Të hënën në mbrëmje bordi drejtues i Real Madrid mori vendimin për të bërë një ndryshim për të kapërcyer krizën që kishte kapluar ekipin. Santiago Solari u shkarkua nga drejtimi i galaktikëve dhe pankinë do ta drejtojë Zinedine Zidane.
Francezi që shkroi historinë u rikthye në Madrid vetëm 7 muaj pasi vendosi të largohet. “Jam i lumtur që u ktheva në shtëpi, është një ditë e veçantë për të gjithë”, me këto fjalë Zinedine Zidane është prezantuar si trajner i Real Madrid.
“Ndjesitë janë pozitive e tani mendoj vetëm të punoj. U ktheva sepse ma kërkoi presidenti”, ka vazhduar tekniku francez. Florentino Perez është shfaqur i entuziazmuar dhe ka qëndruar në të njëjtat ndjesi me Zidane: “Faleminderit që u ktheve në shtëpinë tënde”.
Me xhaketë gri dhe këmishë të bardhë, Zidane është prezantuar në konferencën për shtyp si trajneri i ri i Real Madrid: “Mendoj të mbyllim mirë këtë sezon dhe të përgatisim tjetrin: duhet punuar”.
I emocionuar e i vendosur, si gjithnjë: “Jam këtu sepse e dua shumë këtë klub. Sapo më kërkoi Florentino Perez mendova të kthehesha, ky ishte mendimi im i vetëm. Nuk mund ti thosha jo atij”.