Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë komunikim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, referuar çështjes së reciprocitetit të targave. Gjatë një konference për mediat në Kosovë, Rama tha se në këtë çështje nuk ka se çfarë të ndërmjetësohet, pasi e drejta është me Kosovën. Kreu i qeverisë, edhe një herë tjetër konfirmoi se Shqipëria është në krahë të Kosovës, sikundër tha ai, është i gjithë komuniteti ndërkombëtar.
Kryeministri Rama ka reaguar edhe për ambasadorin rus në Beograd, që vizitoi dje njësitë ushtarake të Serbisë, ku janë mobilizuar në kufi me Kosovën. Ai deklaroi se kjo është “shkrepësja që ndez institucionet”.
“Nuk kam pasur një bisedë me Vuçiç, apo siç thonë ato bashkëkombasit në rrjetet e mia sociale, me vëllain tim Vuqiqi. Nuk ka çfarë ndërmjetësohet. Këtu jemi në kushtet kur e drejta është me Kosovën dhe kaq, kjo është shumë e qartë.
Kështu që ne jemi në krah të Kosovës, siç është i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Leximi çuarjes së njësive speciale si një arsye për të bërë Teatër në Serbi, është leximi më i gabuar. Parafytyroni sikur të ndodhte diçka, i takon kryeministrit në krah të marrë vendimet e duhura që kjo të shërbejë për ta çuar para dialogun dhe mos të ngrij konfliktin.
Unë e kam mbështetur tarifën 100%, për të shtruar një problem të drejtë. Por ajo tarifë u kthye në litar, për shkak se kaloi nga një akt për të shtruar problemin, në një problem. Këtu nuk ka çfarë të ndërmjetësohet, ato djegiet e institucioneve nuk i provokojnë forcat legjitime të rëndit dhe të sigurisë së Kosovës.
Dua ta përsëris se djegiet e institucioneve nuk i provokojnë forcat legjitime të rendit, dhe sigurisë së Kosovës. Ato djegiet atje i provokojnë ato fluturimet akrobatike të avionëve e helikopterëve, dhe marrja peng e qytetarëve të Kosovës. Në kushtet e një dialogu që nuk ecën si duhet. Jam i bindur që dialogu është e vetmja rrugë, por çfarë do ambasadori rus? Imagjinoni sikur ambasadori amerikan të shkonte në kufi, e të shikonte çfarë bëjnë njësitë speciale. Natyrisht që ky është një teatër, por është teatër i rrezikshëm. Sepse është shkrepësja që djeg institucionet”, tha ai.
Një ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviç ishte në Jarinjë, i shoqëruar edhe nga ambasaodri rus në Beograd, Aleksandar Botsan Kharchenko dhe shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së Serbisë Milan Mojsilovic, ku vizituan njësitë serbe në Rashkë, në afërsi të kufirin në Jarinjë.
Ambasadori Botsan-Kharchenko shprehu mbështetjen e Rusisë për pozicionin e Beogradit, i cili, siç vlerësoi ai, ka për qëllim zvogëlimin e tensioneve në Kosovë. “Kjo situatë po ngre një shqetësim të madh në Moskë”, tha ambasadori rus.
Rama ka folur në Kosovë për qëndrimin e “Vëllait të vogël” në lidhje me Ballkanin e Hapur. Rama u shpreh se Ballkani i Hapur nuk është asgjë tjetër, përveçse përshpejtim i Procesit të Berlinit.
Vëllai i madh i Kosovës, a e kuptoni tani vëllain e vogël pas kërcënimeve të Serbisë pse refuzon të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur?
“Më ka qëlluar të jem vëlla i madh në shtëpi. Si vëlla i madh, kam mësuar rrugës që me vëllain e vogël ka gjithmonë një problem. Kur ka një problem, më thotë gjithmonë duhet të më mbështesësh. Kur vjen puna t’i thuash më dëgjo dhe mua, nuk më dëgjon. Nuk pretendoj se jam vëlla i madh këtu, sepse Albini nuk do ta pranonte kurrë të quante veten vëllanë tim të vogël. Unë jam edhe më i bindur sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik, që ne të mos ngecim në baltën e të shkuarës.
Ai prodhimi i historisë, është një industri ballkanike e mirënjohur, por do ia lërë vendin prodhimit të mirëqenies. Kjo nuk mund të jetë e plotë. Një hapësirë ku zbatohen katër liritë e BE, në një Ballkan të Hapur është një hapësirë ku ka më pak vend për këto lloj tensionesh që vijnë nga e shkuara dhe një klimë që shtensionohet duke bërë me fqinjët gjëra të cenuara është më e mundur të ketë sukses dialogu.
Ballkani i Hapur nuk është asgjë përveçse përshpejtimi i procesit të Berlinit, duke mos pritur që agjendat të na i bëjnë të tjerët. E kuptoj shumë mirë që Kosova e ka të nxehtë plagën, por forca duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje, sepse Kosova e ka fituar luftën. Ato helikopterët që vijnë vërdallë atje, janë për ushqim brenda Serbisë por Kosovës nuk kanë çfarë i bëjnë të tjerët. Vëllanë dhe fqinjët nuk i zgjedh. Me vëllanë të lidh gjaku, ndërsa fqinjin e ke aty.Gjyshja ime thoshte; nuk ka shtëpi të lumtur pa fqinj të kënaqur”.