Një video që dispononte deputeti Halit Valteri, nxori në pah skandalin për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Në fjalën e marrë në Kuvend, deputeti publikoi shumë të pathëna e po kështu nuk hezoi të lëshojë një lum akuzash. Valteri ka zhvilluar një interpelancë me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe i ka kërkuar atij llogari për zbardhjen e atentatit ndaj prokurororit Ndoja.
“A keni dërguar policët që të sekuestrojnë kamerat e sigurisë? Unë e kam bërë. Kam shkuar në vendin e ngjarjes, dhe kam sekuestruar kamerat që shihen autorët e krimin, njëri është me kapele e tjetri është pa kapele”, deklaroi deputeti.
Pak më herët, mediat njoftuan se deputeti është kontaktuar për të dhënë shpjegime për mënyrën e posedimit të asaj video prej tij. Burime ende jo zyrtare bëjnë me dije se pjesë e hetimit do të jetë edhe roli i policisë. Kjo sepse deputeti Valteri, duke iu drejtuar ministrit Lleshaj, akuzoi policinë se nuk kishte sekuestruar kamerat e sigurisë në vendngjarje, gjë që e kishte bërë vetë ai.
Deputeti deklaroi hapur dhe në prani të kryeministrit Rama, se ky hetim po pengohet nga njerëz brenda sallës së Parlamentit, dhe janë ndoshta ata që urdhërojnë edhe Lleshajn.
Sot pas publikimit të pamjeve në Kuvend, deputeti Valteri është thirrur nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK).
Sipas informacioneve, SPAK kërkon nga Valteri që të dorëzojë videon që disponon. Po ashtu deputeti do të merret dhe në pyetje për të parë nëse ai disponon prova të tjera që ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes që ka ndodhur vitin e kaluar.