Edhe më pak se një orë na ndajnë nga manifestimi që ka thirrur presidenti i vendit Ilir Meta. Rreth një mijë policë pritet që të sigurojnë mbarëvajten e manifestimit të thirrur nga Meta.
Policia i ka dhënë leje për tubim vetëm për 2 orë organizatorëve, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, orar gjatë së cilit bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i bllokuar.
Një pjesë e mirë e numrit të policëve kanë zbritur në ambientet para Kryeministrisë. Makinat ujë hedhëse dhe ato të blinduara janë futur në ambientet e Kryeministrisë.
Në sheshin përpara godinës së Presidencës është ngritur podiumi në të cilin pritet të flasë presidenti Ilir Meta, dhe një sërë personazhesh të tjerë, kundër asaj që e quajnë grushti i shtetit nga qeveria, ndaj institucioneve kushtetuese të vendit.
Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka thirrur qytetarët në një manifestim paqësor sot në bulevard, në orën 17:00, për të ngritur zërin në mbrojtje të Kushtetutës.
Javët e fundit, presidenti Ilir Meta ka apeluar shpeshherë ndaj popullit, për të marrë pjesë në këtë manifestim dhe shprehej se shqiptarët duhet të jenë në shesh për të mbrojtur Kushtetutën.