Vllaznia i ka kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), që në kërkesën e saj drejtuar autoriteteve për të lejuar luajtjen me tifozë të ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë, Teuta-Tirana, të përfshihet edhe “play out”-i mes shkodranëve dhe Besëlidhjes.
“KF Vllaznia është njohur përmes mediave, por edhe përmes faqes tuaj zyrtare, me një kërkesë që Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë instancave shtetërore për ta luajtur me tifozë ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë duke marrë edhe shembullin e Francës, ku finalja e Kupës u zhvillua me tifozë në tribunat pas porte.
Në këtë kontekst, do të dëshironim që në kërkesën tuaj ndaj instancave shtetërore të përfshini edhe ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja.
Vërtetë finalja e Kupës së Shqipërisë është finale, por edhe sfida jonë është një “finale” dhe për më tepër, një ndeshje që pritet me shumë interes nga tifozëritë e të dy ekipeve.
Për këtë arsye, kërkojmë nga ana Juaj që përpos dëshirës për të patur tifozë në ndeshjen finale të Kupës, ato të lejohen konform rregullave dhe distancimit edhe në ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja.
16 mijë vendet që ka stadiumin “Loro Boriçi” janë një mundësi shumë e mirë që në stadium të ketë një numër të kufizuar tifozësh dhe duke respektuar rregullat e distancimit. Mbesim me shpresën e plotësimit të kësaj kërkese”, thuhet në kërkesën e Vllaznisë drejtuar FSHF-së.