E enjte, 2 Dhjetor, 2021
7.5 C
Tirana

11 dhjetori, themelimi i dytë, apo ndarja e madhe e PD?

Ç’pritet të ndodhë më 11 dhjetor me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të thirrur nga Sali Berisha? A do jetë ky kuvendi që do ribëjë, do rithemelojë dhe ridimensionojë Partinë Demokratike, apo do ta kthejë atë në një parti të përçarë, të ndarë mes dy grupimesh dhe të padenjë për të bërë opozitën e duhur? Opsionet e mundshme mbështetur mbi faktet dhe në disa deklarata të bujshme të bërë nga eksponentët më interesantë të përfshirë në këtë lëvizje tektonike që ka përfshirë PD, por që pritet të ketë ndikim në të gjithë politikën shqiptare.

Nga: Roland Qafoku

11 dhjetori i këtij viti nuk do jetë vetëm dita në të cilën kujtohet 31 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike. Me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha kjo do shndërrohet në ditën në të cilën pritet të marrë përgjigje pyetja e madhe: A do jetë e shtuna e dytë e muajit të fundit të vitit dita e rithemelimit të Partisë Demokratike, apo dita e ndarjes dhe e përçarjes së madhe? A mund të sjellë ky Kuvend bashkimin e madh që predikon Sali Berisha, apo mund të sjellë ndarjen e madhe mes tij dhe Lulzim Bashës dhe dy parti demokratike, një që mbështet Berishën dhe një që mbështet Bashën?

Në këtë situatë PD nuk ka qenë në asnjë moment nga këto 31 vjet. Ka vlerën e një goditje tektonike dhe mbetet vetëm të presë pasojat. Mes të pesë kryetarëve, vetëm me rastin Basha partia rrezikon skizmën e saj. Rreziku dhe ndarja e madhe nuk ndodhi as kur ishte Azem Hajdari kryetar i Komisionit Nismëtar pavarësisht jo pak divergjencave që pati që në start. Ndarja e madhe nuk ndodhi as kur kryetar ishte Sali Berisha dhe nga PD u larguan disa figura të rëndësishme dhe bashkëthemelues si Neritan Ceka, Gramos Pashko, Arben Imami, Dashamir Shehi e të tjerë. Ata vërtetë krijuan parti më vete, por kurrë nuk krijuan në parti të madhe sa PD. Ndarja e madhe nuk ndodhi as kur kryetar i PD ishte Eduart Selami dhe mes tij dhe Berishës pati një përplasje të fortë në vitin 1995 që u shoqërua me largimin e Selamit në SHBA. Ndarja e PD nuk ndodhi as kur kryetar ishte Tritan Shehu dhe ndodhën ngjarjet e rënda të marsit 1997 dhe kjo parti mori faturën për gjithçka që ndodhi. Ndarja e PD nuk ndodhi as kur Berisha u kthye sërish kryetar i PD dhe atij dhe PD-së iu desh të ngrihen nga hiri. Por rreziku i ndarjes reale po ndodh pas tetë viteve që këtë parti e ka drejtuar Lulzim Basha dhe që ironikisht ka fituar edhe një mandat të tretë për ta drejtuar.

THEMELIMI DYTË I PD

E sigurtë është se më 11 dhjetor Partia Demokratike nuk do shpërndajë ftesa dhe nuk do ketë festë. E sigurtë është se në këtë datë do synohet rithemelimi i Partisë Demokratike, një frazë e dalë së pari nga goja e Mark Markut më 17 korrik por që jo vetëm u mor si një lajthitje, por ishte një pikëz ujë në detin vaj të qetë të Partisë Demokratike në të cilën nuk ndodhte asgjë e nuk kundërshtonte kush. Por me 15 foltore të organizuara deri tani Sali Berisha vërtetë po motivon, po mbledh më shumë njerës dhe po krijon një frymë që nuk ishte parë brenda PD që nga koha që ai vetë e kishte lënë. Më shumë se një herë Sali Berisha ka deklaruar në “Foltore” se kuvendi i 11 dhjetorit do jetë kuvendi i ringritjes së madhe. Ndërsa në një rast tjetër tregoi se kishte fituar bastin me Bill Clinton se pas rënies së madhe në vitin 1997, ai do ringrihej dhe kjo gjë ndodhi. Tashmë Sali Berisha po e provon të ringrihet për herë të tretë. Por a do ta arrijë Berisha të bëhet nuse për herë të tretë?

