Nga: Enton Abilekaj
Mirëseardhja e Edi Ramës dhe Taulant Ballës e shndërruan në më pak se 24 orë, atë që PD e quajti aksion të madh opozitar, në një mundësi për marrëveshje të re mes dy palëve. Lulzim Basha shpalli vendosmërinë e tij për vettingun e politikanëve, për rikthimin e Kushtetutës në gjendjen e para 30 korrikut, për reformën territoriale të re dhe, sigurisht për një tjetër reformë zgjedhore pavarësisht se atë që ndodhi në 25 prill vazhdon ta quajë masakër elektorale.
Duke mos patur votat për të bërë secilën nga këto, PD do të jetë e detyruar të hyjë në bisedime që do të çojnë në marrëveshje me maxhorancën. Vetëm 15 muaj pasi Edi Rama prishi marrëveshjen e fundit që bënë bashkë, ende pa u harruar “masakra elektorale”, Lulzim Basha do të shkojë për herë të tretë në tryezë më Edi Ramën.
Kur vjen fjala tek numrat, repertori i Bashës është i pasur, por ka vetëm një shprehje që përfshin numrat dhe marrëveshjet. Atë që ia tha Edi Ramës në foltoren e parlamentit të dalë nga 2017: “Më gënjeve një herë është faji yt, më gënjeve herën e dytë është faji im”.
Ndërsa hera e dytë është konsumuar që në korrik 2020, kur Rama bëri fërtele marrëveshjen e 5 qershorit, ende pa sqaruar fajin për atë, Basha është bërë gati për negociatat e marrëveshjes së tretë. Me këtë bilanc, Edi Rama nuk mund të mos e mirëpresë rikthimin e cjapit tek kasapi, por sjellja e tij ndaj propozimit të vettingut të politikanëve, mban erë për një pazar të bërë më parë.
Propozimi i refuzuar 3 vjet më parë, sot duket i pranueshëm për maxhorancën. Duke e ditur se Edi Rama nuk ndryshon, aq më pak Taulant Balla, ndryshimi duhet parë tek propozimi i PD-së dhe konteksti kur bëhet. Nuk ka pse të shfletohet për të parë se propozimi i PD-së këtë herë ka përcaktuar detajet e vetingut të politikanëve dhe ngarkon SPAK-un me këtë detyrë. Është një projekt i ngjashëm me Operacionin Forca e Ligjit që hartoi Rama 1 vit përpara zgjedhjeve dhe që prodhoi si efekt insitucional bllokimin e disa makinave dhe asfiksimin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale. Ndërsa si efekt politik, rekrutimin e bandave për zgjedhjet.
E njëjta skemë është ofruar tashmë nga PD për politikanët. Ndryshimi është që nuk do të jetë OFL, as Ispkektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), që e ka për detyrë ligjore, por direkt SPAK. Juridikisht një tjetër ndryshim i rëndësishëm Kushtetues, që prek edhe Drejtësinë e re, institucionalisht një tjetër asfiksi për SPAK dhe politikisht ndryshimin radikal të qëndrimit të PD-së ndaj Drejtësisë së re, një shoë që do të prodhojë në fund, po aq sa OFL për të mirën publike, por edhe një marrëveshje të plotë ndryshimesh Kushtetuese, ku do përfshihet edhe zgjatja e vetingut.
Me këtë propozim PD-ja që deri sot e ka quajtur SPAK të kontrolluar nga Edi Rama, po fillon t’i njohë kicat dhe dhëmbët, me qëllim pastrimin e politikës. Sipas propozimit të Bashës, SPAK, për një kohë të pacaktuar, nuk do të merret më me afera korruptive por me emra, nuk do të gjurmojë paratë, por njerëzit. Nga filmi i OFL, është e qartë se do të sjellë të njëjtin rezultat dhe do të bëjë të njëjtën gjueti shtrigash.
Ky është një projekt që i jep organeve të Drejtësisë, që iu lanë Edi Ramës t’i ndërtonte dhe rekrutonte më shumë pushtet, i jep Edi Ramës lejen për të zgjedhur dhe në rastin më të mirë, do të pastrojë në mënyrë selektive politikën.
Nëse ashtu siç pritet do të shoqërohet me zgjatjen e afatit të KPK dhe KPA, për të nxjerrë jashtë loje KLP dhe KLGJ, do të jetë një Pazar i mirë për të gjithë ata që do marrin pjesë. Të humbur do të dalin ata që janë kundër, ose nuk bëhen pjesë e pazarit, do të jenë ata që institucionet e reja të Drejtësisë vazhdojnë t’i shohin të kontrolluara nga Edi Rama që rishkeljen e Kushtetutës në emër të Amerikës, e kërkojnë për të mos e lëshuar deri në fund të drejtën për emërime në strukturat hetimore gjyqësore.
Pa mbajtur asnjë qëndrim ndaj kërkesës për shtyrjen e organeve të vettingut për gjyqtarët, Lulzim Basha ka hedhur për marrëveshje vetingun e ri, të politikanëve. Nëse do të dinte aq sa dimë ne, nuk do të kishte asnjë arsye që ta nxirrte nga sirtari, ta zbukuronte me SPAK dhe ta rihidhte për aksion politik, të njëjtin propozim që u refuzua 3 vjet më parë.
Sepse me aq sa dimë ne, nuk ka ndryshime në qëndrimet e Edi Ramës. Ndoshta, ashtu si në rastin e pezullimit të Berishës, Basha di disa gjëra që nuk mund t’i thotë, këtë herë jo nga SHBA.