Gjykata e Lartë ka vendosur të reagojë zyrtarisht në lidhje me operacionin “Mezhgorani” ku u arrestuan dhjetëra persona, ndër të cilët edhe gazetari dhe botuesi Henri Çili i cili u la i lirë ditën e djeshme.
Reagimi i Gjykatës së Lartë vjen pasi në operacionin në fjalë ka dyshime se persona të caktuar kanë ndërhyrë tek zyrtarë të Gjykatës së Lartë për të lehtësuar dënimin e vëllezërve Aliko, të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.
Në reagimin e saj, Gjykata thotë se gjyqtari i vetëm i mbetur në trupën e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, është relator i çdo çështjeje.
“Gjyqtari relator i çdo çështje që vjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë caktohet nëpërmjet shortit elektronik në mënyrë të menjëhershme dhe të rastësishme, menjëherë në momentin e regjistrimit të saj në regjistrat e kësaj Gjykatë….Aktualisht, për shkak se në Gjykatën e Lartë ka vetëm një gjyqtar në detyrë, të gjitha çështjet gjyqësore, të çdo lloji e natyre, pavarësisht nga koha kur kanë ardhur për shqyrtim, në sistemin e administrimit të çështjeve rezultojnë me gjyqtar relator të vetmin gjyqtar në detyrë: Ardian Dvorani”, thuhet në reagimin e Gjykatës.
Aty mohohet në mënyrë kategorike që gjyqtari Dvorani të ketë pasur kontakt ose dhe të ketë ndikuar në trajtimin me përparësi të dosjes së vëllezërve Aliko.
“Ashtu siç i deklaruam mediave të interesuara ditën e premte, pa miratimin me shkrim të drejtuesit të Gjykatës së Lartë, asnjë dosje gjyqësore nuk mund të tërhiqet për çfarëdo qëllimi nga ana e këshilltarëve ligjorë. Akoma më tej, duke vijuar si deri më sot ndjekjen me rigorozitet të procedurave dhe kritereve të miratuara, si edhe trajtimin e barabartë të atyre që presin prej vitesh zgjidhjen e çështjeve të tyre, në cilësinë e të drejtuesit të Gjykatës së Lartë gjyqtari Ardian Dvorani do të vijojë të garantojë respektimin e këtyre procedurave. Prandaj, jo vetëm nuk ka ndodhur, por askush të mos mendojë se mund të marrë përsipër apo të ndërhyjë duke i paracaktuar ndonjë trajtim të privilegjuar rasteve dhe çështjeve të caktuara, si aktualisht ashtu edhe në kohën kur Gjykata e Lartë, me ardhjen e gjyqtarëve të rinj, do të bëhet funksionale”.
Në reagimin e saj, Gjykata e Lartë jep dhe një informacion në lidhje me gjendjen e çështjeve në shqyrtim.
“Deri në fund të muajit Janar 2020, në Gjykatën e Lartë janë në pritje për t’u shqyrtuar 5202 çështje penale, nga të cilat 79 janë në seancë gjyqësore dhe 5123 në dhomë këshillimi.
Ndërkohë janë përgatitur dhe janë të gatshme për t’u shqyrtuar, në dhomë këshillimi 566 çështje penale, numër i cili rritet vazhdimisht me rreth 40-50 çështje të reja që përgatiten çdo muaj.
Për këtë qëllim, aktualisht dhe për një periudhë afatmesme, Gjykata e Lartë po bashkëpunon dhe do të mbështetet me ekspertizë, masa dhe burime të tjera nga SHBA nëpërmjet Projektit Justice for All dhe nga Euralius”. /Opinion.al