A do arrijë Berisha më shumë se për vete ta themelojë sërish PD-në dhe ta kthejë atë në një forcë reale fituese ndaj kësaj mazhorance? Fakti që Berisha mund të triumfojë ndaj Lulzim Bashës nuk do të thotë rrjedhimisht që do ta bashkojë partinë. Shenjat e para të çarjes brenda çarjes janë dukur. Kështu, vërtetë Fatbardh Kadilli është armik politik i Lulzim Bashës dhe kërkon largimin e tij, por ai nuk mbështet as Berishën dhe nuk dëshiron që pikërisht Berisha të bëhet kryetar i PD. Vërtetë armik kryesor politik ka Lulzim Bashën, por Jozefina Topalli nuk ka marrë pjesë në asnjë nga 15 “Foltoret” e Berishës dhe në studio televizive po duket gjithnjë e më rrallë. Vërtetë Edit Harxhi është armike politike e Lulzim Bashës dhe ka muaj të tërë që kërkon largimin e tij, por edhe pse mbështet “Foltoren”, madje edhe nxit që mbështetësit e saj të shtohen, nuk është parë në asnjë prej tyre. Më e rëndësishme se kjo është se Edith Harxhi nuk dëshiron që Sali Berisha kryetar të jetë zgjidhja e kësaj situate në PD. Vërtetë Arben Imami është armiku politik i Lulzim Bashës por nuk duket gjëkundi, as në media, as në bazë, se në “Foltore” jo e jo. Prej 4 vitesh Edvin Kulluri dukej pothuajse zëri i vetëm kundër Lulzim Bashës duke kërkuar largimin e tij, por Kulluri vendosi kandidaturën për të qenë kryetar i PD duke u pozicionuar edhe kundër kandidaturës së Berishës. Pra, Partisë Demokratike është në një situatë vërtetë të nderë.

Në pamje të parë duket se Sali Berisha është i vetmi që mund ta bashkojë partinë, por njëkohësisht po Berisha nuk mund të arrijë atë bashkim të madh që pritet. Edhe nëse Berisha arrin të triumfojë ndaj Bashës dhe të bëhet kryetar çfarë do bëjë ai me Bashën, do ta “kthejë andej nga erdhi” siç ka thënë apo do ta bëjë pjesë të lidershipit? Po me mbështetësit e Bashës çfarë do bëjë Berisha, do ti përjashtojë siç përjashtoi Basha mbështetësit e Berishës? Çfarë pozite do kenë në PD-në e drejtuar nga Berisha figura të tilla si Gazmend Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Oriola Pampuri? Nëse do ti përjashtojë, përsëri do kemi të njëjtën situatë. PD-ja do jetë e ndarë në dy pjesë, por ndryshon vetëm kryetari.

Ndërkohë nëse do shikojmë më kujdes qendrimet që mbajnë jo militantët dhe jo mbështetësit ekstremistë ndaj Berishës dhe Bashës, më shumë se hallin e Berishës dhe Bashës ata qajnë hallin e Partisë Demokratike. Vërtetë deputetja e re, Sorina Koti, u bë pjesë e “Foltores” së Korçës duke u bërë e vetmja deputete që mori fjalën dhe i kërkoi Berishës se çfarë do të bënte ai për ta bashkuar partinë: Me fjalë të thjeshta Koti përmblodhi atë që kërkon shumica në fakt: “Është vërtetë pikë shumë e vështirë, po ju kërkoj ju si themelues i Partisë Demokratike, si një nga njerëzit që e keni udhëhequr këtë forcë, ju kërkoj të gjejmë një rrugëzgjidhje, një mënyrë për ta kthyer Partinë Demokratike në forcën e saj. Forca jonë është bashkimi”.

Një tjetër figurë pa ngarkesa është Flutura Açka, deputetja me një profil edhe më pak të pozicionuar ndjehet e zhgënjyer:“Nga kjo siguri që kam marrë që Berisha dhe Basha janë bashkë dhe PD është një. Vjen një moment që kërcet mes tyre dhe ky është një problem i ardhur nga jashtë. Që i ka hyrë PD nga jashtë si bombë në mes. Atëherë është problem mes këtyre dy kryetarëve. Mes senior-it dhe juniorit. Ta zgjidhin këta të dy. Ta zgjidhin mes njëri-tjetrit. Dhe jo ti krijojnë këtë shok Partisë Demokratike. Ata të dy e kanë për detyrë ta zgjidhin me njëri-tjetrin”.

Lexo edhe :   Llampa e Aladinit s’mund ta shndërrojë sondukun e Palokës në arkën e Noes

Por si deputetja Koti dhe si Açka janë të paktë në PD. Duket sikur të gjithë po rendit të pozicionohen në dy llogore, në atë të Bashës dhe në atë të Berishës me kujdesin për të kuptuar se kush e ka nuhatjen më të mirë për tu renditur me fituesin. Kjo është ajo që po e gërryen PD-në.

