Maskat e fytyrës janë një mjet mbrojtës jetik për punonjësit e mjekësisë, të cilët janë duke u kujdesur për pacientët më të sëmurë me COVID-19.
Ky virus hyn në trupin e njeriut përmes pikave të vogla nëpër sy, hundë dhe gojë. Prandaj, vendosja e një pengese mbi fytyrë, mund të ndihmojë në ndalimin e infeksionit. Po për pjesën tjetër të njerëzve jashtë spitaleve, për ata që duhet të shkojnë në punë?
Deri disa kohë më parë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, sugjeronin se vetëm personeli shëndetësor dhe njerëzit e konfirmuar me COVID-19, duhet të mbajnë maska.
Madje disa ekspertë, thanë se përdorimi masiv i maskave nga popullata në përgjithësi, jo vetëm që nuk do t’i ndihmonte, por mund t’i dëmtonte njerëzit. Kjo për shkak se mund t’ju japë një sens të rremë sigurie.
Por qëndrimi po ndryshon kohët e fundit. Të dhënat e reja tregojnë se shumë njerëz të sëmurë por pa simptoma, mund ta përhapin shumë virusin.
Nëse ata do të mbanin maska, transmetimi i sëmundjes mund të zvogëlohej. Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetit, ka rekomanduar së fundmi përdorimin e detyrueshëm të maskave nga të gjithë.
Dhe kjo pasi një studim i ri, zbuloi se virusi mund të transmetohej përmes spërkalave të pështymës edhe 6-8 metra larg. Ekspertët renditin maska N95 si më të mirat kundër COVID-19.
Më pas vijnë maskat kirurgjikale. Por në mungesë të tyre, në shumë vende të botës, njerëzit po i qepin në shtëpi maskat që përdorin çdo ditë.
Ekspertët nuk janë të sigurt, se sa mund të mbrojnë ato në krahasim me maskat kirurgjikale. Gjithsesi, ato ofrojnë më shumë siguri, sesa nëse del jashtë pa asnjë lloj mjeti mbrojtës për fytyrën.
TIRANA TODAY