Nga: Roland Qafoku
Takimi në zyrën e tij me kryetarin e PD Lulzim Basha dhe dhënia e deklaratave të forta pro tij nga ana e ambasadores Yuri Kim në pamje të parë i kanë dhënë jo pak serum në betejën e madhe me Sali Berishën. Por nga ana tjetër kanë shtuar numrin e skeptikëve në PD dhe jashtë saj se çdo ndodhë me Partinë Demokratike dhe cila është e ardhmja e saj. Ana e parë e medaljes tregon një mbështetje të dukshme të SHBA ndaj lidershipit aktual veçanërisht ndaj kryetarit Basha dhe nga ana tjetër e medaljes tregon mbështetje në rritje të bazës së partisë ndaj Sali Berishës dhe largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë. Partia Demokrartike duket si një udhëkryq për të kaluar, por që nuk ka semafor dhe pyetja e madhe aktuale është se cila është e ardhmja e PD. A do të fitojë Lulzim Basha apo Sali Berisha këtë betejë? Si do jetë Partia Demokratike pas kësaj beteje? Janë të paktën 10 skenarë që mund të ndodhin në këtë situatë me shumë dilema që i mbart që nga anëtari i thjeshtë deri te kryetari aktual Lulzim Basha.
- TRIUMFI I BASHËS, BERISHA MBETET I LARGUAR NGA PD
Aktualisht Lulzim Basha ka mbështetje si kurrë më parë nga SHBA dhe aksioma e vërtetuar në politikën shqiptare është se fiton ai që mbështet SHBA. Nuk ka ndodhur as këto 31 vjet, por as që nga vitit 1922 kur janë vendosur marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë që një ambasador të takojë kryetarin e një partie në zyrën e tij, të dalë prej andej dhe të bëjë një deklaratë supermbështetëse ndaj tij. Në fakt fjalët e dalë nga goja e Yuri Kim nuk tregojnë thjesht mbështetje: “Mendova se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të vija menjëherë në PD për të ndarë me ta atë që mësova në Uashington dhe se çfarë do të bëjmë nga ky moment. I thashë Kryetarit Basha se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të punuar akoma më ngushtë me Partinë Demokratike”. Jo vetëm suport i hapur ndaj Bashës por për më tepër që SHBA duket shumë e prerë për vendimin e saj për shpalljen non grata ndaj Sali Berishës. “Ne duam një PD të fortë dhe të bashkuar dhe të bëjë përpara, por nuk mund të bëhet përpara nëse njëra këmbë ka mbetur në të shkuarën. Dhe kështu si gjithmonë ne presim që të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin, me PD, drejt të ardhmes. Le të ecim përpara”, shtoi në fund Kim. Dhe skenari i parë i mundshëm është që Lulzim Basha ta fitojë betejën me Berishën duke u konfirmuar sërish kryetar i PD.
Ndërkohë Berisha i shpallur non grata nga SHBA dhe i përjashtuar nga grupi parlamentar nga Basha të jetë humbësi i madh i kësaj beteje. Mosha, humbja e kontakteve në këto 8 vite me lidershipin e PD dhe për më tepër mungesa e mbështetjes ndërkombëtare mund ta bëjnë Berishën të pamundur për të larguar Bashën të cilin e ka qëllimin kryesor. Por a është e mjaftueshme kjo mbështetje për Bashën dhe përjashtim për Berishën? Për momentin po. Lulzim Basha mori vendimin për përjashtimine Berishës falë presionit amerikan. Basha zbatoi porosinë e ambasadores dhe në këtë betejë ai është i preferuari i zyrtarëve amerikanë. Ndërkohë Basha ka avantazhin se drejton strukturat e larta të PD. Ai ka nën kontroll grupin parlamentar, kryesinë e PD, sekretariatin, Këshillin Kombëtar. Megjithatë, historia e 3 dekadave të fundit na ka treguar që diplomacia amerikane ka bërë edhe kthesa të forta. Sali Berisha kishte një supermbështetje në vitin 1991, 1992, 1993 duke e pritur edhe në Shtëpinë e Bardhë si askush tjetër. Por u shndërrua në një armik politik i SHBA në 1995 me arrestimin e pesë minoritarëve, në 1996 me parregullsitë në zgjedhjet dhe në mars 1997 me trazirat pas kolapsit të skemave piramidale. Ky është një skenar jo pak i mundshëm por skeptikët pyesin a mund të mbajnë në pushtet vetëm amerikanët?