ÇARJA E MADHE DHE PIKIATA E PD

Nga “Foltorja” e Lushnjes pasditen e të premtes Sali Berisha lëshoi këto fraza dhe etiketime ndaj kryetarit aktual Lulzim Basha: “Ish-kryetari”, “kryetari pa parti”, “Nuk ndez dot as veten e jo më PD”, “Partinë e shndërroi në shoqatë”, “vrapoi si tinzar pas karrikes së tij”, “tradhëtoi ju dhe tradhtoi PD”, “ka marrëveshje ta shëndërrojë PD në ministri të narkoshtetit”, “nuk vjen dot te ju, ka frikë nga ju”, “është peng i Edi Ramës”. Janë fraza të pamëshirshme që mjafton ti lexosh dhe kupton se sa seriozisht e ka Berisha largimin e Lulzim Bashës dhe sa në pozitë të vështirë është Lulzim Basha. Kësaj situate dje dhe pardje iu shtua edhe me Forumin Rinor të Partisë Demokratike dhe Lidhjen e Gruas Demokratike. Të drejtuesit aktualë të këtyre forumeve kanë dalë hapur ndaj urdhrit të Lulzim Bashës për të diktuar zgjedhje për drejtuesit e tyre.

Lexo edhe :   Basha si mëkatari i pakicës së ndritur

Edhe sikur Basha të kishte të drejtë, a ishte ky momenti që pasi për disa vite i la me kryetarë me mandat të mbaruar të bënte zgjedhje? Sigurisht që bie erë për hakmarrje pse Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi janë pozicionuar kundër tij dhe pro Berishës. Edhe më e rëndë bëhet situata kur kundër Këlliçit dhe Vokshit dalin dy mbështetëse të Bashës. E para Oriela Nebiaj që jep leksione demokracie por nuk mbante mend se kush kishte firmosur për zgjedhjet në vitin 2014 kur ajo garoi. E dyta habitshëm Oriola Pampuri që duhet theksuar është një nga zerat më dinjitozë në PD, por që nuk kuptohet pse pozicionohet në një proces që po ndërhyhet dukshëm. Vulën këtyre pyetjeve ia dhanë dje të rinjtë që morën pjesë në “Foltoren” e Tiranës ku u duk qartë mbështetja ndaj Berishës dhe jo ndaj Bashës. Ndoshta kjo ishte “Foltorja” mw e bukur e drejtuar nga Berisha.

Në të njëjtën kohë askush nuk e di përse Lulzim Basha i urtë është bërë papritur trim. Jo vetëm me Flamur Nokën, Luan Baçin, Belind Këlliçin dhe Albana Vokshin. Kulmi i trimërisë së tij ka qenë ndaj Sali Berishës me dy deklarata të forta duke e futur Sali Berishën në një thes me Edi Ramën dhe Ilir Metën. E para:

“Trekëndëshi i Bermudës” i ka ditët e numëruara! Kështu që jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim, nga ajo për të cilën i keni hyrë në hak shqiptarëve, ti i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një, brinjët e “Trekëndëshit të Bermudës” do të bien! Shqiptarëve do t’u hapet rruga e mbyllur 30 vite”.

E dyta:

“Shqipëria duhet dhe do të ndahet njëherë e përgjithmonë nga llumi 30-vjeçar i tranzicionit. Shqiptarëve do t’u hapet rruga e zhvillimit dhe integrimit”.

Dhe e treta:

“Unë jam vetëm peng i Zotit dhe i askujt tjetër. Zotit i kam hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Jam ulur shumë herë me të për një zgjidhje që e ndihmonte atë dhe nuk dëmtonte PD. Një person ka marrë një parti peng vetëm për interesa personale, para 2 muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani unë jam i keqi. Çfarë ka ndryshuar nga zgjedhjet e kaluara që ne patëm në parti përveç interesit personal të një individi që përpiqet të tërheqë një parti të tërë në greminë. Unë nuk i jam përgjigjur sepse nuk është stili im, rruga ime, por mbi të gjitha nuk i shërben vendit”.

Ndërkohë për të ngjyrosur edhe më shumë çarjen e madhe mjafton të citojmë Arbi Agalliun, një deputet i ri i PD që mbështet Lulzim Bashën:

“Kjo është një temë specifike që sa më shumë ta ngacmosh aq më shumë ndihmon në përçarjen e Partisë Demokratike nëse nuk e fut në ullukun e duhur. Unë besoj fort që u ka takuar dy njerëzve për ta zgjidhur këtë sikurse është zoti Basha dhe zoti Berisha. Persona të caktuar, drejtues të Partisë Demokratike, persona të caktuar që kanë mbajtur pozicione në qytetin e Vlorës. 33 drejtori ka patur Vlora. Sot nuk guxojnë të dalin në qytet. Shkoni dhe pyesni sa persona nga ju drejtorë kanë dalë në fushatë për të kërkuar votën. Se kishin frikë se u kërkonin bakshishin që kishin marrë kur ishin drejtorë”.

