E hënë, 24 Janar, 2022
0.5 C
Tirana

Votat e politikës së jashtme

Nga: Preç Zogaj

Atë e bëri të jashtëzakonshme ceremonia e pritjes me shumë elemente dhe simbole të Perandorisë otomane, sikurse edhe programi i veçantë i krejt vizitës ku çdo detaj kërkonte të linte përshtypje të forta dhe të jepte mesazhe.

Në fakt, pritjen spektakolare që iu rezervua Ramës kësaj radhe nuk e kishim parë në asnjë prej vizitave të mëparshme të personaliteteve të larta shtetërore të Shqipërisë në Turqi, përfshirë ato të vetë zotit Rama. Në një anë, duke parë butaforinë e kalorësisë dhe kostumeve perandorake, të dukej sikur Presidenti Erdogan kishte zgjedhur të befasonte dhe kënaqte Kryeministrin tonë me diçka në shijet e këtij të fundit. Natyrisht, protokolli turk, i njohur për seriozitetin e tij, nuk bën shaka të tilla.

Përtej çdo zhbirilimi pse e qysh, duhet të themi se koreografia dhe solemniteti i pritjes turke kishte dhe ka si efekt të dukshëm rritjen e rëndësisë së Shqipërisë në sytë e vendeve të tjera të Europës dhe botës. E gjithë kjo, falë madhësisë së Turqisë, peshës që ajo ka në skakierën ndërkombëtare si dhe një kuadri premisash që e projektojnë si një vend në fuqizim. Shqipëria gjithashtu ka një pozitë që e “zmadhon” më shumë sesa është në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Nga kjo pikëpamje, nuk ka dyshim se mikpritja e veçantë që Erdogan i rezervoi Ramës u shkon pikësëpari Shqipërisë dhe shqiptarëve. Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe janë një pasuri e përbashkët për t’u ruajtur e forcuar vazhdimisht, pavarësisht se kush vjen e kush ikën nga pushteti.

Thënë këto, pa qenë nevoja ta bisedonin, Erdogan dhe Rama ishin marrë vesh që kjo vizitë të mos ishte si gjithë të tjerat. Pra, të ishte një vizitë sa elektorale në prag të zgjedhjeve shqiptare të 25 prillit, sa gjeopolitike, duke marrë parasysh gamën e zhvillimeve dhe ambiciet e Turqisë në këtë rrafsh.

Të dyja u duheshin dhe u duhen të dyve. Shqipëria, siç e cekëm më lart, ka një aset përmes të cilit ka mundur shpeshherë “të zmadhohet”. Ky është orientimi i saj gjeopolitik, rëndësia e të cilit përcaktohet nga pozicioni ku ndodhet. Tirana politike dhe diplomatike ka luajtur me ketë aset. Falë tij jemi “zmadhuar” në marrëdhënie me ishBashkimin Sovjetik të Stalinit, pastaj me Kinën e Mao Ce Dunit.

Pas viteve nëntëdhjetë, në një kontekst krejt tjetër, jemi “zmadhuar” me SHBA dhe BE. Kur themi kontekst krejt tjetër, kemi parasysh ndër të tjera dy veçori: faktin se orientimin pro amerikan dhe europian e kanë zgjedhur në shumicë absolute qytetarë shqiptarë, pra, nuk ka qenë dhe nuk është një levë e drejtuesve politikë të vendit thjesht për të zgjatur jetën e tyre në pushtet. Lidhur me ketë, edhe veçoria e dytë që SHBA dhe BE janë vende demokratike, ku udhëheqësit ndërrohen sistematikisht me votë, pra, nuk mund të përfitosh prej tyre mbështetje apo përfitime vetjake si ato që mund ta përfitosh nga autokratët e lindjes apo vendeve arabe.

Marrëdhëniet e Erdoganit me Shqipërinë dhe Kryeministrin e saj janë shënuar nga ky lloj “zmadhimi” i Shqipërisë. Në marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të, Presidentit turk i intereson ta ketë, e në pamundësi për ta pasur, të paraqitet sikur e ka në dorë Shqipërinë, sikur e ka të vetin Kryeministrin e Shqipërisë. Duke qenë se me Ramën mund të ndihet disi i përmbushur në këtë mëtim, Erdogan e ka atë të preferuarin e tij mes liderëve politikë shqiptarë dhe ndoshta dëshiron ta shohë në pushtet po aq gjatë sa veten e tij.

