tilla janë shumë të vlefshme sepse është shumë e rëndësishme që në momente si këto të bëjmë bashkë forcat për t’u ardhur në ndihmë sa më shumë familjeve, të cilat ne i kemi identifikuar.
Që do të jenë ato me ndihmë ekonomike, ato të cilat janë në kushte më të vështira sot edhe për shkak të distancimit social apo të vetëizolimit aq të domosdoshëm për të përballuar këtë situatë. Shumë faleminderit Arbrit që po koordinon punën me ne, që t’i vijmë në ndihmë sa më shumë familjeve në nevojë”, tha ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Ndërkohë themeluesi i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari theksoi se të gjithë duhet të bëhemi bashkë në këtë situatë të vështirë. Hajdari tha se duhet edhe një koordinim me qeverinë në mënyrë që të mos ketë mbivendosje ndihmash.
“Unë mendoj se ky është një moment kur të gjithë ne duhet të jemi bashkë, qoftë shteti qoftë organizatat bamirëse, qoftë biznese të ndryshme që mund të ndihmojnë. Është një proces shumë delikat, është një proces shumë i nevojshëm. Ndoshta është akoma edhe më i rrezikshëm se tërmeti, se u munduam ta përballojmë tërmetin por kjo është një izolim i plotë i njerëzve. Përderisa i kërkojmë njerëzve të izolohen, ne edhe duhet t’i shërbejmë. Që të mos kemi mbivendosje ndihmash, duhet edhe një koordinim me shtetin, në mënyrë që ndihmat të shkojnë atje ku duhen, të shkojnë te njerëzit që janë në nevojë fillimisht, te njerëzit që ne i kemi nëpër çadra, apo në grupet vunerabël apo tek moshat e treta”, tha Arbër Hajdari.
Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” vijon të shpërndajë pakot me ushqime, ndonëse këto ditë janë edhe më të vështira.
Pakot e ndihmave janë shpërndarë fillimisht në familjet që kanë jetimë, në ato që jetojnë në çadra e ku jetesa është e pamundur. Po kështu, në ato familje që jetojnë në varfëri ekstreme.