Aktualisht, në Shqipëri janë 6 raste të infektuar me koronavirus. Disa viruse të frymëmarrjes kanë një ecuri stinore, dhe rritja e temperaturave bën që ato të përhapen më pak. Kjo mund të varet nga ndërveprimi mes patogjenëve dhe kushteve atmoferike. Gjatë dimrit, viruset janë më të prirura që të na prekin edhe për faktin se sistemi ynë imunitar është më i dobët, dhe i mungon më shumë vitamina D.
Shefja e Epidemiologjisë, Eugena Tomini, gjatë një interviste për emisionin “7 pa 5”, ka deklaruar se janë identifikuar 31 kontakte të 6 të prekurve me koronavirus, dhe se janë marrë masat e nevojshme. Megjithatë ajo shtoi më tej se kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë raste të reja.
Prej kohësh, qarkullojnë informacione se me rritjen e temperaturave, virusi me gjasë mund të asgjesohet. Po sa e vërtetë është kjo? A do të asgjësohet virusi me ardhjen e pranverës?
Tomini u shpreh se shpresohet të arrihet diçka e tillë, dhe sipas saj, ka një lidhje mes përhapjes së koronavirusit dhe vendeve të ftohta.
“Themi shpesh që larja e duarve është një element shumë i rëndësishëm. Sa më shumë të lahen duart me ujë të ngrohtë dhe sapun, ai fillon edhe asgjësohet. Temperaturat e larta kanë lidhje edhe me uljen e viruseve stinore.
Po të shohim hartën e botës, janë prekur ato vende me sezon dimri. Ndërkohë vendet me temperatura shumë të larta, kanë një prekje minimale. Shpresojmë që sëmundjet respiratore të ulen me uljen e sezonalitetit dimëror”, u shpreh ajo.