Pas një përballje ligjore e cila zgjati më shumë se 2 vite, shoqëruar me protesta nga shoqëria civile, Gjykata e Apelit ka ndezur dritën jeshile vazhdimit të projektit Veliera në Durrës. Kështu Gjykata e Apelit vendosi që ndërtimet të vazhdojnë edhe në zonën arkeologjike A, e kundërshtuar fortë nga arkeologë dhe shoqëria civile.
Avokatja e cila merret me këtë çështje, Mirela Cela Jorgo në një intervistë për Tirana Today thotë se ky është një akt i paprecedentë. Kjo pasi sipas saj gjyqtarët e çështjes kanë marrë vendimin papritur pa marr parasysh vendimet e palës paditëse.
“Gjykata Administrative e Apelit këtu në Tiranë, në të cilën gjyqtar ishte Kastriot Selita fare papritur jep vendimin dhe thotë që pushohet ankimimi që ne kishim bërë. Si edhe prishet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative. Ne jo vetëm duhet të qajmë që nuk na u pranua ankimimi, por edhe prishjen e atij vendimi, i cili ishte pjesërisht i drejtë. Edhe pse nuk ishte i shprehur i saktë që projekti “Veliera” është i jashtëligjshëm.
Ne kërkuam në Gjykatën Administrative të Apelit që projekti “Veliera” të anulohej plotësisht si një akt administrativ i pavlefshëm dhe që shkatërron plotësisht Trashëgiminë Kulturore. Por edhe trupi gjykues i kësaj gjykate tërhiqet në mënyre absurde në Dhomën e Këshillimit duke anuluar vendimin për shqyrtimin gjyqësor të datës 13 shkurt 2019 dhe vendosjen e pushimit të gjykimit. Një maskaradë në të gjithë këtë kalvar gjykimesh të këtij procesi maratonë.
I gjithë gjykimi i procesit Veliera si në Gjykatën e Apelit dhe në atë të Apelit Administrativ u bë në Dhomë Këshillimi pa dëgjuar pretendimet tona.”
Avokatja e njohur thotë për Tirana Today se një nga arsyet përse çështje është pushuar lidhet me një konflikt të krijuar me ambientalistin Sazan Guri. I cili sipas saj, dorëzoi një ankimim të dytë për të njëjtën çështje, por jashtë afatit ligjor. Kështu Gjykata morri parasysh ankimimin e bërë prej Gurit.
Gjyqtari i Apelit Arben Vrioni një nga pikat ku është kapur ka qenë që ankimimi është bërë jashtë afatit. Kjo pasi kishte marr për bazë ankimimin e Sazan Gurit dhe nuk kishte marr për bazë ankimimin tim si avokate e çështjes. Kur unë bëra ankimimin në Apel për të kundërshtuar mbylljen e kësaj dosje, duke kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë Durrës, ishte brenda afateve. Sazan Guri bën dhe një ankimim tjetër ku kishin kaluar afatet. Dhe një tjetër përse Arben Vrioni e pushoi si çështje ishte fakti që thoshte se ne nuk ishim ‘viktima akuzuese’. Kjo pasi nuk jemi dëmtuar nga vepra penale, që presupozoni se është e tillë. Më fal a ka arsyetim më idiot se ky dhe të thuash që ti nuk je prekur nga dëmi?! Kur ky është një dëm që na prek gjithë opinionin dhe është një e mirë publike që shkatërron arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore.
Aty kanë folur dhe ekspertët, edhe pse neve e kemi kundërshtuar fortë në gjykatë. Ekspertët ishin jo të rregullt në ekspertizën e tyre. Sepse edhe e pranonin që shkelej zona arkeologjike A, por edhe deklaronin që dëmi nuk është i madh. Domethënë unë ty të vras, nuk të vras shumë, por pak. Është diçka absurde.”
Jorgo akuzon kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dako për shpërdorim detyre. Si edhe bën përgjegjëse për këtë projekt monstruoz siç ajo e quan, edhe Ministrinë e Kulturës. Ndërkohë bën të ditur se beteja ligjore e shoqërisë civile nuk do të ndalet.
“Ne do të bëjmë ankimimin në Gjykatën e Lartë, e cila natyrisht që është e bllokuar sepse do dy vite që të formohet. Le të ngelet ‘Veliera’ një gërmadhë dhe si një emblemë e korrupsionit të një kryetari bashkie, i cili ka marr paratë për të bërë një vepër monstruoze. Për mendimin tim aty është më tepër një pastrim parash, sepse nuk kishte pse bëhej në atë pjesë të qytetit. Aty gjëja e parë që po bëhet, nuk është vetëm hapësira e projekt ‘Velierës’. Por, aty gjithmonë e më shumë po zgjerohet ky projekt dhe po ngushtohet pjesa e pronarëve të cilët kanë pronat e tyre rreth këtij projekti. Pra, është një çështje shumë e ndërlikuar, por shumë e thjeshtë për tu kuptuar. Kemi veç një shtet që abuzon me të mirën publike, trashëgiminë kulturore dhe në fund i jep shkelmin pronarëve, të cilët janë pronarët aktualë të asaj pjese.” / TIRANA TODAY