E hënë, 24 Janar, 2022
3.5 C
Tirana

Bankat qendrore do ta tolerojnë inflacionin e rritur

Prof. Dr. Arben Malaj
(Qeveritë duhet të kompensojnë efektin e tij varfërues)

Bankat qendrore, përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, nuk mund të tërhiqen shpejt nga politikat monetare lehtësuese. Por “paraja e lirë” imponon një qasje të kujdesshme ndaj rrezikut të inflacionit të lartë, cilësisë së dobët të investimeve, shpenzimeve, kredimarrjes dhe kredidhënies që dëmtohen nga shkujdesja që ushqen kostoja e lirë e parasë.

Pas disa krizave, qeveritë duhet të kenë përmirësuar politikat dhe sistemin e mbrojtjes dhe solidaritetit social. Ato kanë një barrë jo të lehtë për të mbrojtur individët dhe familjet më të ekspozuara nga një varfërim në rritje nga inflacioni i lartë.

Bankat qendrore nuk mund të tërhiqen shpejt apo menjëherë për arsyen kryesore se rritja e kostos së parasë mund të vështirësojë reduktimin e hendekut midis kapacitetit optimal të ekonomisë dhe situatës, në të cilën ato ndodhen aktualisht.

Pa reduktuar këtë hendek, këtë mosshfrytëzim të kapaciteteve prodhuese, vendet nuk mund të mbështesin dot një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të drejtë që materializohet në rritjen e të ardhurave të disponueshme, më pak të papunë e të varfër dhe me pak risk de-inflacionist.

Ulja e papunësisë, e varfërisë dhe e pabarazisë duhet të arrihet nëpërmjet një rritjeje ekonomike të larta dhe të drejtë, e mbështetur në ekonominë e gjelbër dhe ekonominë e dijes. Vetëm përkohësisht pasojat varfëronjëse të krizave duhen përballuar nga politikat lehtësuese monetare e fiskale dhe sidomos nga politikat rishpërndarëse pro kohezionit & solidaritetit social.

Madhësia e hendekut midis potencialit të rritjes së ekonomisë dhe nivelit real të saj mbi të gjitha pengohet nga shkalla e ulët e produktiviteti, mungesës së reformave strukturore dhe aftësisë së dobët amortizuese të goditjeve të krizave të shumëllojshme dhe të shtuara në ekonomi, është e ndryshme për vende të ndryshme dhe shumë e ndryshme midis SHBA-së dhe BE-së.

Në themel të politikave ekonomike që prodhojnë të mirat publike si reduktimi i të papunëve, i të varfërve dhe i pabarazisë, duhen reformat strukturore që reduktojnë çdo barrierë që pengon rritjen e produktivitetit. Mirarsimimi mund të shërbejë si leva e Arkimedit për ta lëvizur nga rruga jonë e së ardhmes, gurin e rëndë të padijes.

Debati është më i vështirë në rrafshin ideologjik dhe politik sesa atë akademik i përqendruar sot në pro dhe kundër neokejnsianistëve që mbrojnë idenë se: “Tërheqja e shpejtë nga politikat dhe monetare e fiskale lehtësuese mund të dëmtojë arritjet në ringritjen e ekonomisë dhe reduktimin e papunësinë dhe varfërisë”. Për neokejnsianistët inflacioni i lartë, sidomos për atë pjesë të popullsisë që përdor 50 – 80% të ardhurave të tyre për mbijetesë.

Neokejnsianistët argumentojnë se sa më e lirë të jetë kostoja e parasë, aq më shumë ndihmon në kthimin e ekonomisë në nivelet e para krizës. Neoliberalët theksojnë se risku që paraja e lirë ushqen njëkohësisht një krizë të mundshme të rritjes së çmimeve të aseteve, mallrave, shërbimeve dhe inflacioni i lartë e varfërues që vjen nga rritja e deformuar e kërkesës agregate nuk është thjesht teorik.

Debati është politike sepse sipas neoliberalëve: “Kostoja e lirë e parave është një shërbim për ata që qeverisin, por që do sjellë në të ardhmen për taksapaguesit dhe qeveritë kosto të rënda, të kushtueshme dhe afatgjata. Kjo, sepse rritja e kërkesës agregate e nxitur nga kostoja e lirë e parasë dhe/ose neglizhenca e investitorëve privatë dhe veçanërisht e qeverive, rreziku i lehtësimit ose dobësimit të mbikëqyrjes sa më strikte në përzgjedhjen e investimeve publike, por edhe të madhësisë dhe strukturës së investimeve dhe konsumit individual – nuk vlerësohet si një rritje e shëndoshë. Kriza financiare 2008 ishte kriza e modelit të rritjes ekonomike nëpërmjet rritjes së borxheve të individëve, biznesit dhe qeverive.

