Krijimi i aksit fashist Romë-Berlin-Tokio, vuri në një garë të treja shtetet, se kush do të aneksonte sa më shumë territore, për ngritjen e perandorive të tyre te reja. Italia kishte pushtuar në vitin 1936 shtetin e pavarur të Etiopisë në Afrikë, në mesin e protestave të zëshme por të paefektshme të Lidhjes së Kombeve.
Por, Gjermania e Adolf Hitlerit, ishte e para në këtë garë. Ajo kishte aneksuar një pjesë të Çekosllovakisë dhe më pas Austrinë, teksa po përgatitej të zgjerohej më tej, në lindje me territoret polake. Edhe Japonia e perandorit Hirohito i ishte vërsulur Kinës, duke pushtuar në vitin 1937 rajonin e madh të Mançurisë.
Xheloz për aleatët e tij, udhëheqësi fashist i Italisë, Benito Musolini, vendosi që të pushtojë zyrtarisht Shqipërinë, të cilën 14 vitet e fundit e kishte shndërruar de facto në një protektorat ekonomik të Italisë, përmes huave të shumta, dhe depërtimit të madh të kompanive italiane në vend, që shfrytëzonin kryesisht burimet tona natyrore.
Kështu me 25 mars 1939, Italia i dërgoi një ultimatum zyrtar Shqipërisë, ku kërkonte shndërrimin e saj në një provincë italiane. Mbreti Ahmet Zogu, e refuzoi atë dhe 2 ultimatume të tjera disa ditë më vonë, edhe pse nuk kishte asnjë plan për rezistencë të armatosur, por vetëm për t’u larguar nga vendi me familjen dhe besnikët e tij.
Plani origjinal ishte që në pushtim të merrnin pjesë deri në 50.000 ushtarë, të mbështetur nga 137 njësi detare dhe 400 avionë. Në fund, forca ushtarake u rrit në 100.000 njerëz, të mbështetur nga 600 avionë, si dhe 11.000 kolonë italianë. Të premten e 7 prillit 1939, trupat e Musolinit, të udhëhequra nga gjeneral Alfredo Guxoni, sulmuan Shqipërinë, duke zbarkuar në të gjitha portet shqiptare në të njëjtën kohë.
65 njësi zbarkuan në Sarandë, 40 në Vlorë, 38 në Durrës, 28 në Shëngjin, dhe 8 në Bishtin e Pallës. Në Durrës, Vlorë dhe Sarandë u zhvillua një rezistencë e armatosur e patriotëve shqiptarë. Në Durrës 360 burra, të udhëhequr nga Abaz Kupi dhe kapteri i marinës Mujo Ulqinaku, e pritën me armë pushtuesin. Edhe pse të armatosur keq, rezistenca zgjati për disa orë. Italianët që nuk e prisnin këtë rezistencë, u zmbrapsën disa herë. Me vrasjen e Mujo Ulqinakut dhe zbritjen e tankeve në tokë, rezistenca u shkërmoq. Veç Ulqinakut atë ditë u vranë në Durrës edhe 12 atdhetarë të tjerë shqiptarë.
Sipas tregimeve të banorëve vendas, në Durrës u vranë rreth 400 italianë. Ndonëse vetë italianet raportuan vetëm 12 të vrarë gjatë gjithë pushtimit. Historiani amerikan Bernd Fisher në librin e tij “Shqipëria në luftë 1939-1945”, citon kryekëshilltarin i ministrit fashist Galeaco Çiano, Filipo Anfuzo, të jetë shprehur: “Sikur shqiptarët të kishin pasur një brigadë të armatosur mirë, do të na kishin hedhur në Adriatik!”.
Italianët e pushtuan Shqipërinë brenda 3 ditëve. Ky pushtim i tronditi shumë patriotët shqiptarë, të cilët organizuan disa protesta dhe demonstrata. Më të njohurat ishin, ajo e 28 Nëntorit 1939 në Korçë, por dhe në Tiranë më 28 Tetor 1940. Po si u prit pushtimi i Shqipërisë së vogël në arenën ndërkombëtare? Lidhja e Kombeve, një organ që tashmë nuk e pyeste më njeri, as që u ndje fare. Ndërsa Anglia, Franca, Jugosllavia dhe Greqia, e bënë një fakt te kryer. As Bashkimi Sovjetik nuk reagoi.
Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit, Kordell Hall, nëpërmjet një deklarate të datës 8 prill, e dënoi pushtimin fashist si një kërcënim për paqen. Një orë përpara fillimit të zbarkimit të trupave italiane në bregdetin shqiptare, Mbreti Ahmet Zogu, Mbretëresha Geraldinë dhe princi trashëgimtar Leka vetëm 2 ditësh, u larguan nga Tirana drejt Korçës, dhe prej andej në Greqi.
Në emigrim, ai u përpoq që të merrte mbështetje në qarqet diplomatike perëndimore, për të imponuar tërheqjen e Italisë nga Shqipëria, po pa rezultat. Në vjeshtën e atij viti, shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, dhe asnjë nga vendet e mëdha nuk u shqetësua për fatin e një vendi të vogël si Shqipëria, në kushtet kur në rrezik ishin gjëra shumë më të mëdha.
