Policia ka arrestuar ish-kreun e Agjencisë Gjermane të Shërbimit Sekret të Jashtëm (BND), August Hanning, nën dyshimin për spiunazh.
August Hanning shërbeu si kreu i Agjencisë Gjermane të Shërbimit Sekret të Jashtëm (BNDnga dhjetori i vitit 1998 deri në nëntor të vitit 2005, përpara se të emërohej në Ministrinë e Brendshme, ku punoi si Sekretar Shteti deri në nëntor të vitit 2009.
Sipas një deklarate të Prokurorisë Federale të Gjermanisë, ai përballet me akuza që përfshijnë dyshime për spiunazh, zbulim të sekreteve shtetërore, tentativë për tradhti dhe veprimtari si agjent i shërbimit sekret.
Prokuroria federale gjermane po e heton atë edhe për dyshime për tradhëti ndaj shtetit dhe përdorim të informacioneve sekrete në veprimtaritë e tij private si konsulent sigurie.
Hetuesit dyshojnë se Hanning ka përfituar për vite me radhë dokumente të klasifikuara nga burime të brendshme të BND-së.
Në deklaratën e akuzës thuhet se është arrestuar gjithashtu edhe një ish-punonjës i niveleve të larta të BND-së. Fjala është për Manfred D., ish-shefi i kabinetit të Hanningut dhe punonjës afatgjatë i BND-së.
Sipas hetimeve ai i ka siguruar ish-shefit të tij qindra dokumente konfidenciale kundrejt pagesës. Prokuroria flet për rreth 2.000 dokumente që mund të kenë dalë nga arkivat e shërbimit sekret.
Krizë besueshmërie
Që nga viti 2023 Shërbimi sekret i jashtëm i Gjermanisë është tronditur nga disa afera spiunazhi dhe rrjedhje informacionesh sekrete, të cilat kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë brenda agjencisë.
Rasti më i bujshëm lidhet me Carsten L., një ish-punonjës i BND-së, i akuzuar se ka siguruar dokumente të klasifikuara të shërbimit dhe ka ndihmuar në transferimin e tyre te shërbimi sekret rus FSB. Sipas autoriteteve gjermane, informacionet sekrete dyshohet se janë përcjellë përmes biznesmenit Arthur E.. Procesi gjyqësor ndaj të dyshuarve ka nisur në fund të vitit 2023 dhe vazhdon ende.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se këto raste jo vetëm që dëmtojnë reputacionin e BND-së, por mund të cenojnë edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë të Gjermanisë në shkëmbimin e informacioneve të ndjeshme.
Aferat e fundit konsiderohen ndër skandalet më serioze që kanë goditur shërbimin sekret gjerman në dekadat e fundit dhe kanë nxitur debate të reja mbi kontrollin, sigurinë dhe mbikëqyrjen e aparatit të shërbimeve sekrete në Gjerman./DW











