Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, zgjodhi 9 dhjetorin që të vizitojë Tiranën, pasi shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Dje ai mbajti vizitën e parë në Shqipëri, ku u takua me kreun e PD, Lulzim Basha; Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryeministrin Edi Rama. Por gjatë qëndrimit në Tiranë, zyrtari i lartë i DASH zgjodhi që fillimisht të takonte kryedemokratin Lulzim Basha.
Basha: Diskutuam për emrat “non grata”
Detaje nga takimi me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar ka dhënë kryedemokrati Basha. Ky i fundit duke folur për mediat pas takimit me diplomatin Escobar, u shpreh se me zyrtarin e lartë të DASH, u diskutua edhe sa i takon emrave të tjerë “non grata” që priten të shpallen nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas Bashës, Escobar është shprehur se lista e personave “non grata” për Shqipërinë pritet të shtohet në të ardhmen, me personazhe të tjerë nga politika dhe fusha të tjera. “Pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit, jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit”, deklaroi ai.
Berisha: SHBA më kanë kërcënuar!
Vizita e të dërguarit të DASH, Gabriel Escobar, ka alarmuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai u shpreh se mbështetja që i jep Bashës, i shërben vetëm Ramës. “Unë do i sugjeroja z. Escobar, kombet e vjetra kanë problematikat e tyre, por në fakt janë esenciale. Kukullat shqiptarët nuk i pranojnë. Nga kjo mbështetje përfiton vetëm qeveria. Merrni pollet dhe shihni cila është mbështetja e këtij në anëtarësinë e PD”, tha ai në emisionin “Opinion.
Berisha pranoi se është paralajmëruar nga SHBA, se Departamenti i Thesarit do marrë sankansione ekonomike ndaj tij. “Shtetet e Bashkuara më kanë kërcënuar se do çojnë gjithçka në Thesar. Pra që do vendosin sanksione. U thashë bëni çfarë të doni. Unë kam besim sepse çështjen e kam çuar në Gjykatën e Parisit”, tha ai.
Berisha pranon vërtetësinë e fotos me Enver Hoxhën
Ish-kryeministri Sali Berisha ka pranuar vërtetësinë e fotos së tij, krah diktatorit Enver Hoxha. Në emisionin “Opinion, ai shpjegoi se kurrë nuk e ka takuar personalisht diktatorin, por fotoja është bërë gjatë ditëlindjes së Liljana Hoxhës, e cila ka qenë në atë kohë drejtore ekzekutive e revistës “Shkenca dhe Jeta”, ku ish-kryeministri ishte anëtar bordi.
“Është shpjeguar qartësisht nga ish-mjeku i Enver Hoxhës, Isuf Kalo. Nëse sheh një intervistën timen, ai që po drejton sot emisionin (Blendi Fevziu), më pyet a e ke takuar ndonjëherë personalisht Enver Hoxhën. Por i them që Enver Hoxha ka kaluar pranë meje. Me sa mbaj mend, aty kemi qenë në datëlindjen e Liljana Hoxhës. Isha aty si bashkëpunëtor i revistës “Shkenca dhe Jeta”. Nëse një takim kolektiv quhet personal, merreni, unë kam sqaruar dhe herët e tjera, por unë nuk kam mohuar që unë kam pasur miqësi me djalin e tij, shoqes së saj. Kjo është fotografia”, tha Berisha.