Një 29 vjeçar shqiptar, është therur me thika nga 2 të burgosur rusë në burgun e Trikallas në Greqi. Mediat greke, raportuan se rusët e pritën shqiptarin tek dera e ambulancës së burgut, duke e qëlluar 3 herë me thika të improvizuara. Dy thika në gjoks dhe njëra në ije, i kanë shkaktuar gjakderdhje të mëdha shqiptarit, që ka humbur jetën sapo ka mbërritur në spital.
Autoritetet greke, nuk kanë dhënë asnjë reagim apo shpjegim në lidhje me ngjarjen në fjalë. Ky është i burgosuri i dytë shqiptar, i vrarë brenda 20 ditësh. Prej vitesh situata në burgjet greke ka degraduar. Mbipopullimi, kushtet çnjerëzore, dhuna e gardianëve, kanë shkaktuar protesta, greva dhe deri edhe revolta në burgje, më së shumti në burgun në më madh, dhe njëherazi më famëkeq në vend, Koridalos, në Athinë.
Çdo vit Këshilli i Evropës, ka kritikuar ashpër gjendjen e sistemit të burgjeve në greqi. “Situata në burgjet e Greqisë, është përkeqësuar më tej, deri në pikën ku të dënuarit humbin jetën”- thuhej në një raport të Komitetit për Parandalimin e Torturës në KE, në raportin e tij prej 76 faqesh në vitin 2016, pas një inspektimi në disa prej burgjeve.
Raporte përmendte mbipopullimin e madh, me disa burgje që strehojnë 2-fishin e kapacitetit që kanë, mungesën e kujdesit shëndetësor, mungesa të mëdha në staf, si dhe shpesh kushte higjenike të tmerrshme. “Aktualisht, shumë burgje në Greqi veprojnë thjeshte si depo në të cilat mbahen njerëzit, deri sa ata të kenë të drejtën për t’u kthyer në komunitet. Është koha të ndryshohet mënyra e funksionimit të burgjeve”- thuhej në raport.
Por sikurse e kanë treguar edhe ngjarjet tragjike më të fundit, asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi është përkeqësuar deri në atë pikë, sa që e përditshmja “Kathimerini”, duke iu referuar vrasjes makabre me thika të shqiptarit Albert Bako në burgun e Koridalosit nga 2 bashkëkombasit e tij shqiptarë në janar të këtij viti, shkruante se situata ka dalë tashmë jashtë kontrollit.
Sipas portalit grek “Dikastiko.gr” në burgjet greke kane vdekur 51 të dënuar, vetëm në vitin 2018. Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, kur po sipas raportit të Komiteti për Parandalimin e Torturës në Këshillin e Evropës, njëri nga seksionet e burgut të Koridalosit, menaxhohej në një turn nga vetëm 1 ose 2 gardianë, edhe pse kishte 350-400 të dënuar.
Komiteti e krahasoi situatën me “një kazan në valë, që është lënë lënë të ziejë, duke shkaktuar shpërthime të dhunës çdo disa muaj”. Rasti i shqiptarit Kudret Kumes, i njohur ndryshe si Ilia Kareli, është ndër më skandalozët, pasi në atë rast vrasja e tij erdhi jo si pasojë e përleshjes me ndonjë bashkëvuajtës, por nga 12 gardianë të burgut grek të Nigritas.
Më 27 mars 2014, autoritet e burgut njoftuan fillimisht se Kareli kishte ndërruar jetë orët e vona të natës, nga shkaqe natyrale. Në fakt, ai kishte vdekur pasi ishte dhunuar barbarisht nga gardianët e burgut. Dy ditë më parë, Kareli kishte vrarë me thikë gardianin 46 vjeçar grek, Jorgos Cironis, me pretendimin se i kishte mohuar lejen për të takuar nënën.
Shqiptari ishte dënuar me 20 vjet e 9 muaj burg për tentativë vrasje, grabitje, trafik droge dhe hyrje të paligjshme në vend. Ai kishte kryer më shumë se 3/5 e dënimit, dhe kishte paraqitur një kërkesë për liri me kusht, e cila i ishte refuzuar. Disa media greke bënë publike pamjet e kamerave të sigurisë, ku shihej dhuna shtarazake e gardianëve grekë, që kishin vendosur të hakmerreshin vetë për kolegun e tyre të vrarë.
Video u bëri virale në rrjet, ndërsa edhe nga Tirana zyrtare pati një reagim zyrtar, ku u kërkua zbardhja e plotë e ngjarjes dhe ndëshkimi i autorëve. Disa prej gardianëve fillimisht u pezulluan nga detyra, por pas gati 5 vitesh, në mars të këtij viti, ata u dënuan vetëm me shkarkim nga detyra.
Hetimi i ngjarjes, u shoqërua edhe nga një skandal. Gjatë autopsisë që i bënë trupit të të ndjerit autoritetet shqiptare, pasi morën në dorëzim trupin nga autoritetet helene, u konstatua me mungonte zemra. Edhe ky episode, u interpretua nga Athina si një gabim njerëzor.
E rëndë ishte edhe vdekja në rrethana të dyshimta e emigrantit shqiptar, Pëllumb Maknikollaj në Athinë. Më 3 gusht 2016, 28 vjeçari u paraqit në komisariatin e policisë në Patisia të Athinës, në zbatim të detyrimit për lirimin me kusht në maj të atij viti. Disa javë më vonë trupi i tij u gjet në një morg të zones, ndërsa policia greke tha se shqiptari u hodh vetë nga kati i tretë i godinës, me qëllim që t’i shpëtonte një arrestimi të dytë.
