Numri i vërtetë i të infektuarve me Covid-19, është ndoshta shumë më i lartë se sa ai që raportohet në shumë vende me të ardhura të larta. Një vlerësim i sapo modeluar nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Koreja e Jugut dhe 11 vende në Evropë, sugjeron se shifrat zyrtare nuk janë fare afër shkallës së plotë të të prekurve.
Modeli i ri i shkencëtarëve në Australi, përdor metodën “backcasting”, që e projekton në anën e kundërt numrin e viktimave të reja në një ditë, nga koha e vdekjes deri në kohën e infektimit. Kjo i jep mundësi shkencëtarëve të shmangin përdorimin e të dhënave epidemiologjike dhe serologjike, të cilat kushtëzohen nga testimet e kufizuara.
Duke krahasuar vlerësimet e reja me rastet zyrtare të konfirmuara, ekipi ishte në gjendje të parashikonte shkallën e vërtetë të rasteve për secilin vend. Sipas rezultateve të tyre, në fund të gushtit, shkalla e infektimit të popullsisë ishte mesatarisht 6 herë më e lartë se sa rastet e raportuara zyrtarisht.
“Ne kemi analizuar statistikat se sa njerëz kishin vdekur nga Covid-19, në një vend të caktuar, dhe më pas kemi punuar në anën e kundërt për të parë se sa njerëz do të duhej të ishin infektuar për të arritur tek ai numër të vdekurish”, thotë shkencëtari i të dhënave Stiven Fips nga “Ikigai Research” në Australi.
“Metoda jonë është e re dhe e lehtë për t’u përdorur në vlerësimin e shkallës së vërtetë të infeksionit, kudo ku ka të dhëna të besueshme për numrin e viktimave që i atribuohen Covid-19”- shton ai. Disa kombe ishin më të afta në raportimin e këtyre infeksioneve, sesa të tjerat. Për shembull, në Korenë e Jugut, numri real i të infektuarve u zbulua të ishte 2.6 herë më i lartë se shifrat e raportuara, ndërsa në Itali, numri i rasteve të “prapambetura”, ishte 17.5 herë më i lartë.
Në përgjithësi, që nga muaji mars, vendet në mbarë botën janë bërë më të afta në testimin e Covid-19, edukimin e publikut mbi simptomat, dhe në gjetjen e mënyrave gjithnjë e më të sakta për të zbuluar dhe gjurmuar infeksionin. Por pavarësisht kësaj, shifrat ndërkombëtare zyrtare, vazhdojnë që të mbeten pas realitetit të mundshëm.
Edhe në Australi, vend që ka një nga nivelet më të mira të gjurmimit të rasteve midis 15 vendeve të studiuara, studiuesit thonë se shkalla e infeksionit mund të jetë sërish 5 herë më e lartë sesa ajo që raportohet.
“Ne zbuluam se infeksionet me Covid-19 janë shumë më të larta se sa rastet e konfirmuara në shumë vende, dhe kjo gjë ka pasoja të rëndësishme, si për kontrollin ashtu edhe për probabilitetin e infektimit”, thotë ekonomisti Kuentin Grafton nga Universiteti Kombëtar Australian.
“Këto zbulime ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po përballemi me të gjitha aspektet e pandemisë së koronavirusit, përfshirë sëmundshmërinë e vazhdueshme dhe ndikimet shëndetësore gjatë gjithë jetës për njerëzit e infektuar, mbi mënyrën si po i zbatojmë dhe menaxhojmë bllokimet”, shton ai.
Nuk është hera e parë që shkencëtarët kanë gjetur një mospërputhje të madhe midis rasteve reale me Covid-19 dhe infeksioneve të raportuara. Që nga fillimi, ekspertët paralajmëruan se ka të ngjarë që ne të nënvlerësojmë shkallën e vërtetë të përhapjes virale.
Përcaktimi i një shkaku të vdekjes nga koronavirusi i ri, nuk është diçka e thjeshtë kur testimi është i kufizuar, kur simptomat shpesh mbivendosen me sëmundje të tjera, dhe kur ata që janë më të prekshëm vuajnë nga sëmundje kronike para-ekzistuese.
Shumë vlerësime deri më tani, kanë krahasuar shkallën e përgjithshme të vdekjeve në vitin 2020, me atë që do të ishte zakonisht në çdo vit tjetër, apo kanë përdorur testimin e antitrupave për të identifikuar individët që nuk ishin përfshirë në shifrat fillestare zyrtare, ndoshta sepse ata shfaqën pak ose aspak simptoma.
Shumica e modeleve epidemiologjike, bien dakord që numri real i infeksioneve aktuale me Covid-19ështëshumë më i lartë sesa rastet e konfirmuara, por se në çfarë mase saktësisht, dhe si ndryshon kjo me kalimin e kohës, është më pak e qartë.
Të dhënat epidemiologjike janë të kufizuara nga niveli i testimeve që zhvillon një vend, teksa testimi i antitrupave vjen me disa pozitive false dhe negative të rreme, çka do të thotë se nëse numri i rasteve është i ulët, në një nivel të popullatës edhe një pjesë e vogël e rezultateve të rreme, mund të shtrembërojnë të dhënat.
Një vlerësim nga një studim tjetër në SHBA, zbuloi se numri i infeksioneve në prill ishte 3 deri në 20 herë më i lartë se numri i rasteve të konfirmuara zyrtarisht, dhe se shumica e tyre ishte për shkak të testimit jo të plotë dhe në një masë më të vogël, dhe saktësisë jo të papërsosur të testit.
Burimi i lajmit: https://www.sciencealert.com/the-actual-number-of-covid-19-cases-is-far-higher-than-official-figures-in-many-nations
Përshtatur nga TIRANA TODAY