Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një videomesazh mbrëmjen e sotme për shqiptarët, në lidhje me situatën pas tërmetit.
Në videon e shpërndarë në Facebook, Rama se qeveria ka bërë më të mirën e saj sa i përket strehimit të banorëve në hotele, shtëpi e apartamente dhe të tjerë nëpër fshatra me çadra.
Më tej, ai kritikon opozitën e cila sipas tij ka qenë inekzistente në përballimin e kësaj situate, teksa vë theksin te refuzimi i tryezës së dialogut nga ana e tyre.
“Miqtë e mi besoj kemi bërë më të mirën deri në këtë moment edhe pse e mira nuk ka fund dhe me siguri ka pasur edhe plot të meta dhe gabime ndoshta në këtë rrugë për të kapërcyer një mal me halle imediate që duheshin adresuar me shpejtësi. Kemi sistemuar me mijëra njerëz në hotele me 5 yje dhe shtëpi e apartamente me qira. Kemi sistemuar mijëra të tjerë me çadra dimërore pranë banesave të tyre në zonën e fshatit nga ku nuk duan të lëvizin. Kemi nisur punën me rindërtimin në bashkëpunim me organizatat solidare me njerëzit në nevojë me Elvisin, me Arbrin me Marinin për shtëpitë në fshat dhe markitektë të huaj e vendas për planet e rindërtimit.
Për ndërhyrjen tërësore në Thumanë ku do përqendrohemi për një model shembullor rilindje apo në Kavajë dhe në Lezhë. Kemi mobilizuar komunitetin ndërkombëtar me shumë shpejtësi duke krijuar bindjen e komunitetit europian për domosdoshmërinë e një konference donatorësh. Konferencë me donatorët do ta mbajmë në fund të janarit apo fillim të shkurtit, në varësi të raportit final për dëmet që po përgatitet me ekspertë të BE. Nuk do të jetë e lehtë t’i bëjmë gjërat mirë e shumë shpejt në mënyrë që brenda vitit 2020 askush të mos të mbetet pa perspektivën e qartë dhe konkrete. Qëllimi im është që brenda vitit 2020 të gjithë banorët e fshatit që e kanë humbur shtëpinë ta gëzojnë Vitin e Ri në shtëpi të re shumë më të bukur e të re dhe me kushte më të mira se ajo që kishin. Ndërsa brenda qershorit të vitit 2021 të gjithë banorët që kanë humbur shtëpinë në qytete të jenë në apartamente të reja”, tha ai.
Kreu i qeverisë shtoi se të gjithë përgjegjësitnë lidhje me këtë situatë do të dalin para drejtësisë, teksa shton se hetimet e policisë po vijojnë.
“Sot janë kryer arrestimet e para. Hetimet vazhdojnë pa pushim. Mos dëgjoni ata që gam-gamosin përnatë nëpër tendat mediatike duke u çjerrë me çehren e vrarë pse nuk ka arrestime. Ata nuk dinë si bëhet një punë përveç llafeve ku mblidhen si burrat e vjershave të Çajupit. Një merak dua ta ndaj me ju, arsye pse po ju shqetësoj me këtë mesazh. Opozita ka qenë thuajse inekzistente në detyrën e saj, përjashto daljet rutinë të Lulzim Bashës të cilin e përshëndes edhe njëherë dashamirësisht për një vetëpërmbajtje në momente të vështira për njerëzit ku u përpoq mos të bëhej i tepërt me fjalorin e rëndë të politikës së tij të përditshme. Por ama nuk mund të mos e kritikoj me keqardhje për refuzimin e përsëritur dhe absurd që të japë së bashku me opozitën një dorë në këtë situatë duke u ulur në tryezën e bashkëpunimit me njerëzit dhe për njerëzit. Nuk e di pse refuzon por di që refuzimi në një situatë të tillë është mungesë e plotë përgjegjësie për të mos thënë ndonjë fjalë më shumë.
Meraku im është se opozita, njerëzit rrotull Bashës si fillim ka nisur të japë shenjat e para të një lufte të egër balte ku me sa duket do të përpiqet dita-ditës të përdorë gjuhën e baltës për t’iu helmuar e për t’ju mërzitur si zakonisht me gënjeshtra, sajesa, shpifje, akuza apo me gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha. Kjo është puna e tyre dhe e Lulzim Bashës që me siguri do e marrë shpejt flamurin e asaj lufte”, deklaroi ai.