Në një emision të veçantë të kushtuar fshatit Tujan në Tiranë, është bërë i pranishëm edhe kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari.
Gjatë intervistës, Hajdari tregon se cila është lidhja e tij me këtë fshat dhe historia që qëndron pas tij. Sipas tij, Tujani është një vendbanim i hershëm Ilir, kryeqendra e fisit të Taulantëve.
Kryeinspektori i Përgjithshëm thekson se prova për këtë janë kalaja e Tujanit dhe ullinjtë shekullorë. Hajdari deklaroi se ullinjtë e Tujanit duhet të shpallen menjëherë në mbrojtje, pasi sipas tij ato janë monumente të gjurmës së kombit shqiptar që na lidhin me prova shkencore me ilirët.
Më tej ai shton se me investimin e duhur kjo zonë mund të kthehej në një atraksion turistik jo vetëm për shqiptarët, por edhe për turistët e huaj.
Intervista
Çfarë e lidh Shkëlqim Hajdarin me Tujanin?
Është një lidhje prej 22 vitesh. Disa miq më sugjeruan Tujanin, edhe erdha e pashë këtë fshat. Nuk ka ndryshuar shumë, është siç ka qenë para 22 viteve kur kam ardhur këtu. Fillova të lexoj për Tujanin dhe kuptova se kemi të bëjmë me një vendbanim Ilir, të hershëm, kryeqendra e fisit të Taulantëve. Në kufij me fisin e albanëve, ku kombi shqiptar ka marrë edhe emrin, që është në Zgërdhesh. Në vijë ajrore nga këtu është 7 kilometra, mbi Fushë Krujën. Provat janë kalaja, që sipas profesorit Neritan Ceka, i cili ka ardhur disa herë me mua është e epokës së hekurit të hershëm. Janë edhe këto ullinjtë të cilët profesorët që e njohin mirë ullirin, siç është profesor Hajri Ismaili, profesor Rexhep Uka dhe profesorë të tjerë që kanë ardhur këtu deklarojnë me përgjegjësi që janë po të kësaj kohe, pra 4,000-4,500 vjet. Pavarësisht se ne akoma nuk kemi pasur mundësinë t’i bëjmë analizën e karbonit, që tregon vjetërsinë e ullirit.
Lidhja duket dhe jo shumë rastësore me Tujanin, pranë së cilës gjarpëron “Rruga e Arbrit” dhe po me këtë emër ai pagëzoi një nga djemtë e tij. Para se të fillonim këtë intervistë, ju thatë që vendi juaj në botën e përtejme do të jetë pikërisht këtu.
Po është këtu. Është i përcaktuar vendi.
Ky është amaneti yt?
Po. Absolutisht që i është lënë edhe fëmijëve, të dy djemve, edhe atij që është në Amerikë, edhe Arbrit Këtu. Vendi im do jetë në Tujan në botën e përtejme.
Nga 1 milionë e 800 mijë ullinj shekullorë që kemi pasur në Shqipëri, kanë mbetur vetëm 600 mijë. Më shumë se 1 milionë janë zhdukur për mobilje apo për dru zjarri.
Këto ullinj ka ardhur koha që nuk mund të mbahen në atë lloj gjendje, sepse kanë qytetarë që nuk kuptojnë se ulliri ka nevojë për shërbim. Këto nuk janë thjesht ullinj, këto janë monumente të gjurmës së kombit shqiptar që na lidhin me prova shkencore me ilirët. Këto duhen shpallur menjëherë në mbrojtje, në mënyrë që t’i bëhet shërbimi. Domethënë siç e shikoni të krasiten, të bëhen vetulloret. Në qoftë se do t’i bëjmë këto punë, në raport me ullirin dhe kalanë do të ketë shumë përfitime. Pra nëse bëhet rruga për të shkuar deri lart, të ndërtohen konturet e kalasë, kjo do ta bënte Tujanin një fshat të vizitueshëm jo thjesht për qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë, por edhe për qytetarët e rajonit dhe të botës.