Bota

Vetëm strategjia e frenimit dhe jo e paqes, funksionon me regjimin e Iranit


               Publikuar në : 11:40 - 13/01/20 B H

Nga Mario Loyola “The Atlantic”

Pas shndërrimit të Iranit nga aleat në armik në vitin 1978, SHBA-ja ndoqi një politikë de fakto të frenimit ndaj Tehranit, të ngjashme me qasjen e saj ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Por duke nisur nga administrata e Obamës, politika amerikane është tërhequr nga qasja konfrontuese, duke çuar në një situatë të rrezikshme dhe të paqëndrueshme.

Megjithëse nuk u zyrtarizua asnjëherë, strategjia që u hartua gjatë administratës Xhorxh W.Bush kishte 3 shtylla kryesore. Së pari, vendosi ndëshkime parandaluese ndaj përparimeve në programin bërthamor të Iranit. Së dyti, forcoi aleatët e Amerikës në periferinë e Iranit, dhe sidomos aleancën e çmuar të Amerikës me Irakun, për të parandaluar çdo lloj kërcënimi iranian ndaj sigurisë dhe pozicionin tonë në Lindjen e Mesme.

Së treti, inkurajoi lëvizjen pro-demokracisë në Iran. Kur president u zgjodh Obama, kjo strategji kontrolli po funksiononte. Revolucioni Islamik i Ajatollah Khomeinit, që supozohej të ishte një revolucion mbarëbotëror, nuk kishte arritur të hidhte rrënjë askund jashtë Iranit, përveçse në Liban, në formën e një Hezbollahu vdekjeprurës.

Disa vjet më pas, administrata Obama vuri një bast të madh. Duke pare një perspektivë tek marrëdhëniet më pak armiqësore me Iranin, Obama vendosi të arrijë një marrëveshje me mullahët. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, anuloi regjimin e sanksioneve amerikane, të cilat e shkatërruan ekonominë iraniane, në këmbim të kufizimeve të përkohshme të programit të armëve bërthamore të Iranit, dhe me angazhime të paqarta, për të mos ndërtuar asnjëherë armë bërthamore.

Pak vite më herët, Obama i tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, duke ia dërguar Iranit në një “pjatë argjendi” aleatët irakenë të SHBA-së. Tashmë Irani do të kishte një korridor përgjatë Irakut, Sirisë dhe Libanit deri në kufi me Izraelin, dhe vështirë të pritej që të mos e shfrytëzonte atë.

Ndërkohë, marrëveshja në vetvete u pa nga shumë njerëz në Teheran si një dorëzim nga ana e Amerikës. Për të gjitha këto arsye, pavarësisht nga dëshirat e mira të Obamës, supozimi fillestar duhej të ishte se Irani do të ndjehej i inkurajuar, dhe se do të kishte më shumë dhe jo më pak e vështirë për t’u marrë me “aktivitetet e tjera destabilizuese” të Iranit.

Dhe kështu ndodhi. Në Irak, mbështetja iraniane për militantët shiitë u përkthye në një ndikim mbi vetë qeverinë e Irakut. Në Siri, Obama pranoi përfshirjen e Rusisë dhe Iranit në luftën civile, duke e bërë një përfundim të parakohshëm fitoren përfundimtare të Asadit.

Në Liban, Hezbollah ka arritur të vërë nën kontroll të gjithë shtetin. Ngritja e ISIS, e risolli SHBA-në  në Irak pas një tërheqje të shkurtër, por nën një formë të tillë që i la Iranit duart e lira të vazhdojë dominimin e Irakut. Në pozita të tilla, vetë SHBA-ja ndihmoi në “çimentimin” e hegjemonisë rajonale të Iranit.

Kur në detyrë erdhi presidenti Trump, republikanët nisën të shohin mundësinë e anulimit të marrëveshjes problematike. Ata i bënë presidentit një presion të pamëshirshëm për t’u tërhequr nga ajo, gjë që ai e bëri në fund. Por nëse marrëveshja me Iranin ishte një gabim, a mund të korrigjohej gabimi duke u tërhequr nga ajo?

