Situata e koronavirusit në vend vijon të mbetet serioze. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka nisur ditën me akuza për kryeministrin Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan mes të tjerash se Rama merret me propagandë, dhe për faj të kryeministrit, qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga Covid-i dhe infeksionet po rriten çdo ditë.
Sipas tij, qeveria fsheh shifrat reale të viktimave, dhe të të infektuarve. Dhe se spitalet, mjekët e infermierët janë të mbingarkuar, e ndërsa pacientët dergjen me orë të tëra në ambulanca. I shqetësuar për situatën në vend, ku është e frikshme numri i të infektuarve, Basha ia faturon fajin Ramës, se nuk mori asnjë masë për të përballuar valën e dytë.
Statusi
Siç ka bërë këto 8 vjet, Rama merret vetëm me propagandë. Po të kishte shpenzuar 10% të kohës që kalon në instagram, për të bërë detyrën e kryeministrit, sot nuk do të ishim në këtë gjendje. Ai e ka humbur kontrollin mbi pandeminë. Për faj të tij qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga covid dhe infeksionet po rriten përditë. Rama nuk ka asnjë plan për të ndihmuar njerëzit. Spitalet, mjekët e infermierët janë të mbingarkuar dhe pacientët dergjen me orë të tëra në ambulanca. Qeveria fsheh shifrat reale të viktimave dhe të të infektuarve. Numri i testimeve është më i ulëti në Europë, njerëzit presin me javë për përgjigjen dhe fatura e barnave dhe trajtimit është e papërballueshme. Rama gënjen sepse nuk mori asnjë masë për t’u përballur me valën e dytë. Ai gënjen sepse edhe në kohë pandemie i çoi paratë e taksave të shqiptarëve për koncesione dhe tendera të miqve e tij. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve. Së bashku kemi forcën për ta mposhtur këtë të keqe, dhe për të sjellë shpresën dhe të ardhmen që dëshiron çdo shqiptar.
Reagimi i Bashës vjen pas paralajmërimit të bërë nga kryeministri Rama, se do të publikojë pamje ekskluzive nga spitalet Covid.
Statusi
Nesër në këtë faqe filmime krejt ekskluzive nga vija e zjarrit, në spitalet Covid ku sistemi ynë shëndetësor, më i gatshëm se asnjëherë më parë dhe heronjtë tanë me bluza të bardha, si asnjëherë më parë përballen me dallgët e forta të një epidemie globale, duke mbrojtur e shpëtuar jetë nga kthetrat e Armikut të Padukshëm…
Dje Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi masat e reja, sipas të cilit nga e mërkura do të vendosen orare të reja të lëvizjes.
Komiteti Teknik i Ekspertëve propozoi mbylljen e aktiviteteve të bareve dhe restoranteve, dhe kufizimin e lëvizjeve pas orës 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.