Dhe për ta kuptuar se ndarja dhe çarja janë reale shikojmë te një armik permanent i Bashës, Jozefina Topalli, e cila kur flet për të nuk përton të lëshojë një frazë të stilit të saj:

“Ore, ai nuk njeh asgjë. “De facto” ai ka ikur. De fakto nuk është më kryetar sepse i ka ikur anëtarësia, i kanë ikur të gjitha kolonat. I ka ikur baza dhe rri vetëm me vulën në zyrë. Nëse nuk ikën? E kapin hopa dhe e e largojnë. Mblidhet kuvendi. Kush pyet për të. Kur kuvendi vendos, nuk ka më”.

Dhe për ta mbyllur panoramën e situatës me deklarata, sjellim atë që vetë Berisha tha ndaj Bashës:

“Kemi një krizë të thellë, por do ta kapërcejmë të gjithë së bashku. Ky entuziazmi juaj është rikthimi i opozitës në vend dhe e vlerësoj jashtë mase. Lul Basha, peng-Basha më mirë të themi do jetë mirë të shkojë andej nga erdhi. Uroj të dorëzojë dhe mandatin dhe të shkojë nga erdhi”.

Këto fjalë dhe deklarata nuk kanë nevojë fare për koment.

ZGJIDHJA IDEALE, PD TË DREJTOHET ME NJË REGJENCË

As me Bashën e as me Berishën. Por me kë? Kjo dilemë duket se zgjidhet nëse beteja nuk personalizohet. Dhe që kjo të mos arrihet duket se propozimi më i drejtë është ai i Bujar Nishanit që është figura më serioze, më e larguar nga interesat e ngushta të PD. Bujar Nishani më shumë se një herë ka thënë:

“Për një periudhë të caktuar kohe PD ta drejtojë një grup me figurash të rëndësishme dhe me kontribute në parti që nuk kanë aspiratë për tu bërë kryetar dhe që të realizojë një proces demokratizimi dhe zgjedhjesh në parti.

Edhe Edit Harxhi është në të njëjtën linjë por edhe më radikale se Nishani kur thotë:

“Do shkohet drejt zgjedhjeve të reja për kryetar. Ne si “Grupi për PD” kemi propozuar një këshill të përkohshëm për një periudhë gjashtë mujore. Do bëhen zgjedhjet nga poshtë lart dhe jo nga kryetari te degët. Por gjitshesi, ajo që është e rëndësishëm është largimi i Lulzim Bashës”.

Ndërsa kryetari Lulzim Basha ka deklaruar prerë se nuk do të lejojë dhe nuk do mbahet kurrë një kuvend antimerikan, Bujar Nishani iu përgjigj me zgjidhjen se ky kuvend do mbahet në sheshin “Skënderbej”. Kjo përplasje është simbolika e situatës në PD të një situate që endet me rithemelimit dhe ndarjes së madhe përfundimtare. Askush në këto momente nuk e di se kush do fitojë. Më 11 dhjetor do mbahet kuvendi, por nuk mund të ndodhë as bashkimi e as ndarja. E vetmja gjë që dihet është se mazhoranca socialiste rri e vështron dhe lutet që kjo situatë në PD të vijojë sa më gjatë.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

“Do të të vras, mbys fare”, banori me skizofreni kërcënon fëmijët

Disa banorë në një lagje të Bashkisë Dimal, ose Urës Vajgurore, iu drejtuan emisionit “Stop” në Tv Klan për ndihmë, pasi fqinji i tyre...

“Si jemi gjallë pas xhirimeve në ato kushte”, Reshat Arbana nxjerr të pathënat

Reshat Arbana është pa dyshim një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë. Ka realizuar rreth 40 role, shumë syresh të paharrueshëm. Kur ishte fëmijë,...

1000 kurthe dhe teli me gjemba

Nga: Frrok Çupi Foltoret e këtij po duken e po zhduken ‘gëmushave’ në një marshim si iriqi. Sot ndodhet në Tropojë. 24 vjet më parë...

12 milionë gjermanë të pa vaksinuar/Spahn: Sistemi shëndetësor do mbingarkohet

Numri i njerëzve të pa vaksinuar në Gjermani është ende aq i madh, sa rrezikon të mbizotërojë sistemin shëndetësor të vendit. Ky paralajmërim ka...

Një marrëveshje globale për parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë

Një marrëveshje globale për parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë, është një hap më afër. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka rënë dakord të fillojë...