Më herët, ekspertët e sëmundjeve infektive kanë deklaruar se shanset për të zhvilluar një vaksinë të suksesshme kundër Covid-19 deri në janar, është një sfidë jashtëzakonisht ambicioze, por është e mundur. Tashmë që janë disa vaksina tejet efektive, edhe kërkesat nga vende të ndryshme është e lartë. Rritja e numrit të të infektuarve gjatë valës së dytë të pandemisë në Itali, ka sjellë spitalet në disa pjesë të vendit në situatë të rëndë. Italia po bën gati planin për shpërndarjen e vaksinës: Një pikë për çdo 20 mijë banorë.
“Italia do të ketë një pikë “ruajtje dhe administrimi” vaksinash anti-covid për çdo 20 mijë banorë”. Kështu ka njoftuar komisari për emergjencën Domenico Arcuri, ndërsa ka dhënë detaje për planin që po përgatit Italia për shpërndarjen e vaksinës. Ky plan duhet të jetë gati për javët e ardhshme.
Plani që Italia po përgatit, merr në konsideratë 4 çështje: shpërndarje nga kompania prodhuese e vaksinës ose shteti blerës, temperaturën e ruajtjes së vaksinës, modalitetin e shpërndarjes si dhe intervalin kohor mes dozës së parë dhe të dytë.
“Duke konsideruar këto 4 variabla, po organizojmë një plan që parashikon përfshirjen e Rajoneve dhe Komunave të cilave u kam kërkuar që të më tregojnë pikat e administrimit në brendësi të spitaleve”, ka deklaruar më tej Domenico Arcuri.
Deri më tani, Italia ka shpenzuar 94 milionë euro, që është edhe kuota që Bashkimi Europian i ka kërkuar Italisë për të blerë për sasinë e vaksinave që janë deri më tani të gatshme.