Politikat lehtësuese monetare e fiskale në varësi nga përmasat dhe kohëzgjatja e tyre mund të krijojnë rreziqe jo të vogla dhe jo afatshkurtra për individët, bizneset dhe qeveritë që keqpërdorin koston e lirë të parasë për përfitime afatshkurtra.

Por historia jo e shkurtër e ekonomisë, tregjeve financiare dhe krizave respektive nuk i buzëqesh asnjërit krah ideologjik. Debati ideologjik mes neoliberalëve dhe neokejnesianëve, republikanëve dhe demokratëve, është i njëjtë në thelbin e tij historik në çdo vend në debatet politike apo akademike.

Neoliberalët në çdo rast kërkojnë reduktim të ndërhyrjeve të bankave qendrore dhe qeverive. Ata janë shumë kritikë ndaj politikave lehtësuese dhe “pompimit” në shkallë të gjerë të parave në ekonomi. Neokejnsianistët janë mbështetës të fortë të injektimit të sa më shumë parave në ekonomi dhe rritjes së ndërhyrjes së shtetit me politikat lehtësuese monetare dhe fiskale. Ata mbeten të frymëzuar edhe nga John Keynes, i cili theksoi se: “Në planin afatgjatë, ne të gjithë jemi të vdekur”.

Ndoshta kjo ndarje sqarohet edhe në cilësimin që disa ekonomistë i bëjnë znj. Lagard – presidenten aktuale BQE, si “Miss inflacion”. Kjo për shkak të mbështetjes së saj për vazhdimin e politikës monetare lehtësuese dhe mosfillimin e tërheqjes së menjëhershme prej tyre. Lagard po ndjek me fanatizëm politikat lehtësuese dhe shkallën e blerjes së borxhit të qeverive dhe kompanive private të ideuara dhe aplikuara nga Mario Draghi, si president i BQE-së dhe tani si Kryeministër i Italisë.

Në artikullin referues jepet një përmbledhje e argumenteve pro dhe kundër të pozicioneve të mundshme të Fed-it, i cili aktualisht po vazhdon me politikat monetare lehtësuese dhe nuk po qartëson se kur dhe me çfarë shpejtësie mund të largohet nga ato. Debati përfshin edhe Jerome Poëell, shefin aktual të Fed-it, i cili është në fund të mandatit 7-vjeçar, i përzgjedhur nga ish-Presidenti Trump, i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale 2017 me vizionin si “republikan konservator” dhe premtimin elektoral se do ta bënte Amerikën Sërish të Madhe (MAGA).

Neoliberalët jo vetëm në SHBA kërkojnë ndërprerjen e politikave të “parasë së lehtë/easy money” dhe promovojnë politikat derregulluese. Ata janë kundër çdo pengese që kufizon “mrekullinë e duarve të padukshme të tregut të lirë”. Por deri aktualisht historia qindravjeçare e ritmeve të rritjes së deficiteve dhe borxheve në SHBA dhe e krizave të viteve të fundit nuk e përligj dot lavdinë e shpresuar nga absolutizimi i neoliberalizimit.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mungonin avokatët, GJKKO shtyn seancën ndaj Fatos Tushes

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë në datën 2 shkurt seancën në ngarkim të Fatos Tushes, ish-kryetarit të Bashkisë Lushnje dhe...

Rama: Presidentin e ri do ta zgjedhim ne, do i kthejmë dinjitetin asaj zyre

Kryeministri Rama tha sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar, se Partia Socialiste do të nisë punën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës...

Mbyllja e shkollave për 3 ditë/Aktivistët: Ministrja bën meteorologen

Për tre ditë, shkollat do jenë të mbyllura për shkak të motit të acartë. Lidhur me këtë vendim, aktivistë të Qëndresës Qytetare kanë protestuar...

“E mbyllim në shkurt”/Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS, ja çfarë do ndodhë

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kreu i qeverisë Edi Rama iu është drejtuar socialistëve të angazhohen seriozisht në procesin e këshillimit kombëtar. Ai vuri...

Basha: Berisha po vë interesat e tij personale mbi ato të demokratëve!

Në Shqipëri zgjedhjet e pjesshme, të parakohshme lokale, më 6 mars, për të zëvendësuar kryetarët e gjashtë bashkive, që iu ka mbaruar mandati, priten...