Kostot për SHBA-në ishin të mëdha. Ajo kishte hequr dorë nga regjimi ndërkombëtar i sanksioneve, në këmbim të kufizimeve të programit bërthamor të Iranit, që do të skadonin brenda pak vitesh. Ndaj dilema e asaj se çfarë do ndodhte me Iranin dhe programin e tij bërthamor, vetëm sa ishte shtyrë.

Tërheqja nga marrëveshja, thjesht e afroi ditën kur SHBA-ja do të duhej të përballej sërish me ketë dilemë, këtë herë pa përfitimin e një fronti të bashkuar diplomatik. Ndërkohë, dakordësia e Iranit me regjimin e kufizuar të verifikimit të marrëveshjes, prodhoi një përfitim minimal.

Tërheqja nga marrëveshja bërthamore Iranit, nuk do të thoshte se SHBA-ja po i rikthehej një strategjie të kontrollit, të mbështetur nga masat penguese.

Sanksionet zvogëluan ndjeshëm të ardhurat e naftës në Iran, çka pati efekte shkatërruese. Për të zbutur ndikimin në çmimet botërore të naftës, aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik – kryesisht Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – premtuan të zëvendësojnë furnizimin e humbur nga Irani.

Teherani i pa me të drejtë pa të gjitha këto, si një fushatë të luftës ekonomike, dhe u kundërpërgjigj duke sulmuar fillimisht anijet me naftë të këtyre 2 vendeve, më pas një rafineri të madhe në Arabinë Saudite. Dhe në fund një dron amerikan. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara qëndruan në heshtje përballë këtyre provokimeve.

Kjo bëri që shumë njerëz në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të pyesnin nëse mund të ishin më të sigurt, me një qasje më neutrale ndaj Iranit. Uashingtoni reagoi me forcë, vetëm kur Irani orkestroi hapur një seri sulmesh në ambasadën amerikane në Bagdad dhe bazat e tjera amerikane atje, duke shkaktuar vdekje e një amerikani.

Por, a do të jetë i mjaftueshëm ky konflikt, për të përmirësuar regjimin e sanksioneve ndërkombëtare, apo për vendosjen e nivelit të kontrollit të nevojshëm për stabilitetin në rajon?

Çdo mundësi për të frenuar Iranin, varet nga forcimi i sistemit të aleancave rajonale të Amerikës. Dhe sidomos nga ringjallja e aleancës amerikane me Irakun.

Amerikanët mund të mos e kuptojnë këtë, por Irani po. Kjo është arsyeja pse javët e fundit, u përshkallëzuan sulmet ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Gjirit, për të vijuar më pas me sulmet ndaj bazave amerikane në Irak.

Dhe kjo është arsyeja, pse reagimi i saj kryesor ndaj vrasjes së gjeneralit iranian Kasëm Sulejmani, ishte të sulmonte personelin ushtarak amerikan në Irak. Nëse Irani do të arrijë t’i dëbojë amerikanët nga Iraku, dhe frikësojë aleatët e tjerë të Amerikës në rajon, për t’i detyruar të marrin një qëndrim më neutral, ai mund të dominojë pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme, pavarësisht numrit të forcave amerikane në rajon.

Në atë rast, humbja e Sulejmanit do të ishte shumë me vlerë për Teheranin. Irani mund të jetë sot më hezitues për të vrarë amerikanët. Por nëse ai nuk ka frikë të sfidojë interesat e SHBA-së në mënyra të tjera, atëherë Lindja e Mesme ka gjasa të bëhet më e rrezikshme në muajt në vazhdim. Kjo pasi Irani do gjejë mënyra të reja, për ta detyruar Amerikën të zgjedhë midis tërheqje, dhe një lufte të cilën e nuk do asnjë amerikan. Kjo është arsyeja pse është më urgjent se kurrë, rikthimi në strategjinë e frenimit, e mbështetur nga një pengesë e qartë dhe e besueshme./TIRANA TODAY

Shënim: Mario Loyola, është këshilltar i politikës së jashtme në Pentagon dhe Senatin Amerikan.


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT