Regjisori i njohur Robert Budina së fundmi i është kundërpërgjigjur deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca. Ky i fundit theksoi pak më parë publikisht se çështja e teatrit është politizuar, ndërkohë Budina ka pohuar se nuk është aspak dakord me të.
Deklarata e Budinës:
“Nuk jam dakord me ju. Nuk është e politizuar situata. E dyta, qeveria duhet të respektojë artistët, të presë. E treta, të mos i sulmojë brenda Teatrit Kombëtar. E katërta, me ju kemi kërkuar një takim dhe duhet të takohemi sepse situata është shumë kritike.
E pesta, minimumi që mund të bëjë qeveria, përpara se të fillojë tenderin, i cili është i paligjshëm, duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse kemi gjysmën e popullit që nuk është i përfaqësuar.
E gjashta, ne kemi filluar aktivitetin në Teatrin Kombëtar, po bëjmë rikonjicionin, informacionet e qeverisë nuk janë të sakta. Teatri nuk rrezikon dhe ne kemi hapur festivalin për mbrojtjen e Teatrit ku do të vijnë artistë nga e gjithë bota, përfshirë edhe z.Placido që na mbështet. Nuk doja që të hapja asnjë polemikë, doja thjesht të komunikoja. Ne do t’i zgjidhim me maturi, ashtu si 1 vit e gjysmë ne kemi bërë vetëm protestë paqësore dhe jemi investuar tre orë në ditë për të fituar demokracinë në Shqipëri, të cilën do ta realizojmë”.