Nga mërgimi, ish-kryeministri shqiptar Mehdi Frashëri i dërgoi një telegram liderit fashist, Benito Musolini. Ai përbetohej se trupat fashiste do të kalonin mbi kufomat e grave dhe burrave shqiptarë, duke i kërkuar që Italia Fashiste të njihte pavarësinë e Shqipërisë. “Nga hiri i shpirtit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, ne bëjmë thirrje për një sakrificë supreme. Ne do të preferonim më mirë vdekjen se sa ç`nderimin. Ne e dimë se ju posedoni një artileri të fuqishme; keni mitroloza, gaz asfiksues, aeroplanë, dhe gjithçka tjetër shkatërruese, që sjell me vete një luftë. Ne kemi vetëm shpirtin e kurajës dhe të sakrificës, për të rënë si martirë.
Kanë kaluar pesë shekuj të mbushur me lumenj gjaku, duke ia nisur me barbarët aziatikë. E tashmë, në shekullin e njëzetë, ju në emër të popullit italian merrni përsipër të kryeni barbarizma nën etiketën e oksidentit? Unë do të dëshiroja t’ju kujtoja se kjo do të sjellë dëme të pariparueshme. Pranojeni pavarësinë e Shqipërisë ashtu siç është z.Mussolini, pasi ky paralajmërim është dëshira intime e popullit shqiptar. Përndryshe, armata fashiste do të kalojë jo vetëm mbi kufomat e burrave të këtij vendi, por edhe te grave të tij”- shkruante Frashëri.
Por kjo do të ishte një thirrje patetike dhe e vonuar, ashtu si apeli i mbretit në Radio Tirana, pak orë para largimit, për rezistencë, në kushtet kur ushtria modeste shqiptare ishte e paorganizuar, ato pak armë të rënda ishin nxjerrë qëllimisht jashtë funksionit.
Për të justifikuar mosveprimin e Zogut në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, një ndër mbështetësit e tij parashtron në një libër pyetjen: “Po a kish shanse Shqipëria me 800 mijë banorë t’i rezistonte Italisë, që vetëm ushtarë kishte 8 milionë”? Dhe, po vetë përgjigjet: “Lufta nën udhëheqjen e mbretit Zog mund të fillonte, por do të kish viktima njerëzore e dëme materiale të pa llogaritshme”.
Përgjigjen se cili duhet të ishte qëndrimi i duhur i mbretit Zog përpara pushtimit fashist të vendit, e dhanë vetëm 6 muaj më pas, presidenti i Polonisë, Vladislav Rashkievic dhe kryeministri Vladislav Sikorski, që nuk i morën parasysh humbjet në njerëz dhe materiale, por u vunë në krye të rezistencës anti-hitleriane të popullit të tyre, dhe gjaku i derdhur u shndërrua në një përmendore të nderit dhe lavdisë së popullit polak.
Në krye të rezistencës anti-hitleriane të popujve të tyre, do të viheshin edhe Mbretëresha Vilhelmina e Holandës, si dhe Mbreti Hakon VII i Norvegjisë. Pas rezistencës së parë në vendet e tyre, ashtu si anëtarët e qeverisë polake, mbretëresha Vilhelmina dhe mbreti Haakon VII u ftuan nga qeveria e Mbretërisë së Britanisë së Madhe, për ta vijuar veprimtarinë e tyre udhëheqëse antifashiste nga Londra.
Me fitoren e Luftës së Dytë Botërore, pjesëtarë të ekipit qeveritar polak, Mbretëresha Vilhelmina dhe Mbreti Haakoni VII, u kthyen me nder në vendet e tyre. Mjerisht, mbreti Zog nuk ndoqi as një rrugë më dinake: atë të kompromisit. Ish mëkëmbësi i mbretit italian, Jakomoni e këshilloi më shumë se një herë mbretin Zog, të pranonte zbarkimin paqësor të trupave fashiste italiane në portet dhe pikat strategjike të Shqipërisë, por të qëndronte në vend dhe të shfrytëzonte garancitë e Musolinit për “ruajtjen e dinjitetit dhe mbrojtjen e sovranit dhe dinastisë së tij”.
Përvoja e Luftës së Dytë Botërore, tregoi se këtë rrugë e ndoqi mbreti i Danimarkës, Kristiani X. Kur trupat naziste pushtuan Danimarkën në vitin 1940, ai u tërhoq nga jeta politike, por ruajti integritetin mbretëror të familjes së tij, sipas garancive që i dha Hitleri. Në vitet 1943-1945, mbreti filloi ngritjen e grupeve klandestine anti-naziste, dhe nuk e ndërpreu këtë aktivitet edhe Gestapo e vuri nën arrest shtëpie, duke u bërë kësisoj një simbol i rezistencës daneze, dhe pas luftës e rifitoi fronin e tij legjitim.
Nëse, Zogu nuk do të largohej nga Shqipëria, ai mund të ishte shndërruar në një element të fuqishëm në ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve, dhe në organizimin e rezistencës popullore antifashiste. Prania e tij në Shqipëri, mund të kishte penguar komunistët shqiptarë të dilnin në krye të rezistencës, si dhe do ta vështirësonte ngjitjen e tyre në pushteti pas luftës./ TIRANA TODAY