Nga Jo Daniels “The Conversation”
Ndërsa koronavirusi i ri po përhapet në një shkallë globale, shqetësimi dhe paniku i njerëzve është në rritje. Dhe është e logjikshme që këshillohemi vazhdimisht nga autoritetet, se si të mbrohemi më mirë nga ky virus i rrezikshëm.
Por si të qëndroni të sigurt në këtë klimë, dhe njëkohësisht të siguroheni që frika të mos marrë nën kontroll jetën tuaj, duke u shndërruar në një çrregullim obsesivo-kompulsiv, apo në një panik të përhershëm? Frika është një reagim normal, dhe i nevojshëm evolucionar ndaj kërcënimit, që në fund ka si qëllim të garantojë sigurinë tonë.
Pavarësisht nëse kërcënimi është emocional, shoqëror ose fizik, reagimi varet nga një ndërveprim kompleks midis “trurit tonë primitiv” (sistemit limbik) dhe trurit tonë njohës të sofistikuar (lëvores së re). Këto pjesë të sistemit tonë nervor, punojnë me përpikëri për të vlerësuar situatat e ndryshme, dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve për mbijetesë.
Pasi identifikohet një kërcënim, ai mund të shkaktohet një përgjigje “lufto ose ik”. Ky është reagimi biologjik i trupit tonë ndaj frikës, dhe përfshin “përmbytjen” e organizmit tonë me adrenalinë, në përpjekje për t’u siguruar që jemi në gjendje të shpëtojmë apo të mposhtim çdo kërcënim, siç është sulmi nga një kafshë e rrezikshme.
Përgjigja prodhon një gamë simptomash fizike intensive – rrahje të shpejta të zemrës, djersitje, marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje – të cilat janë krijuar për të na bërë të vrapojmë më shpejt, dhe të luftojmë më shumë. Por ky sistem mund të jetë i prirur për t’u alarmuar atëherë kur nuk duhet, duke reaguar në ndonjë rast në një mënyrë disproporcionale ndaj kërcënimeve që nuk janë dhe aq serioze apo të menjëhershme.
Ata që janë të shqetësuar mbi gjendje shëndetësore të tilla si sulmet në zemër, dhe madje edhe COVID-19 (sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi), mund të preken nga reagimi “lufto ose ik”.
Dhe kjo përkundër faktit se nuk ka asnjë rol mbi një përgjigje biologjike primitive ndaj COVID-19 – dhe nuk është i nevojshëm asnjë “ikje me vrap” apo ”luftim”.
Përkundrazi, këtu duhet të hyjë në veprim neokorteksi ynë me një nivel të lartë njohës, për të pasur një qasje racionale dhe të matur ndaj sëmundjes infektive, pa ndërlikimet e çrregullimit të ankthit. Mjerisht, kjo gjë është thënë më lehtë të thuhet, sesa të realizohet në praktikë. Kur lind frika, mund të jetë e vështirë që ta ndalosh atë.
Është gati e pamundur që një shpërthim viral, madje edhe në nivele të pandemisë, të shkaktojë probleme të shëndetit mendor tek njerëzit që tashmë nuk i kanë tashmë, apo që janë në procesin e të zhvillimit të tyre. Studimet tregojnë se shumica e problemeve të shëndetit mendor, nisin nga adoleshenca e hershme dhe mesi i të 20-ve, me përfshirjen e faktorëve kompleksë.
Rreth 10 përqind e popullsisë globale, përjeton në çdo kohë nivele të larta ankthi, megjithëse disa vlerësime japin një shifër më të lartë të lartë. Njerëzit që janë kronikisht të sëmurë – ata që janë më të prekurit nga koronavirusi – janë më të rrezikuar të bien pre e spirales së ankthit.
Dhe kjo gjë nuk duhet të injorohet. Shqetësimi i tyre është i mjaftueshëm për t’i motivuar ata të marrin masa paraprake. Por është e rëndësishme që këta individë të kenë mbështetjen e nevojshme, për përballjen si duhet me emocionet e tyre.
