Konfirmohen dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri. Pacientët janë babë e bir të cilët kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, e cila njofton se dy pacientët kanë udhëtuar në rrugë tokësore nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinë personale.
“Dy qytetarët e konfirmuar me koronavirusin e ri, babë e bir, 54 vjeç dhe 28 vjeç kanë qëndruar disa ditë në Firence dhe kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinë personale.
Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e sotme nga laboratori i virologjisë në IShP.
Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin infektiv.
Ndërkohë strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve.
MSHMS u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë rigorozisht rregullat e higjienës, sipas njoftimeve që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare për marrjen e informacionit. MSHMS do të vazhdojë të ofrojë informacione të përditshme mbi situatën dhe masat e marra”, thekson Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka njoftuar forcimin e planit të masave për shkak të koronavirusit.
Bëhet me dije se sot në mëngjes do të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë, ku do trajtohen masat shtesë për përballimin e kësaj gjendjeje.
Mbledhja do të nisë prej orës 09:00 dhe disa nga ministrat do të raportojnë para Kryeministrit për punën e bërë deri më tani.