2. LARGOHET BASHA, HUMBJA E RADHËS
Kjo situatë në PD ngjan si dy pika uji me atë që ndodhi në dhjetor të vitit 2001 në PS. Ilir Meta kryeministër kishte mbështetjen e pakufishme nga SHBA. Ishte konfimuar sërish kryeministër nga zgjedhjet e atij viti dhe kishte mbështeteje të strukturave të larta të PS. Por kjo nuk mjaftoi. Fatos Nano, politikani më pak i pëlqyer i SHBA ndërmori një lëvizjen për “Katharsis” në parti që jo vetëm i ktheu përmbys të gjitha por detyroi Metën të jepte dorëheqjen. Nuk është çudi që i njëjti skenar të përsëritet në PD aktualisht. Kemi Lulzim Bashën që ka mbështetjen e SHBA, kontrollon strukturat e larta dhe zyrarisht duket i fortë politikisht. Por topi i dëborës që po kthehet në ortek nga Sali Berisha në bazë ka gjasa që ti përmbysë të gjitha. Fiks 20 vjet më pas siç ndodhi në PS. Kjo ka rrjedhojë që Lulzim Basha mund të largohet nga PD. Ai mund të japë dorëheqjen falë presionit të bazës ose të shkaktohet nga një e katërta e Kuvendit Kombëtar. Një skenar jo pak i mundshëm.
3. LARGOHEN TË DY EDHE BASHA EDHE BERISHA
Nuk vihet aspak në dyshim që SHBA kërkon që Shqipëria të ketë një opozitë të fortë. Për më tepër që PS ka fituar mandatin e tretë, artikulon si synim mandatin e katërt dhe mungesa e një opozite sa më eficiente do ta bënte qeverisjen shumë herë më në pozita pune dhe përgjegjshmërie. Por si arrihet kjo? Ish-kryetari dhe kryetari aktual të PD janë në një betejë për jetë e vdekje politike. Por në një farë mënyre këtë situatë të rëndë e kanë krijuar pikërisht këta të dy: Basha me humbjet e njëpasnjëshme dhe Berisha me vendosjen që i bëri Bashës dhe mbështetjen e përhershme ndaj tij. Një pjesë e anëtarësisë së PD por edhe analistë në media i quajnë të dy shkaktarë të asaj që po ndodh në PD. Ata fajësojnë Bashnë që nuk arriti kurrë ta drejtojë PD-në me besim për të ardhur në pushtet dhe përherë e la si alibi faktorin Berisha për çdo humbje të tij. Ndërkohë Berisha pas largimit nga drejtimi i PD u bë beniamin dhe sponsor i Lulzim Bashës për ta drejtuar PD. Ai mori mbështetje nga Berisha edhe kur Berisha mund të bënte një akt ndryshe nga më parë në zgjedhjet për kryetar më 13 qershor të këtij viti. Ish-kandidati për kryetar Fatbardh Kadilli ishte nga ata që ia tha pubkikisht në sy Berishës këtë duke i kërkuar edhe largimin e të dyve. Prandaj largimi i të dyve mund të jetë një skenar dhe opsion shumë i mundshëm.
4. PD NË DORË TË GJYKATËS
Nuk është çudi që të gjithë këtë përplasje ta vendosë gjykata se kush ka të drejtë. Konflikti nuk është vetëm politik por edhe juridik. Nga njëra anë kemi Lulzim Bashën që deklaron se nuk do të lejojë mbajtjen e një Kuvendi Kombëtar të PD që ai herë e quan antiamerikan e herë antistatutor. Dhe nga ana tjetër kemi mbështetësit e Berishës që sqarojnë se mjaftojnë 1500 firma për të mbledhur Kuvendi Kombërtar dhe aty merret vendimi për shkarkimin e Bashës. Por si dhe ku mblihet Kuvendi? Ish-presidenti Bujar Nishani dhe një nga mbështetësit kryesorë të Berishës dhe një nga kundërshtarët më të fortë të Lulzim Bashës sqaroi se kuvendi do mblidhet edhe në sheshin “Skënderbej” nëse nuk do e lejonin. Por a ka vlerë kjo “përleshje” juridike? Në media është hedhur edhe opsioni i dërgimt të këtij konflikti në gjykatë dhe aty pastaj palët do jenë përballë në një nga vendimet më të rëndësishme që drejtësia do japë ndaj një situate politike. Një skenar mëse i mundshëm.
5. TKURRJE E MADHE E PARTISË DEMOKRATIKE
Nga e gjithë kjo situatë fiton vetëm Partia Socialiste. Mazhoranca po fërkon duart si një dhuratë që i ra nga qielli ku është në start të mandati të tretë. Lufta e brendshme në PD, përplasja me SHBA, përplasja mes baznës dhe strukturave të larta të PD mund të sjellin një tkurrje të madhe të Partisë Demokrarike që nuk ka ndodhur as në vitin 1997. Nuk është çudi që kjo tkurrje të çojë deri në asgjesimin politik të kësaj partie ashtu siç ka ndodhur në shumë vende të ish-Lindjes Komuniste me partitë e djathta. Mos të harrojmë se Partia Demokratike e Shqipërisë është e vetmja parti e themeluar si parti opozitare në shtetet e hemisferës komuniste që vijojnë të funksionojë ende. Ky është një skenar jo pak i mundshëm. Megjithatë, fakt është se Partia Demokratike ka gjetur të ringrihet në momente të vështira. Por që të hidhet poshtë ky skenar kërkon liderë me vizion, të ndershëm dhe qendrestarë të klasit të lartë.