Njerëzit që vuajnë nga ankthi shëndetësor, të shqetësuar nga informacionet që kanë lidhje me shëndetin ose simptomat fizike, rrezikohen gjithashtu të kenë një përkeqësim të shëndetit të tyre mendor, ndërsa koronavirusi vijon të përhapet. Pra, janë individët e prirur për “kontrollimin” e shpeshtë të situatës, si sigurimi i vazhdueshëm se furra është e fikur, apo që dera e shtëpisë është e mbyllur. Kjo kategori, mund të shfaqë shenja të çrregullimit obsesivo-kompulsiv.
Njerëzit që kanë vuajtur më herët nga ankthi, dhe që nuk relaksohen lehtësisht, mund të preken nga shqetësimi që ka shkaktuar shpërthimi i epidemisë së koronavirusit. Por në përgjithësi, nëse e shqetësoni veten shumë mbi këtë sëmundje, kjo nuk do të thotë aspak se keni ndonjë çrregullim psikologjik.
Në kohën e stresit dhe ankthit, ne jemi shpesh të prirur të përdorim strategji që janë krijuar për të na ndihmuar, por që janë dëshmuar si kundër-produktive. Për shembull, ju mund kërkoni në Google simptomat e koronavirusit në përpjekje për t’u qetësuar, edhe pse nuk ka të ngjarë që kjo t’ju bëjë të ndjeheni më mirë.
Kur strategjitë tona për të mos u stresuar, e rritin ankthin që kemi, është koha të bëjmë një hap pas, dhe të pyesim veten nëse kemi ndonjë gjë më të dobishme për të bërë. Dhe në fakt, ka shumë mënyra për të zbutur simptomat fizike dhe emocionale që lidhen me ankthin.
Njëra është të ndaloni kontrollin e vetvetes. Për shembull, shmangni kërkimin në internet për shenjat e para të sëmundjes. Ka të ngjarë të gjeni ndjesi fizike të panjohura që janë të padëmshme, por që ju bëjnë të ndiheni në ankth. Informacioni mund të jetë sigurues, vetëm nëse është i bazuar në fakte.
Shpeshherë është intoleranca ndaj pasigurisë, ajo që e zgjat më shumë ankthin, sesa frika e vetë sëmundjes. Në kohën e stresit dhe ankthit, hiperventilimi dhe frymëmarrja e cekët është e zakonshme. Prandaj një frymëmarrje e qëllimshme e rregullt, mund të funksionojë shumë mirë për të rivendosur reagimin “lufto ose ik”, dhe për të parandaluar shfaqjen e panikut dhe simptomave të pakëndshme fizike, që shoqërohen bashkë me ankthin psikologjik.
Dhe këshilla ndoshta më e rëndësishme:mos e izoloni veten. Marrëdhëniet personale, janë thelbësore në ruajtjen e perspektivës, ngritjen e humorit, dhe shpërqendrimin e mendjes larg problemeve që na shqetësojnë. Edhe në rastin e një izolimi të imponuar, është e rëndësishme ta luftoni vetminë dhe të vazhdoni të flisni me të tjerët, për shembull përmes bisedave video përmes internetit.
Ne jemi të bashkuar globalisht në jetesën me një kërcënim shumë real për shëndetin. Vigjilenca dhe masat paraprake, janë thelbësore. Por shqetësimi psikologjik dhe paniku i përhapur, nuk kanë pse të jenë pjesë e kësaj përvoje. Vazhdimi i aktiviteteve normale ditore, ruajtja e perspektivës për jetën, dhe reduktimi i stresit të panevojshëm, është thelbësor për mbijetesën psikologjike nga kjo situatë e vështirë. Me fjalë të tjera, aty ku është e mundur, qëndroni të qetë dhe vazhdoni të ecni përpara. /TIRANA TODAY