“Ultimatumi” që dha për përfundimin e Spitalit të Fierit me fondet e Turqisë brenda tre muajve është ndërhyrja me e drejtpërdrejtë e Presidentit turk në zgjedh jet shqiptare. Për të nderuar të vërteten, duhet të themi se nuk e ka për herë të parë. Zoti Erdogan ka pas lidhur një miqësi shumë të ngushtë me ish-Kryeministrin Nano kur ky drejtonte ekzekutivin shqiptar. Në finalen e fushatës elektorale të vitit 2009, ai erdhi dhe mori pjesë përkrah ish-Kryeministrit Berisha në përurimin e Rrugës së Kombit.

E përsërisim se është një gjë e mirë që Presidenti, Kryeministri apo çdo zyrtar i lartë turk ndërton marrëdhënie të ngushta zyrtare dhe në planin personal me homologët shqiptarë dhe anasjelltas. Ndërkaq, pala jonë duhet të jetë e ndershme, që, duke vlerësuar me mirënjohje miqësinë dhe ndihmat e Turqisë, të mos i ushqejë palës turke, dhe më konkretisht Presidentit Erdogan, iluzionet e paternalizmit, të influencës së tij eventuale në zgjedhjet shqiptare apo në çështjet e rreshtimeve dhe orientimit.

Të lumtur që jemi pjesë e NATO-s bashkë me Turqinë, Shqipëria dëshiron që të jemi me Turqinë edhe në BE. Por, nëse Turqia, si vend i madh me një histori specifike, mund të këtë një plan B apo C si alternativë të integrimit në BE, Shqipëria nuk mund të ketë një plan të tillë. Shqipëria ka e do të ketë vetëm planin A të ëndrrës perëndimore. Sa të ketë demokraci, shoqëri të hapur dhe partneritet strategjik me SHBA e BE, autokratët që vinë e ikin nga pushteti në Tiranë nuk mund ta tërheqin popullin nga kjo aspiratë.

Kjo nuk do të thotë se Erdogan me ekipin e tij duan të ndryshojnë busullën e orientimit perëndimor të Shqipërisë. Ata kanë politikën e tyre, por nuk duan këtë. Opozita turke qemaliste aq më pak do të donte një Shqipëri satelite të Turqisë. Fjala është që duke respektuar e shërbyer miqësinë e ndërsjellë, Shqipëria së paku, por edhe Turqia të evitojnë të ushqejnë mite dhe lajme që krijojnë shqetësim pranë partnerëve të vetëm strategjikë të Shqipërisë demokratike, që janë SHBA dhe BE.

Sa u takon zgjedhjeve, Turqisë dhe Greqisë u takset rëndom një influencë më e madhe se sa kanë realisht në elektoratin shqiptar. Në përgjithësi, trendin e votave këtu, nëse nuk e deformon shitblerja masive, e vendos gjykimi i zgjedhësve për qeverinë dhe opozita. Ka pa dyshim vota nga politika e jashtme. Jo nga ajo me Lindjen, por me Perëndimin. Jo vota që lidhen me dhurata elektorale. Nëse zgjedhësit shqiptarë perceptojnë se qeveria apo opozita po punojnë për partneritetin me SHBA-në dhe integrimin në BE, marrin vota. Në të kundërtën, dënohen po me vota.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Ndërron jetë aktori i njohur turk, luajti në serialin “Ertogrul”

Aktori i njohur turk, Ayberk Pekcan, ka ndërruar jetë në moshën 51-vjeçare. I ndjeri ka luajtur në serialin “Ertogrul” dhe “Osman”. Mediat turke thonë se...

Gjirokastritët dhe korçarët më punëtorë, Lezha, Dibra dhe Tirana më “dembele”

Qarqe të ndryshme të vendit shfaqin sjellje ekstreme ndaj punës, pasi në disa prej tyre popullsia në moshë punë (+15 vjeç) shfaq një interes...

Makthi i Berishës nga institucionet që nuk e njohin

Nga: Mero Baze Sali Berisha tani ka nisur luftë me çdo institucion zyrtar, politik apo fetar që nuk e pranon më si Kryetar të PD,...

“Blindohen” zgjedhjet në Shoqatën e Tiranës, hyrja me kartë identiteti

Në orën 15:00 do të nisin zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës. Aktualisht është vënë re prezencë e forcave të policisë private,...

Nis hakmarrja pas përgjimeve, Tatimet ‘mësyjnë’ te bizneset e Armand Dukës

Bashkia e Tiranës me në krye Erion Veliaj, ka marrë zotimin për të "pastruar futbollin". Prokuroria e Tiranës ka nisur sot një hetim për...