6. PD NDAHET NË DY PJESË
Ndarja e bazës me strukturat e larta të Partisë Demokratike. Përplasja mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës nuk është çudi që mund të sjellë ndarjen në dy pjesë të kësaj partie. Një parti ajo ekzistuesja me kryetar Lulzim Bashën dhe ajo tjetra që mund të kthehet edhe ajo në një parti me drejtues Sali Berishën. Një skenar që jo vetëm është diskutuar por edhe është mbështetur nga një pjesë. Sa është i realizueshëm ky skenar? Në këtë konteks ishte shumë simbolike kur një grua e vjetër, anëtare e PD i tha në takimin e Vlorës Sali Berishës. “Do ta ndani partinë, apo do ta lini njësh?”. Vetë Sali Berisha e quan çmenduri që të themelojë një parti tjetër nga Partia Demokratike që e bashkëthemeloi dhe e drejtoi për 23 vjet. Gjithsesi ky skenar ka gjasa që edhe të ndodh nëse nuk shikohen hapësira në PD.
7. PARTIA DEMOKRATIKE E RINDËRTUAR
Partia Demokratike do të dalë më e fortë, do të dalë më e bashkuar, dhe do të jetë sërish në pozita për të fituar zgjedhjet. Kur një anëtar i thjeshtë i PD dëgjon këto fjalë i ngrohet zemra por pyetja e madhe është si do arrihet kjo. Nuk janë të paktë ata që kanë hedhur idenë e rindërtimit apo rithemelimit të PD. Një prej tyre është Mark Marku, një nga personalitetet më të lartë të kësaj partie të kohëve të fundit. Rithemelimi i Partisë Demokratike që do të thotë ringritja nga e para e të gjitha strukturave të ndryshimeve statutore. Demokratizimi i partisë dhe hapja e saj do ishte çelsi i këtij rindërtimi. Një skenar që i bën mirë vetëm Partisë Demokratike por edhe politikës shqiptare.
8. PD DREJTOHET NGA NJË REGJENCË
Buajr Nishani hodhi pak ditë më parë në emsionin “Dekalog” që unë drejtoj një tezë shumë interesante. Partia Demokratike duhet të drejtohet për një farë kohë nga një grup politikanësh që kanë dhënë kontribute në këtë parti. Ata duhet të mos kenë ambicje për të qenë kryetarë dhe të kenë të drejtë të barabartë për vendimet që do marrin. Sipas Nishanit, misioni i kësaj regjence të PD duhet të ketë reformimi i thellë i Partisë Demokratike, i strukturave të saj dhe si akt final edhe zgjedhjen e kryetarit mbi bazën e parimit demokratitik një anëtër një votë. Një skenar jo pak i mundshëm nëse zbatohet edhe skenari 2.
9. PD ME NJË LIDER TË RI
Që nga thememimi deri më sot Partia Demokratike ka patur si kryetarë të saj Azem Hajdarin, Sali Berishën, Eduard Selamin, Tritan Shheun dhe Luzlim Bashën. Të gjithë me uljet dhe ngritjet e tyre por që në situatën aktuale kurrë nuk ka qenë. Zgjidhja e një lideri të ri, pa asnjë ndikim dhe diktim nga kush, me një votim demokratik transparent dhe me parimin një anëtar një votë do ta nxirrte PD nga situatë që ndodhet dhe do ta çonte vërtetë atë në një stad të ri. Lideri i ri me cilësi krejt ndryshe nga paraardhësit e tij duhet ti përgjigjet jo vetëm kohës që po kalon PD por që duhet që ndryshimet një herë e mirë modelin e keq të këtyre 31 viteve në politikën shqiptare. Për këtë ka nevojë jo vetëm PD por edhe politika jonë. Një skenar shumë i munshëm dhe real.
10. ZËVENDËSIMI I PD ME PARTI TË TJERA OPOZITARE
Ky do ishte skenari më i keq i mundshëm. Nëse PD nuk arrin të forcohet, por të dobësohet dhe të tkurret, atëherë parimi i mbushjes së hapësirës do ishte synim për këdo në vend. Janë parti të vogla opozitare që mezi presin ta mbushin këtë boshllëk. Por nuk përjashtohet njëkohësisht edhe themelimi i partive të reja. Një skenar që nuk do ta dëshironte jo vetëm çdo demokrat, por as edhe një shqiptar që kërkon funksionim e një sistemi demokratik.