Në Shqipëri, çdo lloj zyrtari është i marrë fund kur shkel ligjin, nëse nuk ka më mbrojtjen e politikës. Shpëtim Gjika, kishte 11 vite në drejtimin e Bashkisë së Vlorës, dhe po gatitej të fitonte mandatin e radhës. Zullumet e tij në qytetin bregdetar, ishin trashur me kohë. Por kur në shkurtin e vitit 2015 u arrestua nga policia, për dhënien e një leje ndërtimi të paligjshme, Edi Rama, u distancua.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, Gjika u gjykua në gjendje të lirë. Pas 1 viti e ca u shpall fajtor, vetëm për falsifikim dokumentesh. Edhe pse 4 vitet e burgimit të dhënë, iu konvertuan në shërbim prove, me atë vendim, ai e mbylli karrierën e tij në PS.
Pak para dorëheqjes së ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i gjithë ambienti politiko-mediatik, ziente nga zërat se arrestimi i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako ishte çështje ditësh. Sot kur po dalin në skenë përgjime të reja mbi bisedat e tij, me persona me precedent penalë për shit-blerje votash, njerëzit pranë tij po e këshillojnë Ramën që ta lëshojë Dakon.
Siç bëri dikur me Gjikën, apo me ish-deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko, që janë sot pas hekurave. Pavarësisht luftës politike, reforma në drejtësi nëse është reale, nuk duhet të shohë asnjë ngjyrë politike. Ajo do të “presë” koka majtas dhe djathtas. Dhe kjo është ajo që presin të gjithë me ngritjen e SPAK. Me lëshimin e Dakos, Edi Rama do të tregonte një gjest të vullnetit të tij për t’u distancuar nga paligjshmëria.
Pavarësisht kostos së vënies në dyshim të legjitimitetit të fitores së 2017-ës. Nëse Dako dhe të tjerët e “Dosjes 339” janë apo jo fajtorë, këtë duhet ta ndajë drejtësia. I njëjti standard, duhet të zbatohet edhe për Saimir Tahirin. Përndryshe termi “peshqit e mëdhenj”, do të mbetet thjesht batuta ironike e një ish-ambasadori./ Tirana Today