Qendra shëndetësore në Elbasan është goditur me gurë, e ndërsa dritaret janë thyer. E rikonstruktuar vetëm dy muaj më parë, konform të gjitha standardeve, qendra shëndetësore në lagjen “Skëndërbej” në Elbasan, ka rënë pre e akteve vandale dhe të paprecedenta të dhunimit të saj.
Persona të papërgjegjshëm kanë goditur me gurë dritaret e kësaj qendre, duke i shkatërruar ato. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar në lidhje me rastin në fjalë. Ajo shprehet se gurët e hedhur ndaj qëndrës shëndetësore, janë një akt agresioni kundër institucioneve jetëshpëtuese. Ministrja ka dënuar këtë akt të dhunshëm.
Statusi
Gurët e hedhur sot mbi qendrën shëndetësore në Lagjen Skënderbej në Elbasan, të cilën vetëm pak muaj më parë e rindërtuam me standardet më të mira pas braktisjes prej 4 dekadash, janë një akt agresioni kundër institucioneve jetëshpëtuese, të frymëzuar prej gjuhës së palogjikshme të urrejtjes, që po përdoret këto kohë kundër bluzave të bardha.
Dënoj me forcë këtë akt të dhunshëm, dhe mbështes me forcë punën e çdo mjeku e infermieri që shërben me përkushtim në këto kohë të vështira, në çdo cep të Shqipërisë.
Bluzat e bardha meritojnë mirënjohjen tonë dhe jo dhunën verbale të kujt ka humbur busullën.