Kreu i PD-së Lulzim Basha ishte i ftuar pasditen e sotme në emisionin “Kjo Javë” prej ku u pyet nëse do të vijojë opozita me protestat apo jo. Basha theksoi se protestat nuk janë ndalur kurrë dhe as nuk janë spostuar.
“Opozita është në krye të detyrës në një moment kritik që po kalon vendi, që shikohet në radhë të parë tek frigoriferi i shqiptarëve, tek ata që nuk mbyllin dot muajin. Shkaku i vërtetë i kësaj krize është mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Aksioni ynë nuk është mjaftuar vetëm me protestat, por edhe me një aktivitet të ngjeshur me takime me qytetarët dhe ndërkombëtarë dhe natyrisht edhe brenda koalicionit opozitar me platformën për zgjidhjen e krizës.
Protestat nuk është se janë ndalur apo spostuar. Ka pasur çdo ditë, në Shkodër, Korçë, protesta janë mjet për të arritur një qëllim dhe qëllimi ynë është të nxjerrim vendin nga kriza dhe kjo do vijë me zgjedhjet e lira e të ndershme”, tha Basha.