Për shkak të akuzave të familjarëve, në nëntorin e atij viti, prokuroria e Athinës urdhëroi fillimin e një hetimi të ri, me akuzën e dëmtimeve të personit me pasojë vdekjen, por ky hetim u mbyll pa asnjë rezultat konkret, dhe pa asnjë përgjegjës. Dhunën e qëllimshme me sfond racist ndaj të dënuarve shqiptarë nga ana e gardistëve grekë, e konfirmoi në një intervistë të shkurtit 2014, gangsteri serb Kristijan Goluboviç, sipas të cilit “në burgjet greke, shqiptarët rrihen me shkopinj druri”.
Goluboviç, i sapo liruar nga burgu i Malandrinos në Greqi, pohoi se të dënuarit ortodoksë trajtoheshin më mirë, ndërsa shqiptarët ndëshkoheshin rëndë. “Në momentin e ndëshkimit, shqiptarët veçoheshin nga të burgosurit e tjerë. Më pas, aty vinin forcat speciale. Kush ishte shqiptar, përfundonte shumë keq. I godisnin me shkopinj druri. Ne serbët, maqedonasit, bullgarët, pra ne ortodoksit nuk na preknin me dorë, por na dërgonin tek shërbimet përkatëse për 15 ditë apo 1 muaj”- dëshmoi ai.
Marrëdhëniet shqiptaro-greke, ka qenë vazhdimisht të tensionuara, për shkak të çështjeve të pazgjidhura si ligji grek i luftës, çështja çame, varrezat e ushtarëve grekë, të drejtat pronësore të minoritetit grek, dhe më së fundmi nga bisedimet për caktimin e kufirit detar mes dy vendeve.
Por vrasja e 35-vjeçarit minoritar Kostandin Kacifas në Bularat të Gjirokastrës, ngjalli tensione të reja mes Tiranës dhe Athinës. Qindra ekstremistë grekë, morën pjesë në funeralin e tij, duke mbajtur simbolet e Vorio-Epirit, dhe duke hedhur parulla kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kjo atmosferë, e rëndoi edhe situatën në burgjet greke. Më 25 nëntor 2018, një i burgosur shqiptar në burgun e Trikallas, u gjet i pajetë në qeli. Një natë më parë, gjendja shëndetësore e 35-vjeçarit ishte normale kur kishte shkuar për të fjetur. Ai u gjet i vdekur nga gardianët, ndërsa shkaqet mbeten ende mister.
Një ditë më vonë më 26 nëntor, emigranti shqiptar Petrit Zifle, 63 vjeç, u gjet i pajetë në një kanal nga një shofer kamioni në Dragotina të Korfuzit. Viktima që ishte shpallur në kërkim nga familja e tij, ishte vrarë me armë gjahu më 25 nëntor. Një ditë para vrasjes, Zifle kishte debatuar në një lokal të fshatit me autorin 44-vjeçar të vrasjes së tij, për çështje të karakterit etnik. U zbulua se autori grek, ishte anëtar i partisë ekstremiste greke, Agimi i Artë.
Ndërkohë më 29 nëntor, një 40-vjeçar shqiptar u përplas për vdekje nga një makinë në Selanik. Viktima po kalonte rrugën, kur u godit nga një automjet i drejtuar nga një 20-vjeçar grek. Më 5 dhjetor 2018, vritet me armë zjarri 18-vjeçari shqiptar Enriko Buzani. Ngjarja ndodhi gjatë natës në Kavalla.
Pas një jave, më 12 dhjetor 2018, vritet një 44 vjeçar nga Fieri, baba i 3 fëmijëve, i cili njihej si një biznesmen që merrej me rritjen artificiale të peshkut. Më 28 dhjetor po të vitit të kaluar, gjendet i varur në qelinë e spitalit psikiatrik në burgun e Koridalos 33 vjeçari nga Vlora Gëzim Shekaj. Ai kishte përfunduar dënimin e tij, dhe para 20 ditësh kishte hedhur firmën për të dalë nga burgu.
Por, një i afërm, pretendoi se përgjatë këtyre 20 ditëve, Gëzimit i ishin injektuar 4 gjilpëra, me qëllim që ta çonin drejt vdekjes. Autoritetet, e shpjeguan ngjarjen me gjendjen depresive të të dënuarit. Ndërkohë, në datat 15 dhe 18 janar 2019, dy shqiptarë të tjerë gjejnë vdekjen të vetëvarur në komisariatin e policise në Agio Nikolaos ne Kretë dhe në burgun e Koridalosit. Dhe më 27 janar gjendet i vdekur në qelinë e tij po në burgun Koridalosit 33-vjeçari shqiptar Bardhyl Tusha, nga fshati Shelegar i Sarandës. Autoritetet e burgut thanë se vdekja ishte shkaktuar nga vetëhelmimi.
Sipas disa përllogaritjeve në 2 vite janë mbi 28 shqiptarët e vdekur në Greqi, shumica në rrethana tejet të dyshimta. Qeveria shqiptare, ka nisur prej kohësh bisedimet për sheshimin e të gjithë mosmarrëveshjeve me fqinjin tonë jugor në prag të çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian.
Por në Evropë duhet të hyjmë si shtet dhe qytetarë dinjitozë. Ndaj Tirana duhet t’i kërkojë urgjentisht shpjegime ndaj Athinës zyrtare, për shqiptarët e vdekur apo vrarë në rrethana më së paku të dyshimta. Një miqësi e fortë, apo një partneritet strategjik, sikurse pretendohet të zhvillohet midis 2 vendeve, nuk mund të ngrihet mbi eshtrat e disa shqiptarëve, që mund të kenë pasur faje të ndëshkueshme nga ligji, dhe për të cilat janë ndëshkuar, por që sigurisht nuk e meritonin një fund tragjik.
TIRANA TODAY